BE për dëbimin e policëve serbë nga Kosova: Kjo duhej të ishte masa e fundit NULL NULL 19.06.2025 14:34 19.06.2025 14:34 Bashkimi Evropian. Foto: Arkiv (Radio Evropa e Lirë) Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se masat si heqja e shtetësisë apo dëbimi, në rastin e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë që jetojnë në Kosovë, është dashur të jenë masat e fundit dhe të ndërmerren vetëm pas një procesi ligjor. Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së tha gjithashtu se masat për heqje të shtetësisë apo dëbimit duhet të jenë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në veçanti me kërkesën që është në nenin 8, i cili kërkon një vlerësim individual të bazuar në dëshmi, i cili balancon sigurinë kombëtare me jetën private dhe familjare të personit. “Po i ndjekim me kujdes arrestimet dhe dëbimet. I kemi kërkuar autoriteteve të Kosovës të sigurojnë një proces të drejtë, të respektojnë standardet e të drejtave themelore dhe të garantojnë mjete juridike për personat e prekur”, u tha në përgjigjen e dërguar nga BE-ja. Autoritetet e Kosovës, që nga 15 qershori, kanë dëbuar pesë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët jetonin në Kosovë, me arsyetimin se “përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare”. Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, më herët ka bërë të ditur se vendimin për heqjen e shtetësisë e ka marrë mbi bazën e Ligjit për shtetësinë, akteve nënligjore dhe rekomandimeve të institucioneve përkatëse. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.