“Bukuria në shiringë”: Si po rritet tregu i botoksit dhe fillerit në Kosovë? NULL NULL 25.06.2025 21:08 25.06.2025 21:08 Ndërhyrjet estetike, aplikimi i botoksit dhe fillerëve (mbushësve) në Kosovë është shndërruar në një praktikë të kërkuar jo vetëm nga figura publike, por edhe nga qytetarët e thjeshtë të moshave të ndryshme. Këto procedura reklamohen hapur në rrjetet sociale dhe kryhen në dhjetëra klinika estetike në vend. Specialistja e radiologjisë, e cila është e certifikuar për trajtime estetike dhe procedura mjekësore, Marigona Haziri për Klankosova.tv, thotë se ndërhyrjet estetike janë bërë rutinë për shumë njerëz, bazuar në kërkesat që kanë në klinikën e saj. Haziri tha se trajtimet estetike kërkohen nga pothuajse të gjitha grupmoshat mbi 18 vjeç. Por ka një dallim rreth atyre që përdorin botox dhe atyre që përdorin filler. “Botoxin të rinjtë rreth moshës 25 e përdorin për parandalimin e rrudhave, ndërsa mosha 35+ për zbutjen e rrudhave ekzistuese”. “Kurse fillerin e kërkojnë më së shumti personat nga 20 deri në 40 vjeç – zakonisht për formësim të buzëve, korrigjim të mjekrës (jawline). Po, edhe pas moshës 45 vjeç përdoren botoxi dhe filleri – botoxi për rrudhat e thella dhe filleri për të rikthyer volumin e humbur”, tha specialistja e radiologjisë, Marigona Haziri. Sipas saj, kërkesa më e madhe e të rinjve në Kosovë është për mbushje të buzëve, por edhe për korrigjim të mjekrës e mollëzave. Nga kërkimet që ka bërë Klankosova.tv, aktualisht çmimet për këto trajtime në Kosovë janë si në vijim: Në varësi të sasisë, mbushja e buzëve me filler, Acid Hyaluronic, kushton: 55ml ka çmim 80€ e qëndrueshmëri 6-12 muaj 75ml ka çmim 120€ e qëndrueshmëri 12-18 muaj 1ml ka çmim 160€ e qëndrueshmëri deri 18 muaj Komplikimet nga botoxi dhe filleri? Doktoresha Haziri thotë se aplikimi i gabuar i botoksit dhe fillerit mund të shkaktojë komplikime serioze, ndër to edhe bllokim të enëve të gjakut. “Aplikimi i gabuar mund të shkaktojë asimetri në fytyrë, ngrirje jo natyrale e muskujve, infeksione, hematoma, apo në rastin më të rënd- bllokim i enëve te gjakut, që mund të çojë edhe në nekrozë”. “Pikërisht për këto arsye, këto trajtime duhet t’i kryejnë vetëm mjekët. Si doktoreshë, ne kemi njohuri të detajuara të anatomisë, dimë si të parandalojmë dhe trajtojmë çdo reagim të mundshëm. Sot, fatmirësisht, pacientët janë më të vetëdijshëm dhe e kuptojnë rëndësinë që këto trajtime t’ia besojnë profesionistëve të licencuar”, u shpreh ajo. Presioni social dhe ndikimi i rrjeteve sociale për ndërhyrje estetike Rrjetet sociale kanë ndikim të jashtëzakonshëm. Filtrat, “influencerët” dhe modelet e idealizuara të bukurisë i ekspozojnë të rinjtë ndaj një realiteti të përpunuar, shpesh të parealizueshëm. Kjo krijon presion për të imituar një imazh që nuk është autentik, duke nxitur më shumë ndërhyrje estetike për të ndjekur “standardin” që imponohet virtualisht. Kështu u shpreh për Klankosova.tv, psikologia Antigona Qenaj – Sejdiu, e cila shton se krahasimi online është një ndër faktorët më toksikë për shëndetin mendor. “Kur individët shohin përditë fytyra ‘perfekte’, fillojnë të ndiejnë pakënaqësi me veten. Kjo ndjesi mungese i shtyn drejt ndërhyrjeve jo për shkak të nevojës mjekësore, por si mënyrë për të arritur një version më të pranueshëm të vetes për sytë e të tjerëve”. Qenaj-Sejdiu shton se në një shoqëri ku vlerësimi shpesh varet nga pamja, të rinjtë ndihen të detyruar të përshtaten për të ndier që i përkasin një shoqërie të caktuar. “Arsyet psikologjike më të shpeshta që çojnë në ndërhyrje estetike përfshijnë: dëshirën për përmirësim të pamjes, presionin social, vetëvlerësimin e ulët, mungesën e pranimit të vetes, dhe shpesh një përpjekje për të qenë në hap me standardet e bukurisë që promovohen në rrjetet sociale. Disa të rinj e përjetojnë pamjen e jashtme si një mjet për të fituar vëmendje, dashuri, apo sukses, çka i shtyn drejt ndërhyrjeve estetike”, tha psikologia Qenaj-Sejdiu për Klankosova.tv Ajo këshillon që para ndërhyrjeve, personat që duan t’iu nënshtrohen këtyre procedurave, të bëjnë konsultim me psikologët. Sipas saj, psikologët kanë rol thelbësor në ndihmën për të eksploruar motivet reale pas dëshirës për ndërhyrje estetike. “Një konsultim psikologjik do të ndihmonte në vlerësimin e gjendjes emocionale dhe motivimit real. Tek të rinjtë, kjo është edhe më e rëndësishme për shkak të ndjeshmërisë së moshës dhe zhvillimit të identitetit. Disa vende të zhvilluara tashmë e kanë të obligueshme një vlerësim psikologjik për ndërhyrje të caktuara, dhe një model i tillë do të ishte shumë i dobishëm edhe në Kosovë”, tha ajo. Në prill të këtij viti, Kiks Kosova solli ekskluzivisht hulumtim mbi krimin që po ndodh pas dyerve të mbyllura të salloneve të bukurisë në Kosovë, ku aplikohet botox pa licencë dhe filler pa kontroll, duke rrezikuar jetë të shumë njerëzve. Po për këtë, Klankosova.tv ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë dhe Inspektoratin Shëndetësor për ligjshmërinë dhe mbikëqyrjen e shërbimeve estetike (botox, filler) në Kosovë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Shëndet Ndërhyrjet estetike, Qenaj - Sejdiu: Krahasimi online është një ndër faktorët më toksikë për shëndetin mendor 25/06/2025