Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ndërhyrjet estetike, Qenaj – Sejdiu: Krahasimi online është një ndër faktorët më toksikë për shëndetin mendor

NULL NULL
25.06.2025 21:37

“Rrjetet sociale kanë ndikim të jashtëzakonshëm. Filtrat, “influencerët” dhe modelet e idealizuara të bukurisë i ekspozojnë të rinjtë ndaj një realiteti të përpunuar, shpesh të parealizueshëm. Kjo krijon presion për të imituar një imazh që nuk është autentik, duke nxitur më shumë ndërhyrje estetike për të ndjekur “standardin” që imponohet virtualisht”.

Kështu u shpreh për Klankosova.tv, psikologia Antigona Qenaj – Sejdiu, e cila shton se krahasimi online është një ndër faktorët më toksikë për shëndetin mendor.

“Kur individët shohin përditë fytyra ‘perfekte’, fillojnë të ndiejnë pakënaqësi me veten. Kjo ndjesi mungese i shtyn drejt ndërhyrjeve jo për shkak të nevojës mjekësore, por si mënyrë për të arritur një version më të pranueshëm të vetes për sytë e të tjerëve”.

Qenaj-Sejdiu shton se në një shoqëri ku vlerësimi shpesh varet nga pamja, të rinjtë ndihen të detyruar të përshtaten për të ndier që i përkasin një shoqërie të caktuar.

“Arsyet psikologjike më të shpeshta që çojnë në ndërhyrje estetike përfshijnë: dëshirën për përmirësim të pamjes, presionin social, vetëvlerësimin e ulët, mungesën e pranimit të vetes, dhe shpesh një përpjekje për të qenë në hap me standardet e bukurisë që promovohen në rrjetet sociale. Disa të rinj e përjetojnë pamjen e jashtme si një mjet për të fituar vëmendje, dashuri, apo sukses, çka i shtyn drejt ndërhyrjeve estetike”, tha psikologia Qenaj-Sejdiu për Klankosova.tv

Ajo këshillon që para ndërhyrjeve, personat që duan t’iu nënshtrohen këtyre procedurave, të bëjnë konsultim me psikologët.

Sipas saj, psikologët kanë rol thelbësor në ndihmën për të eksploruar motivet reale pas dëshirës për ndërhyrje estetike.

“Një konsultim psikologjik do të ndihmonte në vlerësimin e gjendjes emocionale dhe motivimit real. Tek të rinjtë, kjo është edhe më e rëndësishme për shkak të ndjeshmërisë së moshës dhe zhvillimit të identitetit. Disa vende të zhvilluara tashmë e kanë të obligueshme një vlerësim psikologjik për ndërhyrje të caktuara, dhe një model i tillë do të ishte shumë i dobishëm edhe në Kosovë”, tha ajo.

“Bukuria në shiringë”: Si po rritet tregu i botoksit dhe fillerit në Kosovë?

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.