“Arrestimet e kosovarëve nga Serbia bëhen për të na dëmtuar – të bëjmë presion diplomatik” NULL NULL nga Liridona Gashi 20.06.2025 14:58 nga Liridona Gashi 20.06.2025 14:58 Ish-zyrtarin e Njësisë Speciale Operative (NjSO), Arbnor Spahiu, 7 qershori e gjeti të arrestuar nga Serbia në kufirin e Horgoshit, duke hyrë nga Hungaria. Pas një ndalimi dy ditor, të njëjtit iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji në Serbi. Arianit Koci, avokat i Arbnor Spahiut, konfirmoi për Klankosova.tv se klienti i tij është akuzuar nga Serbia për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” në Banjskë, në rastin e ndodhur më 24 shtator të vitit 2023, ndonëse në atë kohë i njëjti nuk ka punuar fare në polici. Në agresionin e Banjskës, një grup terrorist serb sulmoi zyrtarët e Policisë së Kosovës, nga ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe tre terroristë serbë. Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, për Klankosova.tv deklaroi se arrestimet e kosovarëve nga pala serbe bëhen për të vetmen arsye: për ta dëmtuar Kosovën, institucionet e saja, “për ta provokuar situatën që ne të tejkalojmë vijën e kuqe në çdo variant”. “Pra, arsyeja e vetme është kjo”, deklaroi ai. Arifi tha se këto arrestime janë kidnapime, duke theksuar se institucionet kosovare duhet që të kenë konsistencë në presionin e tyre diplomatik që rastet e tilla më të mos përsëriten. “Institucionet e Kosovës po e kanë një problem, nuk po mësojnë nga historia dhe nga e kaluara, apo nga rastet e tilla që kanë ndodhur. Ky është kidnapim, është kidnapim i qytetarëve të Kosovës nga institucionet serbe. Pra, ne do të duhej në mënyrë permanente, 24 orë të bëjmë presion diplomatik. Sidomos te Bashkimi Evropian që këto raste më mos të përsëriten, por edhe të dënohen personat që kanë shkelur ligjin dhe rregulloret ndërkombëtare për kidnapimin e qytetarëve të Kosovës”. “Duhet të kemi një koherencë permanente të veprimeve tona diplomatike derisa të vetëdijesohet edhe Bashkimi Evropian, edhe Serbia që nuk mund të kidnapohen qytetarët kosovarë. Nëse ka dyshime, janë institucionet e Kosovës që duhet të lajmërohen për raste të tilla nëse ka diçka kriminale në secilin rast”, potencoi ai. Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare deklaroi se kalimi i shtetasve të Kosovës nëpër Serbi është gjithmonë me rrezikshmëri të lartë. “Kjo për shkak se dy gjëra janë: është një shtet fashist, pra nuk është larguar nga e kaluara kriminale, dhe një shtet ku nuk funksionon seriozisht sundimi i ligjit dhe drejtësia është në nivele shumë të ulëta. Këto janë argumente të mjaftueshme që udhëtimi nëpër Serbi në çdo variant paraqet një rrezikshmëri, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të tjerët, në këtë rast shqiptarët janë target që atakohen më shumë nga institucionet serbe”, u shpreh Arifi. Analisti politik Avni Arifi, tha se institucionet e Kosovës duhet të rrisin nivelin e komunikimit me diasporën dhe të sqarojnë se mundësitë për lirimin e tyre janë të kufizuara. “Praktikisht, nëse dikush arrestohet, e vetmja mundësi është të kërkohet prej vendeve aleate të ndihmojnë në lirimin e tyre”. “Kjo çështje është problematike dhe nuk mundet tani të ngrihet në nivel dialogu sepse s’kemi qeveri legjitime. Megjithatë, në secilën instancë duhet të ngrihet”, deklaroi Arifi. A mund të jenë deportimet e fundit të serbëve nga Kosova si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të ish-policit nga Serbia? Ministria e Punëve të Brendshme, më 14 qershor njoftoi se Nikolla Vujoviqit i ishte tërhequr shtetësia e Kosovës pasi i njëjti ishte punësuar në inteligjencën e Policisë së Serbisë. Për pasojë, ai ishte dërguar në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj në Prishtinë në pritje për deportim, teksa po atë ditë i njëjti edhe ishte dëbuar për në Serbi. Klan Kosova raportoi se më 14 qershor u deportuan edhe dy serbë të tjerë. Profesori Dritëro Arifi tha se deportimet e fundit të serbëve nuk lidhen drejtpërdrejtë medoemos me arrestimin e ish-policit Arbnor Spahiu. Sipas tij, këto zhvillime kanë të bëjnë më shumë me një proces hetimor që është bërë ndaj personave për një kohë të gjatë dhe është vendosur në bazë të fakteve se ka një rrezikshmëri të lartë për sigurinë nacionale. “Por gjithsesi kjo do të duhej të bëhej ndoshta më ndryshe që ata do të duhej të arrestoheshin dhe të dënoheshin për veprat që i kanë bërë apo çfarëdo forme që është, por sidoqoftë vlerësimi që është bërë, ka ardhë deri në një konkludim dhe ne duhet t’u besojmë institucioneve tona, të cilat janë në nivel shumë më të lartë se institucionet e disa vendeve të rajonit”, tha Arifi. BE-ja dhe Gjermania reagojnë për deportimin e serbëve Nga 14 qershori e deri më sot, institucionet e Kosovës kanë dëbuar pesë pjesëtarë të MPB-së serbe. Për këtë kanë reaguar nga Bashkimit Evropian. Një zëdhënës i këtij institucioni tha se masat si heqja e shtetësisë apo dëbimi, në rastin e pjesëtarëve të MPB-së së Serbisë që jetojnë në Kosovë, është dashur të jenë masat e fundit dhe të ndërmerren vetëm pas një procesi ligjor. Për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së tha gjithashtu se masat për heqje të shtetësisë apo dëbimit duhet të jenë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në veçanti me kërkesën që është në nenin 8, i cili kërkon një vlerësim individual të bazuar në dëshmi, i cili balancon sigurinë kombëtare me jetën private dhe familjare të personit. “Po i ndjekim me kujdes arrestimet dhe dëbimet. I kemi kërkuar autoriteteve të Kosovës të sigurojnë një proces të drejtë, të respektojnë standardet e të drejtave themelore dhe të garantojnë mjete juridike për personat e prekur”, u tha në përgjigjen e dërguar nga BE-ja. Dëbimi i pjesëtarëve të MPB-së serbe nga Kosova, të cilët jetonin në Kosovë, u bë me arsyetimin se “përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare”. Edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë beson se vendimet e ndjeshme, të tilla si heqja e shtetësisë dhe dëbimi, duhet të merren në përputhje me të gjitha dispozitat ligjore, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. “Të prekurve (nga vendime të tilla) duhet t’iu ofrohet qasje e plotë në këshilla dhe mjete ligjore”, ka deklaruar Ambasada gjermane në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë, duke komentuar vendimin e autoriteteve të Kosovës për t’i dëbuar katër anëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët jetojnë në Kosovë, gjatë fundjavës. Ambasada gjermane ka thënë se për këtë çështje ka diskutuar me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe se “ambasada po monitoron nga afër zhvillimet në këto raste”. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Renovimi i Teatrit mund të shtyhet përtej shtatorit / Çka thonë nga kompania "Limit Project"? (VIDEO) 3 orë më parë