Avokati Hoxha flet për rastin e të riut në Lipjan: Policia nuk është për të dhënë drejtësi në rrugë (VIDEO) NULL NULL 08.07.2025 10:16 08.07.2025 10:16 Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i brendshëm dhe avokat, ka komentuar rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut në Lipjan, duke e cilësuar ngjarjen si tronditëse dhe pamjet si shqetësuese. Në një lidhje direkte në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, Hoxha tha se pamjet nga vendi i ngjarjes lënë përshtypjen e një ndërhyrjeje që mund të ketë qenë joprofesionale nga ana e policisë. “Një pamje e shëmtuar. Në bazë të pamjeve mund të ketë një perceptim të përdorimit ndoshta jo profesional të policëve, sepse policia, me gjithë autorizimin për përdorimin e forcës, duhet në çdo rast të përmbushë tri kritere bazike: forca të jetë e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale”, theksoi ai, transmeton Klankosova.tv. Sipas Hoxhës, përdorimi i forcës nuk guxon të tejkalojë qëllimin ligjor dhe duhet të përmbajë standarde të qarta. “Policia e Kosovës nuk është e thirrur që të ndajë drejtësinë nëpër trotuare dhe nëpër udhëkryqet e rrugës së përbashkët të Republikës së Kosovës. Ata duhet t’i adresojnë shkelësit e ligjit te mekanizmat kompetentë dhe duke u sjellë në harmoni me kushtet dhe shtetin ligjor të Policisë së Kosovës”. Ai shtoi se megjithëse pamjet janë “vërtet tronditëse”, nuk duhet nxituar në gjykime pa u zbardhur rasti plotësisht. “Nuk duhet t’u hyjmë në hak zyrtarëve policorë. Pavarësisht ndjeshmërisë së rastit, duhet të presim rezultatin e hetimeve”, shtoi Hoxha. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Granti për ish-zyrtarin e komunës së Gjilanit- favor apo shkelje ligjore? (VIDEO) 37 minuta më parë