“Filja nga Shkodra, nënë pa dokumente në Zubin Potok” (VIDEO) NULL NULL 25.06.2025 22:46 25.06.2025 22:46 Ka shtatë vjet që i ka vdekur burri. Megjithatë File Bishevac ka vendosur që të rrisë dy fëmijët që ka nga martesa e saj. “Në gurë me jetu, me fëmijët jetoj edhe mos me pas shtëpi”, ka thënë Bishevac për emisionin MAT në Klan Kosova. Shqiptarja File, që me prejardhje është nga Nicaj e Shalës së Shkodrës, para 17 vjetësh ishte martuar me një serb të fshatit Jabuk në Zubin Potok. Kishte dëgjuar që burrat në atë anë ishin të mirë, prandaj edhe kishte vendosur të krijonte familjen e saj qindra kilometra larg vendlindjes. “Kena ni se është vendi i mirë, njerëz të mirë, e për njatë jemi ardhë e jemi martu këtu. Vishin u martojshin vajzat këtu, na thojshin është jeta e mirë atje, thojshin janë njerëz të mirë, të dashtun, edhe na u mbush mendja qashtu”. “Më kanë thënë familja me u kthy, masi më ka vdekë burri, nuk i kam ndëgju, ju kam thënë du me i rritë fëmijët këtu, në vend të vetin. Dhe nuk i kam dëgju, sido që t’i rriti fëmijët, du me i rritë në vend të vetin”, vazhdon më tej ajo, raporton Klankosova.tv. Në fillim, ajo tregon se e pati të vështirë të komunikojë me burrin. “Me gishta (qeshë), me gishta, me dorë, si me ta thanë, kur nuk e din gjuhën vështirë e ke”, tregon Filja. Gjuhën serbe, thotë se e mësoi shpejt – ashtu si edhe traditat dhe mënyrën e jetesës në një mjedis krejt të ri për të. Por Filja rrëfen se jeta pas martesës nuk ishte ashtu siç i ishte premtuar. Fjalët e shkueses, që dikur i kishin dhënë shpresë për një të ardhme më të mirë, nuk dolën të vërteta. Përkundrazi, ajo u përball me vështirësi të shumta ekonomike dhe sociale, në një realitet që e la shpesh të ndjehej e braktisur dhe e padukshme. “Pa na kanë thanë, deri sa nuk i kemi njoftë, kemi thanë hajt se janë njerëz të mirë, kur erdhëm këtu, nuk na doli si deshtëm ne. Çka? As s’na doli pasunija si na thanë as, shpijat tash vonë ma ka goditë komuna e Serbisë, donacion, si i thonë, ma kanë goditë, se nuk kam pas as shqip, më ka ndihmu Serbia shumë. Kam shku te Kosova me lyp ndihmë, më kanë thënë nuk ke dokument dhe nuk përfiton kurrënisend”. Gazetarja: Çka s’ju ka dalë? “Nuk na ka dalë rehatja, njerëz të mirë, nuk di çka me të thanë, ndoshta edhe mundem me folë, ndoshta edhe nuk mundem, këtu shumë po pinë raki, e si kështu nuk kanë rahati shumë”, rrëfehet Bishevac për emisionin MAT. Filja, ndoshta i është penduar zgjedhjes që ka bërë dikur, por nuk është larguar. Ajo vazhdon të jetojë në fshatin Jabuk, të banuar kryesisht me serbë, sepse atje janë rritur fëmijët e saj dhe atje ndodhet jeta që ka ndërtuar ndër vite. Megjithë sfidat dhe ndjenjën e izolimit, ajo qëndron për ta – për dy fëmijët që janë arsyeja kryesore pse vazhdon të përballojë çdo ditë pa mbështetje e pa të drejta të garantuara. “Por me pas ditë si është kështu si më ka dalë, kurrë në jetë nuk isha martu këtu. Tash kam fëmijët e për tan mallin e botës nuk i jepi fëmijt”, tregon më tej ajo. Familjen e burrit thotë se nuk e ka shumë larg nga ku jeton sot, por marrëdhëniet me ta janë të ftohta dhe komunikimi është pothuajse i papërfillshëm. “Është bë kohë e keqe tash. Njerëzit nuk donë me komuniku me tjetrin, nuk donë me të pa mirë, nuk të nimojnë, nuk të afrojnë. Nuk është si familja jeme si familja e burrit tem”. “I ka dy vëllezër, një motër, nuk ju lypi ndihmë, sepse nuk kam qef me i lypë ndihmë askujt, kur të muj me i bë vetë, nuk kam qef me i lypë ndihmë kurrëkujt. Vëllezërit nashta me i pas afër nuk ju kish lypë ndihmë. Ma shumë ju lypi ndihmë kojshive sesa familjes së burrit. Se jam shqiptare e më kanë inat. Familja e burrit? Po. A nuk kanë pasë qef ata që jeni martu? Po nuk i ka pytë burri jem. Ai ka deshtë me u martu në Shqipni edhe nuk ka pytë kërkend”. “Duhet me kenë njeri i fortë për gjithçka që të ndodhë, se këto që të ndodhin t’i bjen Zoti, se nuk i bijmë na”, thotë shkodrania e martuar në Zubin Potok. Me këtë vullnet që e mban në këmbë, Filja ia del të jetojë vetëm me punën e krahut. Ajo punon çdo ditë për të siguruar të ardhurat minimale që i duhen për të mbajtur fëmijët dhe për të përballuar jetesën në kushte të vështira. “Mjelli kopshte, mjelli groshë, qepë, hudra, kastraveca, speca, tana punët e shpisë, te fmitë, te tana i bëj vetë”, tregon Bishevac. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Samiti i NATO-s në Tiranë, Hoxhaj: Shans historik që Kosova të anëtarësohet nën udhëheqjen e Trumpit 10 orë më parë
Kosova Ajvazi: Të fundosen me vetëdije qindra biznese prodhuese, a është ky qëllimi i vërtetë? 14 orë më parë
Kosova Sonte në Rubikon: Enver Hoxhaj sjell pikëpamjet mbi zhvillimet më të rëndësishme politike 16 orë më parë