Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

A vdiq Agon Zejnullahu në duart e Policisë? Për vrasje nga pakujdesia parashihet dënim deri në 5 vjet burgim

NULL NULL
08.07.2025 12:12

Vrasje nga pakujdesia dyshohet se ishte rasti i 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan. Pesë zyrtarë policorë, në mesin e të cilëve edhe një rreshter po hetohen për këtë incident. Ata u suspenduan dhe u ndaluan për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Prishtinë do të ushtrojë kërkesën për masën e sigurisë dhe pritet të konfirmohet nëse vepra do të cilësohet si ‘Vrasje nga pakujdesia’, raporton Klankosova.tv.

Ibrahim Nela, rreshter në Stacionin Policor Lipjan, Liridon Rrahmani, Artidon Konxheli dhe Albian Raktoceri, zyrtarë policorë të këtij stacioni, si dhe Endrit Beqiri, zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj, rrezikojnë paraburgimit.

Nëse do të hetohen për këtë vepër, si e parasheh dënimin Kodi Penal i Republikës së Kosovës?

Sipas nenit 175, kushdo që e privon nga jeta personin tjetër nga pakujdesia, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Si parashihet përgjegjësia penale?

Kryesi i veprës penale është penalisht përgjegjës nëse është mendërisht i aftë dhe veprën penale e ka kryer me dashje apo nga pakujdesia, ndërsa dijenia, dashja, pakujdesia ose qëllimi i kërkuar si element i veprës penale mund të nxirret nga rrethanat faktike.

Sipas Kodit, vepra penale mund të kryhet me pakujdesi të vetëdijshme apo të pavetëdijshme.

“Personi vepron me pakujdesi të vetëdijshme kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose të mosveprimit të tij, por me mendjelehtësi mendon se ajo nuk do të shkaktohet apo se ai do të mund ta parandalojë shkaktimin e saj.

Personi vepron me pakujdesi të pavetëdijshme kur nuk është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose mosveprimit të tij edhe pse në rrethanat dhe sipas vetive të tij personale ka mund të ishte apo do duhej të ishte i vetëdijshëm për këtë mundësi.” – thuhet në nenin 23.

Kujtojmë se deri tash, ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për këtë incident të rëndë./Klankosova.tv

Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.