Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Burime të Klan Kosovës nga Administrata Trump: “Nuk i vendosen kushte një miku që të ndihmon” – Reagim i fortë ndaj deklaratës së Kurtit

NULL NULL
17.06.2025 13:40

Deklarata e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, pas fjalëve të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për rikthimin në dialogun Kosovë–Serbi, ka shkaktuar reagime të forta në qarqet më të larta të Shtëpisë së Bardhë.

Burime të sigurta të Klan Kosovës nga brenda administratës Trump konfirmojnë se toni dhe përmbajtja e deklaratës së Kurtit janë pritur me zhgënjim dhe habi, pasi janë interpretuar si vendosje kushtesh ndaj një aleati që po shpreh gatishmëri për të ndihmuar Kosovën në një moment kyç diplomatik.

“Nuk i vendoset kushte një miku që po të zgjat dorën për të ndihmuar. Kjo mënyrë e të komunikuarit publikisht nuk përkon me frymën e partneritetit që SHBA dhe Kosova kanë ndërtuar prej më shumë se dy dekadash,” ka deklaruar për Klan Kosovën një zyrtar i lartë amerikan.

Presidenti Trump, në një deklaratë në platformën Truth Social, kujtoi angazhimin e tij në ndalimin e një konflikti të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij të parë, duke theksuar se është i gatshëm të riangazhohet për paqen në rajon. Në vend të një reagimi mirëpritës, Kurti deklaroi se jane disa kushte paraprakisht: Serbia duhet të dorëzojë Milan Radojçiqin, të nënshkruajë marrëveshjen bazike me aneksin e zbatimit, dhe të tërheqë deklaraten e ish-kryeministres Brnabiq që mohon integritetin territorial të Kosovës — përpara se të mund të ketë normalizim.

Këto kushte publike, të vendosura në kontekst të përgjigjes ndaj vetë Presidentit të Shteteve të Bashkuara, janë perceptuar në Shtëpinë e Bardhë si mungesë mirënjohjeje dhe mungesë diplomacie.

“Kur je në krizë dhe një mik të vjen në ndihmë, nuk i thua ‘vetëm nëse i plotëson këto kushte’. Kjo nuk është mënyra si funksionon diplomacia mes miqve – është mënyra si vihen në rrezik marrëdhëniet,” thekson burimi tjetër brenda administratës amerikane, transmeton Klankosova.tv

SHBA ka qenë aleati më i rëndësishëm historik i Kosovës, duke ofruar mbështetje në çlirimin, pavarësi, ndërtimin e institucioneve, anëtarësim ndërkombëtar dhe siguri ushtarake përmes pranisë së trupave ushtarake amrikane ne Kosovë ne kuader të NATO-s. Një komunikim i tillë publik nga ana e Kryeministrit Kurti është parë si i panevojshëm dhe i dëmshëm, në një moment kur administrata e re Trump po sinjalizon interes të ripërtërirë për Ballkanin dhe po konsideron riaktivizimin diplomatik në dialogun Kosovë–Serbi.

Burimet nga Washingtoni shtojnë se SHBA mbetet e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon, por kërkon partneritet të sinqertë dhe qasje konstruktive, jo fjalor publik që vë në pikëpyetje vullnetin e mirë të një aleati./Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.