“Universiteti që dua vs. universiteti që përballoj”, sfida e studentëve në Kosovë NULL NULL nga Lendita Elshani 01.07.2025 14:06 nga Lendita Elshani 01.07.2025 14:06 Foto ilustruese Numri i studentëve në arsimin e lartë në Kosovë ka rënë këtë vit akademik në 64 mijë e 817, një ulje kjo prej më shumë se 5 mijë e 500 krahasuar me vitin paraprak. Rënia e interesimit për studime po shihet si një alarm për sistemin arsimor. Por, të gjithë ata të rinj që vendosin ta hedhin hapin e radhës për të vazhduar studimet kanë një dilemë tjetër: zgjedhjen mes universiteteve publike apo atyre private. Mbi gjysma e studentëve, mbi 56.5%, ende po mbahen me publikun. Kështu thonë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) sipas të cilave kolegjet private po fitojnë terren, me 43.5% të regjistruarve. Studentët, si nga publiku ashtu edhe nga privati, kanë treguar për Klankosova.tv pse kanë zgjedhur mes dy alternativave. Driton Demolli, student i Gjuhës Gjermane në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka thënë se ka zgjedhur publikun për disa arsye. “Unë kam zgjedhur universitetin publik sepse mendoj se është më i besueshëm dhe më i përballueshëm financiarisht. Diploma e universitetit të shtetit ka më shumë vlerë në tregun e punës dhe kjo më jep siguri për të ardhmen. Edhe pse kushtet nuk janë edhe aq të mira, besoj se përgatitja akademike është më serioze dhe kjo është ajo që më intereson më së shumti, dhe jam gëzu kur jam pranu’’, tha ai. Nga ana tjetër, e reja që zgjodhi një fakultet privat flet për kushtet dhe ambientin që posedon ai. Kam zgjedhur fakultetin privat sepse ambienti është më i përshtatshëm për mësim, me kushte moderne dhe më shumë mundësi për të mësuar edhe më shumë praktikisht. Megjithatë, presioni financiar është i madh, sepse pagesat janë të larta dhe kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë te familja ime. Nuk është e lehtë të përballosh çdo muaj shpenzimet për shkollim, por tek e fundit, investimi në shkollim ia vlen”, theksoi ajo. Krizë në arsimin e lartë Sipas njohësit të arsimit, Jonuz Salihaj, i cili foli për Klankosova.tv, kriza në arsimin e lartë është pasojë e mungesës së reformave dhe politizimit të sektorit. “Sistemi arsimor në Kosovë, në të gjitha nivelet, është në gjendje të rëndë. Kemi shumë institucione publike dhe private të arsimit të lartë, disa prej të cilave janë themeluar në kundërshtim me ligjin dhe funksionojnë më shumë si ndërmarrje komerciale sesa si qendra kërkimi dhe studimi”, vlerëson ai. Salihaj kritikon faktin që Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë asnjëherë në shqyrtim strukturën dhe rrjetin e këtyre institucioneve, ndërsa Agjencia e Akreditimit është fokusuar më shumë në letra sesa në cilësinë reale të programeve. Ai thotë se studentët shpesh bien pre e reklamave joshëse dhe zgjedhin fakultete që nuk garantojnë cilësi, duke mos pasur udhëzime të qarta apo informacion të mjaftueshëm. Njohësi i fushës së arsimit është i mendimit se universitetet publike kanë më shumë seriozitet në përgatitjen akademike të studentëve, megjithatë sfidat janë më të mëdha sesa në privat. “Studentët që zgjedhin universitetet publike përballen me mungesë laboratorësh, kabinetesh e pajisjesh. Në raste të rralla hasin edhe në profesorë që nuk përmbushin standardet profesionale”, thotë ai, duke shtuar se “Fakulteti i Mjekësisë është një përjashtim i suksesshëm, pasi diplomantët e tij kanë rezultuar të përgatitur dhe të kërkuar në vende si Gjermania apo Zvicra”. Salihaj thotë se në sektorin privat, çështja e pagesës mbetet ndër pengesat kryesore për të rinjtë që duan të ndjekin studimet në to. “Nëse zgjedhin ato private janë të sigurt se do të marrin diplomë nëse i kanë paratë, me ndonjë përjashtim”. Ai tutje këshillon se për të rinjtë që ndjekin këtë rrugë, është thelbësore të kontrollojnë nëse programet janë të akredituara dhe nëse stafi akademik është i kualifikuar. “Është shumë e rëndësishme që të përzgjedhin lëmenjtë deficitare si profilet teknike, inxhinieria, teknologjia informatike, teknologjia e ushqimit dhe profilet tjera deficitare për të cilat Kosova ka nevojë, pra, posedon treg pune”, u shpreh Salihaj./Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.