Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Aktgjykimi i Kushtetueses në “lojë”, shtyhet seanca shkaku i takimit të Kurtit me liderë të partive (VIDEO)

NULL NULL
27.06.2025 10:22

Kanë përfunduar konsultimet e përfaqësuesve të partive politike në Kuvendin e Kosovës.

Ata u ftuan nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, para se të nis seanca e 38-të në përpjekje për konstituimin e Kuvendit, njofton Klankosova.tv


Sot do të regjistrohet epizodi i 38-të në përpjekje për ta funksionalizuar parlamentin.

Kjo seancë mbahet një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që solli 30 ditshin si afat kohor për të obliguar deputetët e betuar të Kuvendit të Kosovës që të bëjnë konstituimin dhe zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të tij.

Edhe të mërkurën dështoi seanca në përpjekjen e 37-të për ta konstituar Kuvendin e Kosovës. E njëjta, si ato të mëhershmet dështoi me të njëjtën arsye, mosvotimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit të Kosovës, njofton Klankosova.tv.

Lëvizja Vetëvendosje po insiston me kandidaten e njëjtë për shefe të parlamentit, Albulena Haxhiun.


 12:06 – Gruda për aktgjykimin e Gjykatës: Seancat dhe votimi i fshehtë ishin në shkelje të Kushtetutës

Deputeti i betuar i Partisë Demokratike të Kosovës , Përparim Gruda ka folur në lidhje m aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se në aty precizohet që seancat që janë mbajtur kanë qenë në shkelje të Kushtetutës.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë prezice në dispozitiv të tij thotë se seancat e zhvilluara deri sot kanë qenë në shkelje të Kushtetutës, këto seanca deri sot ju e dini që i ka drejtuar Avni Dehari, Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.

Gruda njëjtë u shpreh edhe për votimin e fshehtë, duke thënë se Kushtetuesja e ka shpallur jokushtetues.

“Mund të konstatojmë se gjithçka që ka ndodhur deri sot Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar si shkelje kushtetuese nga ana e Lëvizjes Vetëvendosjes”.

“Për sa i takon votimit të fshehtë, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetues dhe e ka sqaruar në mënyrë shumë të saktë”, është shprehur ai./Klankosova.tv


11:56 – Aktgjykimi i Kushtetuesës, Tahiri: I bëjmë thirrje VV-së për reflektim mbi sjelljen në Kuvend

Deputeti i betuar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ka shënuar një momentum të ri.

Duke folur për këtë, ai i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë, siç u shpreh Tahiri, mbi sjelljen e saj në Kuvend.

“Gjykata Kushtetuese ka shënuar një momentum të ri, një momentum mbi të cilin i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të reflektojë mbi sjelljen e saj në Kuvendin e Kosovës sa i përketë konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“Tashmë është e qartë që gjatë kësaj periudhe në një mënyrë apo në një tjetër është abuzuar me rregullat parlamentare nga kryesuesi i kësaj seancë, duke na imponuar vendimin në mënyrë të jashtëligjshme, në mënyrë kundërkushtetuese një votim sa i përketë komisionit për votim të fshehur”.

“Konsiderojmë dhe shpresojmë që tashmë Lëvizja Vetëvendosje do të reflektojë dhe së bashku do të arrijmë në një kompromis që do ta nxjerrim vendin nga kjo situatë e krijuar e që në fakt ishte edhe një angazhim i madh i Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kësaj periudhe që të mbesin në propozimet e tyre”, u shpreh tutje ai./Klankosova.tv


11:50 – Bajrami: LDK do të marrë pjesë në takimin e nesërm

Deputetja e betuar e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se partia e saj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili pritet të mbahet të shtunën.

Pavarësisht kritikave për mungesën e bashkëpunimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, Bajrami tha se LDK do të jetë e pranishme në takim, njofton Klankosova.tv.

“LDK do të marrë pjesë nesër në takim, pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga VV,” deklaroi ajo.

Ajo rikujtoi se vetë Kurti nuk kishte marrë pjesë në takimin konsultativ të mbajtur pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare.

“Kurti nuk e mori mundin të marrë pjesë në takimin konsultativ me liderët e partive. Kjo flet shumë për gatishmërinë e tij për bashkëpunim,”, theksoi Bajrami.


11:36 Shtyhet seanca, shkak takimi i ftuar nga Kurti

Seanca e sotme për konstituimin e Kuvendit është shtyrë, për shkak të takimit të nesërm të liderëve politik, të ftuar nga Albin Kurti.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari njoftoi se seanca do të mbahet të dielën nga ora 11:00, përcjell Klankosova.tv.

“Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e solli dje, sot u mblodhën përfaqësuesit e subjekteve politike për një konsultë paraprake”.

“Të gjithë ishin të mendimin që seanca sot të ndërpritet, pasi të mbahet nesër takimi i liderëve politik që është ftuar nga subjekti më i madh politik, të vazhdojmë me seancën me 29.06.2025 në ora 11:00”, është shprehur Dehari.


11:25 – Ftesa e Kurtit për takim? Haradinaj tregon a do marrë pjesë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është përgjigjur lidhur me ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një takim të përbashkët që pritet të mbahet të shtunën.

Haradinaj ka deklaruar se AAK tashmë ka shprehur qëndrimet e saj për situatën aktuale dhe se nëse VV-ja ka votën është e drejtë e tyre politike, njofton Klankosova.tv.

“Ne i kemi dhënë ato mendimet tona se si mundemi me dalë nga gjendja. Nëse e ka VV votën, është e drejtë e tyre politike, nëse ju duhet e e jona, ne i kemi ato sugjerimet tona dhe i kemi thënë publikisht, nuk është veç votë kundër, është dëshira jonë për votë”, tha Haradinaj.


11:15 – Dehari fton në konsultim përfaqësuesit e partive politike para nisjes së seancës

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, para se të nis seanca e 38-të në përpjekje për konstituimin e Kuvendit, ka ftuar në konsultim përfaqësuesit e partive politike para nisjes së seancës, transmeton Klankosova.tv

“Para se të fillojmë, pas aktgjykimit të Kushtetueses, e shoh të nevojshme një konsultim paraprak”, tha Dehari.


11:11- Limaj e konfirmon pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Kurti

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka ftuar në takim të përbashkët liderët e partive politike pas aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Pak para seancës së radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në lidhje me takimin e thirrur ka folur kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Ai para gazetarëve e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në këtë takim, përcjell Klankosova.tv.

“Sigurisht që po, është në vazhdën e vizionit tim”, u shpreh tutje Limaj.


11:07 – Limaj: Porosia e Gjykatës, konstituimi i Kuvendit është tërësisht vendim i forcave politike

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj sot para seancës ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se porosia e kësaj gjykate ishte që konstituimi i Kuvendit është tërësisht vendim i forcave politike, përcjell Klankosova.tv.

“Porosia e Gjykatës ashtu siç e kam kuptuar është që konstituimi i Kuvendit është tërësisht vendim politik i forcave politike dhe i deputetëve dhe nuk mundemi ne si Gjykatë me ardh dhe me ju zgjidh, me ju bashku e me ndërtu marrëveshje politike, sepse nuk është roli i Gjykatës”.

“Pak a shumë kështu është interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, nëse interpretohet porosia”, është shprehur tutje Limaj.


11:06 – Aktgjykimi i Kushtetueses, Haradinaj: Janë pjekur kushtet për kthimin e votimit të hapur

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar para seancës së 38-të të parlamentare.

Ai ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që i jep afat 30 ditë deputetëve ta konstituojnë parlamentin.

“Në vendim është edhe kohëzgjatja që janë 30 ditë, deri më tani ka ndodhur e kundërta, në seancë, në parlament, kësaj here është ndërruar praktika e votimit, që është një precedent”

“Është tepër e rëndësishme si diçka e re që ka ndodhë është insistimi i marrjes së votës pa marrëveshje. Ajo që vlerësojmë tani si Aleancë është se janë pjekur kushtet me u kthyer praktika e votimit, e votës së hapur”, shtoi ai, njofton Klankosova.tv

11:01 – Kusari-Lila: Vetëm vizioni i qartë dhe respektimi i Kushtetutës mund të çojnë përpara vendin

Para nisjes së seancës së 38-të të Kuvendit të Kosovës, deputetja e betuar e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka folur duke theksuar nevojën për qasje konstruktive dhe vizion politik.

“Inati nuk sjell askund asnjë rezultat. Bazimi në inat, në urrejtje, në kundërshti nuk prodhon pozitivitet. Mund të ketë ndonjë efekt afatshkurtër, por vetëm vizioni i qartë, zbatimi i Kushtetutës dhe respektimi i mandateve që i kemi marrë nga qytetarët mund të sjellë rezultat pozitiv për vendin”, deklaroi Kusari-Lila.



 

 10:39 – Albulena Haxhiu: Nëse s’i marr 61 vota në votim të fshehtë, tërhiqem

Kandidatja e VV-së për kryeparalamnetare, Albulena Haxhiu, në konferencën për media që po e mban bashkë me nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufca, një ditë pasi Kushtetuesja vendosi për seancën konstituive të Kuvendit, ka deklaruar se

“E ftoj opozitën të reflektojnë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që nuk e ndalon votimin e fshehtë. Po të ishte aty, do të shkruhej. Me rastin e votimit të fshehtë, nëse unë si kandidate nuk i marr 61 vota, tërhiqem nga kandidatura.“, tha Haxhiu, transmeton Klankosova.tv

Kujtojmë se megjithatë, Kushtetuesja nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë, një nga pikat kyç të ngërçit në Kuvend./Klankosova.tv


10:34 – Deklaratat se Dehari e fshehu “votimin e fshehtësisë”, Konjufca: Lexues të dobët

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e konfirmon se nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore në propozimin për votim të fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Ai këtë e tha në një konferencë për media, të mbajtur së bashku me kandidaten e VV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, një ditë pas vendimit të Kushtetueses, njofton Klankosova.tv.

“Përmes propozimit për kryetar të fshehtë, Gjykata Kushtetuese nuk ka gjetur asnjë shkelje sa i përket votimit të fshehtë. Të gjithë ata që thonë se Avni Dehari e ka fshehur votimin për votim të fshehtë, unë mendoj se janë lexues të dobët, ose s’e kanë lexuar vendimin fare, ose e lexojnë gabimisht, ose e interpretojnë qëllimisht keq”, tha ai.

Vendimi i Gjykatës detyron deputetët që të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit jo më vonë se 30 ditë nga konstituimi i tij.


10:23 – Konjufca për aktgjykimin e Kushtetueses: Gjykata paralajmëroi, nuk është një instruksion

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe kandidatja e kësaj partie për kryeparalamnetare, Albulena Haxhiu, kanë dalë në një konferencë për media, një ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, raporton Klankosova.tv.

Konjufca tha se:

“Propozimi ynë nuk hasi në mirëkuptim dhe pikërisht qasja e tyre ishte bllokuese, sepse zgjodhën të mos e votonin zonjën Albulena Haxhiu Ne nuk i kishim automatikisht 61 vota, atëherë ne ndërmorën një seri të veprimeve tjera, duke i gjykuar si veprime që do të mund t’i ndihmonin konstituimin të Kuvendit., Njëra prej veprimeve është ftesa dy herë me radhë e Kurtit për liderët e subjekteve politike, që të krijohet një marrëveshje politike. LVV gjithmonë ka vlerësuar që nëse partitë opozitare e bllokojnë kryetarin e Kuvendit, i njëjtë reciprocitet mund të shkojë me nënkryetarët e Kuvendit. Ne propozuam t’i vendosim të gjithë në pako, për emrat që do t’i propozojmë për kryetar dhe nënkryetarë. Gjykata ka paralajmëruar, nuk është një instruksion. Obligimi për të përfunduar konstituimin e Kuvendit është i krejtve, jo vetëm i grupit që ka dalë i pari në zgjedhje”.

Kujtojmë se megjithatë, Kushtetuesja nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë, një nga pikat kyç të ngërçit në Kuvend./Klankosova.tv


Lëvizja Vetëvendosje është duke mbajtur konferencë për media pas aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Në konferencë është duke folur rreth këtij vendimi, nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca.

Ky aktgjykimi solli 30 ditshin si afat kohor për të obliguar deputetët e betuar të Kuvendit të Kosovës që të bëjnë konstituimin dhe zgjedhjen e Kryetarit dhe  nënkryetarëve të tij.

Para kësaj konference, kreu i këtij subjekti politik, Albin Kurti I ftoi në një takim të përbashkët për të shtunën liderët e partive politike.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.