Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Menaxhonte me financat e Mossadit në Turqi, kërkohet 35 vjet burgim për Liridon Rexhepin

NULL NULL
16.06.2025 12:09

Më 3 shtator të vitit të kaluar, Liridon Rexhepi, u arrestua në Stamboll si I dyshuar për spiunazh.

Ai u identifikua si kreu i rrjetit të financave të Mossad-it (shërbimit sekret izraelit) në Turqi.

Sot, mediat turke raportojnë se ndaj Rexhepit është kërkuar 35 vjet burgim, transmeton Klankosova.tv.

Bazuar në aktakuzën e pëgatitur nga Zyra e Hetimit të Krimeve Terroriste të Kryeprokurorisë Publike të Stambollit,  ai kishte hyrë Rexhepi në Turqi nëpërmjet Aeroportit të Antalyas më 24 gusht 2024.

Si rezultat i punës së koordinuar midis Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT) dhe Departamentit të Antiterrorit të Policisë së Stambollit, Rexhepi është ndaluar më 30 gusht, derisa u arrestua më 3 shtator.

Në aktakuzë theksohet se Rexhepi vepronte si arka e Shërbimit të Inteligjencës Izraelite, ndërsa thuhet se i pandehuri ka realizuar transferta parash me individë vendas dhe të huaj që ishin të përcaktuar se punonin për MOSSAD-in dhe të cilët po ndiqeshin nga Zyra e Kryeprokurorit Publik për krimin e “spiunazhit”, dhe se këto transferta ishin bërë me qëllim të marrjes së informacionit të inteligjencës, shkruan Anadolu Agency transmeton Klankosova.tv.

Aktakuza theksoi se Rexhepi, në bashkëpunim me MOSSAD-in, u përfshi në aktivitete “spiunazhi” duke përdorur dronë që bënin fotografi dhe video të zonave ku jetonin disa shtetas palestinezë që jetonin në Stamboll.

Sipas kësaj aktakuze në aktet e incizimit, Rexhepi ka bashkëpunuar me shtetasin turk Yıldıray Boztepe.

Tutje, thuhet se i pandehuri Boztepe e mori kërkesën për pamjet nga një person i paidentifikuar i quajtur “Abdullah” në mesazhet në telefonin e tij celular, dhe se kishte gjetje të inteligjencës që tregonin se ky person punonte për MOSSAD-in dhe se ai përdorte emra të ndryshëm çdo herë.

Aktakuza thotë se Boztepe kishte bërë pazare për një pagesë në këmbim të vendeve të xhirimit ku ndodheshin qytetarët palestinezë, të cilët kishin gjetur strehim në Turqi për shkak të sulmeve të nisura nga Izraeli kundër Palestinës, dhe të cilët përgjithësisht jetonin rreth Büyükçekmece dhe Başakşehir të Stambollit.

Në aktakuzë, thuhet se përmbajtja e mesazhit të Boztepe përfshinte biseda rreth mënyrës së qasjes në pikat e sigurisë të vendeve ku u kryen incizimet, statusin e kateve dhe informacionin e adresave të njerëzve në ato kate.

Më tej në aktakuzë, thuhej se pas incizimeve në fjalë, të pandehurit Boztepe i janë transferuar para nga persona me emrin “Ardit Jusufi” dhe “Festim Jusufi” në emër të të pandehurit Liridon Rexhepi, dhe ishte regjistruar se Boztepe ka kryer krimin e “spiunazhit” duke vepruar së bashku me Rexhepin dhe një person të paidentifikuar me emrin “Abdullah”.

I pandehuri Boztepe, deklarata e të cilit u përfshi në aktakuzë, tha se ishte i përfshirë profesionalisht në xhirimin e videove dhe fotografive me dron, dhe se në vitin 2020, një person me emrin Abdullah e kontaktoi nga një linjë telefonike e huaj dhe i kërkoi të xhironte pamje të një parcele toke.

Boztepe tregoi se e pranoi kërkesën sepse fitonte para përmes incizimeve, se më vonë kishte rënë dakord me këtë person për incizim disa herë të tjera, se tarifa për të cilën kishin rënë dakord ishte dërguar nga persona të ndryshëm nëpërmjet “Western Union” dhe se nuk i dyshonte këta persona sepse mendonte se po punonin me “Abdullahun”.

Ai gjithashtu pretendoi se nuk kishte lidhje me personat e huaj që i dërgonin para dhe se nuk i njihte këta persona.

Aktakuza kërkonte që të pandehurit, Liridon Rexhepi dhe Yıldıray Boztepe, të dënoheshin me nga 18 vjet e 9 muaj deri në 35 vjet burg për “spiunazh të njëpasnjëshëm politik ose ushtarak”.

Gjykimi i të pandehurve do të fillojë në ditët në vijim brenda fushëveprimit të aktakuzës së pranuar nga Gjykata e Lartë Penale.

Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.