Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Cakolli: S’ka rëndësi çfarë veprimesh kishte bërë paraprakisht Agoni – ai vdiq në duart e shtetit

NULL NULL
08.07.2025 22:15

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës në lidhje me rastin e 27-vjeçarit në Lipjan, tha se nuk ka rëndësi aspak se çfarë veprimesh kishte bërë ai paraprakisht.

Cakolli u shpreh se është tejet e ulët përpjekja për t’i dhënë ngjarjes një drejtim të tillë, siç u shpreh ai, duke fyer viktimën dhe përbaltur imazhin e tij.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se, para së gjithash, Agon Zejnullahu ka vdekur në duart e shtetit.

“Hiç, asnjë pikë rëndësie nuk ka se çfarë veprimesh kishte bërë paraprakisht Agon Zejnullahu. As nëse kishte qenë nën ndikimin e alkoolit apo ndonjë substance tjetër. Është tejet e ulët dhe e neveritshme — veçanërisht nga Policia, por edhe nga disa individë të paturpshëm — të përpiqen t’i japin ngjarjes një drejtim të tillë, duke fyer viktimën dhe përbaltur imazhin e tij. Agoni ka vdekur, para së gjithash, në duart e shtetit”.

“Brutaliteti policor, edhe sipas videos, është i qartë. Vendosja e gjurit ose peshës mbi qafën dhe shpinën e një personi të shtrirë përtokë është një recetë e njohur për vdekje. Kjo nuk është vetëm një praktikë e ndaluar, por edhe një shenjë e qartë e mosdijes dhe mosnjerezillëkut. Në momentin që ai ndaloi së rezistuari, detyra e policëve ishte ta mbronin — jo ta shtypnin deri në mbytje.

“Kjo nuk është as hera e parë, as e vetmja. Sidomos kohët e fundit po shohim një kapadaillëk të qartë të Policisë, me policë që e kanë dhunën zgjidhje të parë, shpesh edhe të vetme. Një polici që fatkeqësisht është treguar së fundi gjithnjë e më e dhunshme, kudo dhe kurdo që i është dhënë mundësia”, u shpreh ai.

Cakolli tha se tashmë veçse ka filluar përpjekja e disave për të na shitur pallavra të tipit “kjo polici është ajo që merret me strukturat kriminale në veri”, por sipas tij, kjo s’ka asnjë lidhje.

“Sukseset e policisë në veri nuk e justifikojnë mbytjen e një qytetari diku tjetër. Një narrativë e tillë duhet të refuzohet nga opinioni publik. Për sa i përket përgjegjësisë politike, edhe pse Qeveria është në detyrë dhe ish-ministrat kanë dhënë dorëheqje prej kohësh, kjo nuk mund të mbyllet këtu. Nëse për çdo sukses të policisë thyejnë këmbët për të dalë para kamerave dhe për të marrë meritat, pse nuk del askush të marrë përgjegjësi kur ndodh një tragjedi si kjo?”

“Ky shtet nuk ka dy polici apo dy ministri të Punëve të Brendshme — një që kujdeset për veriun dhe një tjetër për pjesën tjetër të vendit. Ka vetëm një, andaj edhe përgjegjësia është e pandashme. Shteti nuk matet me fjalë, por me mënyrën si sillet me qytetarët, sidomos me të pambrojturit. Sot ka dështuar. Nesër duhet të përgjigjet”, ka shkruar tutje Cakolli./Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.