Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çka u tha në protestën e sotme të shoqërisë civile para parlamentit?

NULL NULL
27.06.2025 13:33

Organizatat e shoqërisë civile kanë protestuar sot përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në përpjekjen e 38-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Protesta erdhi si reagim ndaj bllokadës së zgjatur institucionale dhe pamundësisë për të funksionalizuar Kuvendin e Kosovës, duke pamundësuar vendimmarrjen demokratike dhe mbikëqyrjen institucionale.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përmes hulumtuesit të lartë, Naim Jakaj, kërkoi që liderët politikë të marrin përgjegjësinë kushtetuese dhe politike për t’i dhënë fund kësaj krize institucionale. Në fjalën e tij para qytetarëve dhe mediave, Jakaj theksoi se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka rikujtuar se:

“Gjykata Kushtetuese përsëriti atë që jemi duke e kërkuar për disa muaj. Marrëveshje politike për të konstituar Kuvendin. Partia e parë duhet të përmbush obligimet kushtetuese për të bërë kompromis për votimin e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve në pajtim me Kushtetutën dhe praktikat e deritanishme.”

Sipas Jakajt, kjo e drejtë për të propozuar Kryetarin e Kuvendit, që i takon grupit më të madh parlamentar, është njëkohësisht edhe një detyrim për bashkëpunim në mirëbesim me grupet e tjera parlamentare, në mënyrë që të arrihet kompromisi i domosdoshëm për funksionalizimin e Kuvendit. Ai nënvizoi se:

“Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit. Detyrimi i tillë vlen edhe për grupet tjera parlamentare kur ata propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit.”

IKD  ka rikujtuar, sipas Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe praktikës parlamentare, konstituimi i Kuvendit nuk mund të vonohet më shumë se 30 ditë nga dita e certifikimit të zgjedhjeve. Megjithatë, Jakaj theksoi me shqetësim se:

“Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur do të duhej të përfundonte seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.”

Ai paralajmëroi për pasojat e thella që kjo bllokadë po shkakton në jetën institucionale dhe ekonomike të vendit:

“Sot jemi në fund të muajit qershor, kohë kur zakonisht rishikohet buxheti i shtetit. Por sot, askush nuk mund ta bëjë këtë rishikim. Nuk kemi qeveri funksionale. Nuk kemi Kuvend funksional.”

“Kemi deputetë që ushtrojnë funksione të dyfishta dhe deputetë të cilët nuk mund t’i ushtrojnë në plotni as kompetencat e tyre kushtetuese. As nuk mund të mbikëqyrin, e as nuk kanë kë ta mbikëqyrin.”

IKD theksoi se mosfunksionimi i Kuvendit e ka izoluar Kosovën edhe nga mundësia për të përfituar fonde të rëndësishme nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian:

“Parlamentet e vendeve të rajonit kanë ratifikuar marrëveshjet për përfitimin e fondeve. Por Kuvendi i Kosovës nuk është në gjendje t’i përfitojë këto fonde.”

Në fund të fjalës së tij, Jakaj bëri thirrje të qartë për zgjim të ndërgjegjes politike:

“Koha për përgjegjësi është tani. Jo nesër. Jo kur të bindet ndonjë lider politik për arsye personale dhe elektorale. Por sot.”

“Konsenzusi politik është domosdoshmëri për të dalë nga bllokada. Momenti dhe situata globale kërkojnë pjekuri dhe përgjegjësi. Nuk ka më hapësirë për kushte e vonesa.”

Instituti i Kosovës për Drejtësi së bashku me organizatat e tjera, i ka bërë thirrje partive që të lënë anash interesat afatshkurtra dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për zhbllokimin e Kuvendit, në mënyrë që vendi të rikthehet në funksionim normal institucional dhe demokratik.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.