30 vjet nga “Daytoni”, Paçarizi: Mospërfshirja e Kosovës ishte pritur me dëshpërim në atë kohë (VIDEO) NULL NULL 21.08.2025 21:35 21.08.2025 21:35 Opinionisti Rrahman Paçarizi ka deklaruar se, përveçse si një injorim i Kosovës në konferencën e Daytonit, brenda vendit kishte pasur edhe interpretime të tjera, sipas të cilave kjo kishte ardhur si pasojë e refuzimit të klasës politike të atëhershme për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë. “Mospërfshirja e Kosovës në Dayton ishte pritur me dëshpërim në atë kohë, kryesisht nga shumica e njerëzve, dhe ishte interpretuar si një lënie pas dore e Kosovës nga aleatët ndërkombëtarë, të cilët kishin investuar shumë. Madje, ishte interpretuar edhe si pasojë e refuzimit të klasës politike të atëhershme të Kosovës, të prirë nga Ibrahim Rugova, për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë, pasi u kërkohej të merrnin pjesë për ta demokratizuar Serbinë,” tha Paçarizi në emisionin Rubikon në Klan Kosova. Paçarizi po ashtu theksoi se Kosova përfitoi nga kjo situatë, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur ta merrnin nën përkujdesje, për ta larguar përfundimisht nga Serbia, njofton Klankosova.tv. “Mirëpo, nga perspektiva e sotme del që ka qenë një situatë e menduar mirë. SHBA-të kishin vendosur ta merrnin Kosovën nën kujdesin e tyre, ta shtynin përpara dhe ta largonin përfundimisht nga Serbia. Një element tjetër është se kjo konferencë ishte organizuar për të ndaluar luftërat, ndërkohë që në Kosovë nuk kishte luftë. Lufta zhvillohej në Bosnjë, dhe aty ishin të përfshira Serbia, Kroacia dhe forcat boshnjake në atë kohë. Prandaj nuk kishte nevojë që Kosova të ishte pjesë e një konference të tillë, sepse do të rrezikonte të bartte në kurriz të vet pasojat e lëshimeve që i bëheshin Millosheviqit në atë kohë,” tha Paçarizi. /Klankosova.tv