Kosova shënon Ditën e Refugjatëve, kujtohen përjetimet gjatë luftës NULL NULL 20.06.2025 11:52 20.06.2025 11:52 Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në bashkëpunim me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), shënoi të premten Ditën Botërore të Refugjatëve me moton “Solidaritet me Refugjatët”, duke bërë thirrje për mbështetje më të madhe për ata që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, për shkak të konflikteve dhe përndjekjeve. Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, theksoi se kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi vuajtjet, por edhe dinjitetin e atyre që kanë humbur gjithçka. “Shtëpitë e tyre, vendlindjet, të afërmit për të kërkuar një jetë më të denjë dhe më të sigurt në Kosovë. Kjo ditë nuk është vetëm një kujtesë për dhimbjet që përjetojnë refugjatët dhe personat e zhvendosur me forcë, kjo ditë është një thirrje për solidaritet dhe veprim. Mundësi për të rindërtuar një jetë të re në Kosovë”, tha Rushiti. Ajo rikujtoi edhe përvojën e Kosovës me refugjatët në vitet e luftës. “Dita e sotme na prek thellë dhe na rikthen në kujtimet tona si komb. Pothuajse gjysma e popullatës tonë ka përjetuar se çka do të thotë të jesh refugjat. Mijëra kosovarë në vitet e errëta të historisë sonë u detyruan t’i lënë vatrat e tyre për të gjetur mbrojtje në vende fqinje dhe më larg. Përvoja jonë si refugjatë nuk është vetëm kujtim i hidhur, por është edhe një pjesë e identitetit tonë kolektiv, një përvojë që na bën edhe më të ndjeshëm dhe më të përgjegjshëm për të reaguar, vepruar dhe ofruar shërbime adekuate të gjithë atyre që i qasen Kosovës si një vend më i sigurt”, tha ajo. Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u ndal te dimensioni global i krizës së refugjatëve, duke theksuar se mbi 120 milionë njerëz në botë sot nuk i kanë të garantuara as të drejtat minimale për të jetuar në vendbanimet e tyre. “Një pjesë e madhe e jona e kemi përjetuar vetë një situatë të tillë. Pra, të qenët refugjat është një prej ndjesive më të vështira dhe që nuk është zgjedhje e jona, por është një veprim i imponuar, një detyrim, një nevojë urgjente për të arritur me shpëtuar jetën për të qenë gjallë. E çdo qenie e gjallë duhet që të trajtohet me dinjitet”, tha ai. Qelaj bëri të ditur se institucioni i tij ka pranuar ankesa nga persona të zhvendosur dhe ka intervenuar në mbrojtjen e të drejtave të tyre. “Kemi edhe sfida dhe ne i marrim si detyrë që të punojmë më shumë. Institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmëri që secilit person, si refugjat, t’i ofrohen të gjitha garancitë për respektimin e standardeve minimale. Kam pranuar ankesa nga personat e zhvendosur, i kemi trajtuar ato dhe në çdo rast kemi arritur që t’i dalim në ndihmë refugjatëve që të fitojnë të drejtat e tyre”, tha ai. Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Arnhild Spence, theksoi progresin e bërë në Kosovë për çështjen e refugjatëve, por paralajmëroi se sfidat mbeten të mëdha. “Që nga viti 2000, mbi 29,000 persona të zhvendosur nga komunitetet joshumicë kanë gjetur zgjidhje të qëndrueshme në Kosovë. Kjo është me të vërtetë një arritje e madhe, por çështja e zhvendosjes në Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën nuk ka përfunduar ende”, tha ai. Spence theksoi se mbi 15,000 persona të zhvendosur brenda Kosovës kanë ende nevojë për zgjidhje të qëndrueshme, ndërsa më shumë se 70,000 kosovarë jetojnë në vendet fqinje pa pasur mundësi kthimi. “Është e rëndësishme për ta, për dinjitetin e tyre, për rindërtimin e jetës së tyre. Është gjithashtu e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo. Arjun Shrestha, shef i Misionit të UNHCR-it në Kosovë, foli për sfidat globale që po përkeqësojnë gjendjen e refugjatëve, përfshirë krizën financiare dhe ristrukturimin e operacioneve. “Gjatë këtij viti të fundit, sfidat me të cilat përballen refugjatët vetëm janë intensifikuar. Me rritjen e nevojave globale dhe një krizë të thelluar të financimit, operacionet e UNHCR-it, përfshirë edhe këtu në Kosovë, po kalojnë në një proces ristrukturimi. Megjithatë, përkushtimi ynë mbetet i palëkundur për të mbështetur, mbrojtur dhe qëndruar në solidaritet me ata që janë zhvendosur”, tha ai. Shrestha vuri theksin te rëndësia e shëndetit mendor si një aspekt shpesh i anashkaluar i mbrojtjes së refugjatëve. “Trauma e zhvendosjes, pasiguria e mërgimit dhe dhimbja e ndarjes nga shtëpia dhe të dashurit lënë gjurmë të thella psikologjike. Refugjatët dhe migrantët kanë shumë më shumë gjasa se pjesa tjetër e popullsisë të përjetojnë probleme të shëndetit mendor. Mbështetja për shëndetin mendor dhe atë psikosocial nuk është opsionale. Ajo është thelbësore. Është një pjesë thelbësore e mandatit të mbrojtjes së UNHCR-it dhe duhet të integrohet në çdo aspekt të përgjigjes sonë ndaj refugjatëve”, tha ai. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Buzhala: Kushtetuesja brenda një jave del me vendim për votimin e fshehtë (VIDEO) 19 orë më parë
Kosova Mehmetaj, Kurtit: Je rrënues i kuvendit – nomadi i vetëm je ti, edhe literalisht 20 orë më parë