Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Mandati i ngecjes

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 01.09.2025 10:58

Mos u harroftë!

E dimë të gjithë domethënien e kësaj thënie të mençur. Kur një individ, një familje a një shoqëri e tërë pëson nga një e keqe, dëshira e parë që bie ndërmend është që e ardhmja të mos sjell një tjetër të keqe, më të madhe madje, e cila do ta len në harresë atë të përparmen.

Pas kësaj vere politike të çoroditur që patëm, dhe e cila sipas të gjitha të gjasave, nuk duket se ende ka mbaruar, ky mendim si një fjali dëshirore është kryefjala e të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

Sado që janë të ndarë shumë në preferencat e tyre politike dhe në qëndrimet për atë çfarë ka përjetuar vendi dhe skena politike që nga 9 shkurti kur u mbajtën zgjedhjet e fundit, duket se nga anë të ndryshme që të gjithë ata (qytetarë), arrijnë te i njëjti përfundim: Kosovës nuk i është dashtë kjo krizë politike. Kemi sa të duash telashe të cilat janë reflektim edhe i ndryshimeve marramendëse në rrafshin ndërkombëtar, prandaj, kjo e fundit, nuk na është nevojitur. Për më shumë, pasojat e saj ende nuk i dimë, apo, ato do t’i venerojmë vetëm në të ardhmen.

Në anën tjetër, që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, dhe ngërçit politik të verës së atij viti, kemi kuptuar që faktori ndërkombëtar (para se të gjithash Ambasada e SHBA- së në Prishtinë), nuk e kanë ndërmend të bëhen hisedar në zgjidhjen e lëmshit që është ‘prodhim vendor’. Mund të na ndihmojnë (dhe këtë kanë vazhduar ta bëjnë), kur kemi punë me dikë tjetër (në radhë të parë me Serbinë), por jo kur kemi të bëjmë me vetveten. Kështu ka qenë edhe kësaj here. Dhe kjo nuk na ka befasuar fare.

Tek e mbrapa, pos apeleve që i kanë drejtuar të gjithë politikanëve të vendit, që sa më parë të krijohen institucionet e pushtetit qendror, diplomatët perëndimorë nuk kanë mundur të ofrojnë asgjë më shumë. Nuk është në dorën e tyre kjo punë.

Mësimi tjetër që kësaj radhe do të duhej të nxirrej a të kuptohej prej faktorit të brendshëm politik është që nuk munden obligimet, detyrimet dhe përgjegjësitë e tij t’i barten apo t’i transmetohen gjyqësisë kosovare, cilado qoftë ajo: Gjykata Kushtetuese apo Gjykata Supreme.

Nuk ka gjykatë në Kosovë e cila do të mund të luajë rolin e ndërmjetësuesit politik apo të arbitrit politik, i cili do t’i shërbejë skenës politike për t’ia treguar rrugën kah duhet ecur që të tejkalohet një krizë parlamentare (çfarë është kjo e jona), dhe që të përmbyllet procesi zgjedhor në mënyrën më normale të mundshme, me krijimin e pushtetit qendror.

Qytetarët zaten i dhënë mandatin politikanëve për të udhëhequr me Kuvendin, Qeverinë (dhe Presidencën), e jo për të ngecur në themelimin e këtyre institucioneve. Gjyqësia këtu, në këto raste, luan rolin e shërbimit emergjent mjekësor, që mos të lë një pacient/ skenën politike në këtë rast, të kolapsojë plotësisht. Kaq është detyra e gjyqësisë: Të pengojë që politika t’i bëjë gabimet që bien ndesh me Rendin kushtetues.

Por gjyqësia nuk ka mundësi të merret dot me atë matematikën pas-elektorale, e cila është absolutisht e domosdoshme për ta bërë shumicën kualitative e cila më pas çelë udhë për të gjitha veprimet e kërkuara në politikë.

Çfarë kemi parë më së shumti muajve të fundit në këtë politikën tonë është pikërisht refuzimi për ta kuptuar këtë ‘shkencën matematikore’, që njeh numra me vlerë politike, dhe pa të cilët nuk ka si të ecet para në ndërmarrjen e funksionalizimit të pushtetit qendror.

Mund të kemi zgjedhje të reja sa të duash (dhe ato janë të pashmangshme, siç po shihet çdo ditë gjithnjë e më shumë), por nëse nuk do të ketë reflektim të mirëfilltë në skenën politike të vendit, nuk do të jetë aspak befasi nëse edhe pas votimeve të reja, (pos nëse nuk do të ketë rezultat të pastër, me një shumicë bindëse parlamentare), do t’i kthehemi gjendjes së sotme, dhe do të konstatojmë që po na bie me harru!

lajme të ngjashme