Me festë muzikore, FemArt mbyll sonte edicionin e 13-të NULL NULL 21.06.2025 08:31 21.06.2025 08:31 Edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste FemArt do të përmbyllet këtë të shtunë me plot aktivitete që lidhen me paqen, fuqizimin, kujdesin për veten dhe festën e muzikës. Pas gjashtë ditësh intensive me performanca, diskutime, ekspozita dhe bashkëveprime frymëzuese, dita përmbyllëse e FemArt 13 përçon mesazhin e çlirimit të mendjes e shpirtit. Më poshtë i gjeni aktivitetet përmbyllëse të këtij festivali: “ÇLIROJE MENDJEN – Piknik, Paqe & Prezencë” (10:00 – 14:00 | Parku i Qytetit) Në zemër të natyrës, FemArt fillon ditën me një piknik gjithëpërfshirës. Katër stacione të ndara për fëmijë, të rinj, të rritur dhe gra në moshë madhore ofrojnë hapësira për krijim artistik, reflektim emocional dhe shëndet mendor përmes artit, teatrit, yogës dhe aktiviteteve kolektive. Performanca nga World Dance Kosova mbyll këtë aktivitet me lëvizje që nxisin bashkim dhe liri shpirtërore. “Një Dhomë për Veten” – Ngjarje Aktiviste (17:00 – 19:00 | Hamami i Qytetit) Të rejat pjesëmarrëse të Shkollës Pranverore Feministe prezantojnë punën e tyre në një ngjarje që ndërthur poezinë, shkrimin dhe bashkëbisedimin. Nën temën “Gjenealogjia e Grave” dhe përmes diskutimit “Çliroje Veten nga Barra – Lidhuni”, ky aktivitet shndërron kujtimin në rezistencë dhe murin në vend bashkimi. Një përvojë intime që bën bashkë historinë personale dhe kujtesën kolektive. Mbrëmja Përmbyllëse: Koncerti i TENTATIVE dhe ZWADA (20:00 – 21:30 | Hani i 2 Robertëve, Prishtinë) FemArt bashkë me Ambasadën Franceze dhe Institutin Francez në Kosovë, sjell Fête de la Musique 2025 me një koncert të veçantë. Publiku do të ketë mundësi të përjetojë një performancë elektrizuese nga TENTATIVE, grupi francez që sfidon realitetin me tinguj post-punk elektro, në një përzierje të fuqishme arti, muzike dhe rezistence. Albumi i tyre debutues STATUE MOI mishëron ankthin dhe shpresën e brezit digjital, me një estetikë që provokon dhe çliron. Koncerti hapet nga ZWADA, projekti muzikor i kantautores nga Prishtina, Suada Abazi, që sjell tinguj të ndjeshëm të lo-fi pop-it dhe një atmosferë intime, të afërt me zemrën dhe mendjen. Ndeja Përmbyllëse në Bubble Pub me DJ Erleta Kadrija (22:00) Festa do të vazhdojë në Bubble Pub, ku DJ Erleta Kadrija e Prishtinës ndez atmosferën me një përzierje të zgjedhur R&B, pop dhe dance. Një përshëndetje energjike për fundin e një jave që përqafoi artin, aktivizmin dhe shëndetin mendor. FemArt 13 mbyllet me një frymë kolektive rezistence, qartësie dhe krijimtarie – duke lënë pas kujtime të paharrueshme dhe një thirrje të fuqishme për barazi, drejtësi, shëndet mendor dhe dashuri. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.