Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Reuters: ShBA-ja zhvendos bombarduesit B-2 në Guam, ndërsa Trumpi shqyrton sulmet ndaj Iranit

NULL NULL
21.06.2025 23:06
Bombarduesi B-2 Spirit. Foto: AP

Shtetet e Bashkuara po zhvendosin bombarduesit strategjikë B-2 në ishullin Guam në Paqësor, konfirmuan për agjencinë Reuters dy zyrtarë amerikanë të shtunën, në kohën kur Presidenti Donald Trump po shqyrton nëse ShBA-ja duhet të përfshihet në sulmet izraelite kundër Iranit.

Nuk është e qartë nëse kjo zhvendosje ka lidhje të drejtpërdrejtë me tensionet në Lindjen e Mesme.

Bombarduesi B-2 mund të pajiset me bombën amerikane GBU-57, e njohur si “Shkatërruesi Masiv” që peshon 13,600 kilogramë dhe është projektuar për të shkatërruar objektiva që gjenden thellë nën tokë, transmeton Klankosova.tv.

Ekspertët besojnë se kjo armë mund të përdoret për të goditur programin bërthamor të Iranit, përfshirë objektin në Fordow.

Zyrtarët, që folën në kushte anonimiteti, nuk dhanë detaje të mëtejshme. Njëri prej tyre tha se nuk janë dhënë ende urdhra për avancim të mëtejmë përtej Guamit, por nuk bëri të ditur as numrin e bombarduesve që po zhvendosen.

Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Bombarduesi B-2 Spirit është një avion që u shfaq në fund të viteve 1990 në Luftën e Kosovës (1998–1999). Ka një pamje trekëndëshe shumë të dallueshme me kabinën e pilotit të integruar në krah. Megjithatë, është shumë i shtrenjtë për t’u prodhuar: mesatarisht 1.7 miliard euro.

Ekspertët dhe zyrtarët po ndjekin me vëmendje nëse bombarduesit B-2 do të zhvendosen më tej drejt bazës ushtarake amerikano-britanike në ishullin Diego Garcia në Oqeanin Indian. Sipas tyre, kjo bazë ka pozicion strategjik ideal për operacione në Lindjen e Mesme.

Deri muajin e kaluar, ShBA-ja kishte të stacionuar bombarduesit B-2 në Diego Garcia, të cilët më pas u zëvendësuan nga bombarduesit B-52.

Izraeli njoftoi të shtunën se ka vrarë një komandant iranian me përvojë gjatë shkëmbimeve të sulmeve ajrore që po zgjasin prej më shumë se një jave, ndërsa Teherani deklaroi se nuk do të negociojë për programin e tij bërthamor nën kërcënime, transmeton Klankosova.tv.

Izraeli pretendon se Irani është pranë zhvillimit të armëve bërthamore, ndërsa Irani këmbëngul se programi i tij ka qëllime vetëm paqësore.

Presidenti Trump ka deklaruar se do t’i duhen deri në dy javë për të vendosur nëse Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihen në konflikt në krah të Izraelit, kohë të mjaftueshme “për të parë nëse njerëzit vijnë në vete”, siç është shprehur ai.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi e para këtë javë për zhvendosjen e një numri të madh avionësh cisternë drejt Evropës, si dhe për dërgimin e mjeteve të tjera ushtarake në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe avionë luftarakë shtesë.

Ndërkohë, një aeroplanmbajtëse amerikane nga rajoni Indo-Paqësor është nisur drejt Lindjes së Mesme. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.