Oficerja e FSK-së, gruaja e parë ndërkombëtare që diplomohet në “Ranger School” të SHBA-së NULL NULL 30.06.2025 10:10 30.06.2025 10:10 Oficerja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Nëntoger Vesa Ibrahimi, ka hyrë në histori duke u bërë gruaja e parë ndërkombëtare që ka përfunduar me sukses trajnimin elitar ushtarak “Ranger School” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky kurs, siç thuhet, një nga më sfiduesit në ushtrinë amerikane, është i njohur për standardet e larta dhe sfidat ekstreme fizike, mendore e emocionale që u vendos pjesëmarrësve, transmeton Klankosova.tv. “Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit përgatiten për të udhëhequr operacione komplekse në terrene dhe kushte të ndryshme taktike, duke përfshirë misione pritëse, patrullime të gjata dhe planifikim të detajuar në nivel togu. Stërvitja kryhet me mbështetje minimale logjistike, me mungesë gjumi, ngarkesë të vazhdueshme fizike dhe presion psikologjik të lartë – me qëllim të zhvillimit të qëndrueshmërisë dhe vendimmarrjes nën stres. Trajnimi realizohet në standarde të barabarta për të dyja gjinitë, ku të gjithë pjesëmarrësit, pa përjashtim, përballen me të njëjtat kritere dhe sfida. Pas përfundimit me sukses të kursit, ushtarakët që diplomohen si Ranger konsiderohen të aftë të udhëheqin operacione në kushte ekstreme – në çdo klimë, terren apo situatë luftarake dhe të shërbejnë si liderë të besueshëm në strukturat e tyre. ”Në këtë cikël diplomimi, nga 148 pjesëmarrës që përfunduan me sukses kursin, vetëm 3 ishin femra”, shkruhet tutje në njoftimin e FSK-së në Facebook. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.