LIVE| Valë e re raketash iraniane teksa agon mëngjesi në Tel Aviv NULL NULL 13.06.2025 16:20 13.06.2025 16:20 7:21 – Pasojat e sulmeve hakmarrëse me raketa të Iranit në Tel Aviv (FOTO) Forcat iraniane lëshuan disa valë raketash drejt Izraelit gjatë natës. Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit thanë se shënjestruan qendrat ushtarake dhe bazat ajrore izraelite, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv Ushtria izraelite pretendoi se ka ndërhyrë në disa nga valët e fundit të raketave iraniane, por ka raportime për njerëz të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave. Derisa, sulmet hakmarrëse të Iranit kanë vrarë të paktën dy persona, thanë autoritetet izraelite. Një person u vra dhe më shumë se 20 u plagosën pasi një raketë iraniane goditi pranë shtëpive në Rishon Lezion, pak në jug të Tel Avivit. Ekipet izraelite të shpëtimit në vendin ku një raketë balistike iraniane goditi disa ndërtesa banimi Kurse, në Iran, të paktën 78 persona u vranë në sulmet izraelite, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë, tha të premten i dërguari i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani. Më shumë se 320 persona u plagosën, shumica prej tyre civilë. 7:00 – Valë e re raketash iraniane teksa agon mëngjesi në Tel Aviv Kanë kaluar pak më shumë se 24 orë që kur Izraeli nisi një sulm masiv me dy drejtime kundër Iranit, që synonte shkatërrimin e centraleve bërthamore të vendit dhe rrëzimin e udhëheqjes së tij ushtarake në Teheran. Irani, i cili u zotua për një “përgjigje shkatërruese” ndaj sulmit, nisi disa valë sulmesh vdekjeprurëse kundër vendeve në të gjithë Izraelin gjatë natës deri të shtunën, me të dyja palët që raportuan vdekje dhe plagosje të shumta. Sirenat u dëgjuan në Izrael deri të shtunën në mëngjes dhe shpërthime u raportuan në Tel Aviv, Jerusalem dhe Teheran, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit rrezikon ta fusë Lindjen e Mesme në një luftë më të gjerë. 06:58 – Izraeli vazhdon sulmet ndaj Iranit Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftojnë se po vazhdojnë sulmet ajrore ndaj objektivave në Iran. Në një deklaratë të shkurtër të postuar në Telegram, IDF shkroi se “Forcat Ajrore Izraelite vazhdojnë të godasin objektiva në Iran”. Komentet u postuan së bashku me një video që tregonte pamje nga sulmet ajrore. Kjo vjen më shumë se 24 orë pas sulmit fillestar të Izraelit në bazat ushtarake të Iranit, i cili vrau tre komandantë ushtarakë iranianë, sipas IDF, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv Që atëherë, Irani ka nisur sulme me raketa ndaj Izraelit deri të shtunën në mëngjes. 23:48 – Zyrtari izraelit: Netanyahu dhe Katz janë në një bunker duke vlerësuar situatën Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz janë brenda një bunkeri. Kështu ka thënë një zyrtar izraelit për CNN-in duke thënë se ata janë duke kryer një vlerësim të situatës pas sulmeve të Iranit, transmeton Klankosova.tv. “Disa ministra dhe krerë të mbrojtjes izraelite po marrin pjesë gjithashtu në diskutim”, tha tutje zyrtari. 22:43 – Ushtria izraelite mohon raportimet iraniane për kapjen e një piloteje Pas raportimeve nga disa media iraniane se një pilote izraelite është kapur, ushtria izraelite ka thënë se kjo nuk është e vërtetë. Një raport nga agjencia e lajmeve “Tasnim” e Iranit thotë se mbrojtja ajrore e vendit ka rrëzuar dy avionë luftarakë izraelitë dhe “piloti i njërit prej këtyre avionëve luftarakë, e cila është një grua, është kapur”. Avichay Adraee, një zëdhënës për Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), thotë: “Raportime të rreme iraniane. Ky lajm që përhapet nga media iraniane është plotësisht i pabazuar”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv. 22:42 – 17 të lënduar nga sulmet iraniane ndaj Izraelit Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Avichay Adraee, ka thënë se Irani ka lëshuar më pak se 100 raketa. Si pasojë e sulmeve, CNN shkruan se 17 persona kanë pësuar lëndime, teksa 40 të tjerë po trajtohen në spitalet izraelite, ku dy persona janë në gjendje kritike. Lëndimet përfshijnë dëmtime nga copëza xhami, ngufatje nga tymi dhe tronditje psikologjike, transmeton Klankosova.tv. Izraeli bëri të ditur se Amerika bashkë me disa aleatë të tjerë i ka ndihmuar që t’i zmbraps raketat iraniane. 22:31 – Netanyahu: Ka akoma, regjimi nuk e di se çfarë e ka goditur Duke iu drejtuar popullit iranian drejtpërdrejt, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i bëri thirrje civilëve të “ngrihen dhe të lënë zërat e tyre të dëgjohen”. Ai u shpreh se lufta e Izraelit nuk është kundër tyre, por kundër qeverisë iraniane, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv. “Ka akoma. Regjimi nuk e di çfarë e ka goditur, apo çfarë do ta godasë. Nuk ka qenë kurrë më i dobët,” tha Netanyahu. Ai pretendoi se Izraeli ka shkatërruar objektin më të rëndësishëm të pasurimit bërthamor të Iranit, një “pjesë të madhe” të arsenalit të raketave balistike, komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë të lartë bërthamorë gjatë ditës së fundit. 22:24 – Ushtria izraelite: Më pak se 100 raketa u lëshuan nga Irani Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë se më pak se 100 raketa balistike u lëshuan nga Irani përmes dy breshërive. Effie Defrin tha se shumica e raketave u kapën nga mbrojtja ajrore ose nuk arritën të arrinin në vend, raporton Sky News, transmeton Klankosova.tv. Mjekët kanë raportuar se gjithsej 40 persona po trajtohen në spitalet izraelite. 21: 54- CNN: Sulmet e Iranit, Amerika i ndihmoi Izraelit në shkatërrimin e raketave Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ndihmuar Izraelit në shkatërrimin e raketave iraniane, pasi Irani iu kundërpërgjigj Izraelit me sulme. Dy burime izraelite i kanë thënë CNN-it se përveç Shteteve të Bashkuara, Izraelit i dolën në ndihmë edhe vende të tjera të rajonit, në mënyrë të ngjashme me ndihmën që kishin ofruar gjatë sulmeve të mëparshme iraniane, transmeton Klankosova.tv. Kujtojmë se në prill të vitit 2024, Irani lëshoi rreth 170 dronë dhe mbi 120 raketa balistike drejt Izraelit, por 99% e tyre u kapën nga sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore dhe partnerët e saj, sipas ushtrisë izraelite. 21:39 – Izraeli thotë se Irani “kaloi vijat e kuqe”: Sulmoi hapësirat civile Irani i është kundërpërgjigjur Izraelit duke e sulmuar dhe duke goditur dhjetëra objektiva, qendra ushtarake dhe baza ajrore izraelite. Në lidhje me sulmet iraniane ka reaguar ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, duke thënë se Irani ka kaluar vijat e kuqe, duke lëshuar raketa në vende të banuara nga popullsia civile. “Irani ka kaluar vijat e kuqe. Ka lëshuar raketa në hapësira të banuara nga popullsia civile. Irani do të paguajë çmim të rëndë për veprimet e tij”, tha ai, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv. Nga sulmet e Iranit, Izraeli ka bërë të ditur se së paku shtatë persona kanë mbetur të plagosur. 20:34 – Ushtria izraelite thotë se Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit Ushtria izraelite thotë se Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit pak kohë më parë dhe se sistemet e saj mbrojtëse po punojnë për të ndaluar kërcënimin. Qytetarëve iu është thënë të hyjë në strehimore deri në njoftim të mëtejshëm, shton deklarata, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv. 20:22 – Izraeli thotë se ka shkatërruar infrastrukturën bërthamore në Isfahan Izraeli tha se ka shkatërruar objektin bërthamor të Isfahanit në Iran. Aeroplanët e Forcave Ajrore sulmuan vendin bërthamor, ku zhvillohet procesi i rikonvertimit të uraniumit të pasuruar, sipas Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF). Në një deklaratë, shtohet se kjo është faza tjetër në procesin e prodhimit të armëve bërthamore, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv. IDF thotë se ka “shkatërruar një objekt për prodhimin e uraniumit metalik, infrastrukturën për konvertimin e uraniumit të pasuruar, laboratorët dhe infrastrukturën shtesë”. 19:39 – Qytetarëve izraelitë u është thënë të minimizojnë lëvizjen dhe të shmangin grumbullimet Është raportuar që janë dëgjuar sirena në Jerusalem, derisa ushtria izraelite tha se një raketë ishte lëshuar drejt vendit nga Jemeni. Në një përditësim të ri, Forcat Mbrojtëse izraelite thonë se banorëve në të gjithë Izraelin u është udhëzuar të qëndrojnë pranë hapësirave të mbrojtura dhe të minimizojnë lëvizjen në zonat e hapura, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv. Gjithashtu u bërë thirrje edhe që të shmangen grumbullimet dhe nëse lëshohet një alarm, njerëzit duhet të shkojnë në një hapësirë të mbrojtur derisa të jepet një përditësim zyrtar. 19:17 – Ushtria izraelite thotë se një raketë është lëshuar drejt Izraelit nga Jemeni Sistemi i alarmit të sulmeve ajrore të Jerusalemit u aktivizua pak kohë më parë, por që atëherë është çaktivizuar, sipas sistemit zyrtar të alarmit të kuq të vendit. Kjo vjen pasi ushtria izraelite raportoi se kishte identifikuar lëshimin e një rakete nga Jemeni drejt Izraelit. Ata tani po “operojnë për të kapur kërcënimin”, shtohet në një deklaratë nga IDF-ja. Në një postim në Telegram, policia izraelite thotë: “Policia e Qarkut të Jerusalemit është e përgatitur të kryejë skanime për të gjetur zonat ku kanë rënë armët”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv. 19:11 – Netanyahu: Trumpit i kemi treguar paraprakisht për sulmin ndaj Iranit Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli ishte në koordinim me Shtetet e Bashkuara përpara sulmit ndaj Iranit. Netanyahu tha se Trumpi ishte në dijeni të sulmit, teksa tha se veprimet e Shteteve të Bashkuara, janë në dorë të presidentit amerikan. “Ne u kemi treguar atyre paraprakisht, ata e dinin për sulmin. Çfarë do të bëjnë ata tani, ia lë në dorë Presidentit Trump – ai i merr vendimet e tij në mënyrë të pavarur” “Nuk do të flas në emër të tij. Ai flet me bindje dhe vendosmëri dhe ka thënë se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, nuk duhet të ketë kapacitete për pasurim”, tha Netanyahu, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se nuk ka pasur asnjë përfshirje apo ndihmë nga SHBA-ja në sulmet izraelite. 18:55 – Ministri i Jashtëm iranian: Izraeli do të pendohet për agresionin e tij të pamatur Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka thënë se Izraeli do të pendohet thellë për agresionin e tij të pamatur. Abbas Araghchi bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe gjithashtu i bëri thirrje këtij organi të “dënojë këtë akt agresioni”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv. “Sulmi ndaj Iranit ishte një akt i paligjshëm si dhe një përshkallëzim i pamatur dhe i qëllimshëm që shkeli në mënyrë flagrante kartën e Kombeve të Bashkuara dhe normat më themelore të së drejtës ndërkombëtare”, shkroi Araghchi. “Izraeli tani ka kaluar çdo vijë të kuqe dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që këto krime të mbeten të pandëshkuara”, thuhej tutje në letër. 18:40 – Iraku i kërkon Iranit të vazhdojë bisedimet me SHBA-në pas sulmit izraelit Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri i Irakut, Fuad Hussein i kërkoi Iranit të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të Izraelit ndaj Iranit. Kështu është bërë e ditur përmes një deklarate të lëshuar nga Ministria e Jashtme e Irakut, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv. “Ministri Hussein shprehu solidaritetin e Irakut me qeverinë dhe popullin iranian në përballjen me këtë përshkallëzim të rrezikshëm”, thuhet në deklaratë. Hussein “i kërkoi palës iraniane të vazhdojë të ndjekë dialogun me Shtetet e Bashkuara përmes ndërmjetësimit të Omanit, në mënyrë që të arrijë zgjidhje që do të ndihmonin në uljen e tensioneve dhe rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”. 18:36 – Izraeli nis një valë të re sulmesh ndaj Iranit pasi goditi bazat bërthamore dhe ushtarake Ushtria izraelite thotë se “vazhdon të godasë” objektivat ushtarake iraniane pasi kreu një valë sulmesh ndaj Iranit gjatë natës. Forcat Ajrore Izraelite thonë në një postim në X se po vazhdojnë “të sulmojnë lansuesit e raketave dhe infrastrukturën” në Iran, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv. Gjithashtu, ka pasur qytetarë që thonë se kanë dëgjuar shpërthime në Teheranin perëndimor, si dhe në pjesë të tjera të qytetit. Ndërkohë, televizioni shtetëror nuk ka raportuar për videot e reja që kanë qarkulluar dhe që tregojnë sulmet e supozuara. Në vend të kësaj, mediat kanë ftuar zyrtarë iranianë njëri pas tjetrit, secili prej të cilëve është betuar për hakmarrje ndaj Izraelit. Në sulmet e natës, Izraeli shënjestroi bazat bërthamore dhe ushtarake, si dhe ndërtesat e banimit të zyrtarëve iranianë. 17:42 – Ministri i Jashtëm izraelit: Lufta e Iranit kundër Izraelit filloi me sulmet e 7 tetorit Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar është shprehur se sulmi Iranit ishte i nevojshëm për të “larguar nga Izraeli kërcënimin e shfarosjes”. Saar tha gjithashtu se ka folur me një numër homologësh të tij ndërkombëtarë, përfshirë ministrat e jashtëm nga India, Gjermania, Franca, Italia, Hungaria, Paraguai, Panamaja dhe Qiproja, si dhe Bashkimi Evropian, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv. “Në situata të tilla, vendimmarrësit duhet të pyesin veten jo vetëm se cilat do të jenë fitimet dhe kostot e veprimit ushtarak, por edhe cila do të jetë kostoja e mosveprimit. Në këtë rast: vendosja e Izraelit në rrezik shfarosjeje”, vazhdoi ai. “Ne tashmë kemi arritje të rëndësishme në operacionin e guximshëm dhe mbresëlënës të IDF në Iran. Këto duhet të thellohen”, ka shkruar ai në Facebook. 17:18 – Anulohen fluturimet Tiranë-Tel Aviv, mbyllet edhe ambasada në Tiranë Ambasada e Izraelit në Shqipëri ka bërë të ditur se të gjitha misionet izraelite në të gjithë botën do të mbyllen dhe shërbimet konsullore nuk do të ofrohen. Top Channel ka bërë të ditur se pas përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme, janë anuluar fluturimet mes Shqipërisë dhe Izraelit. Në një njoftim të lëshuar për media ka kërkuar nga izraelitët në mbarë botën të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet si më poshtë: Një formular online është i disponueshëm për izraelitët jashtë vendit për të raportuar vendndodhjen dhe statusin e tyre aktual. Ju lutemi plotësojeni atë për të ndihmuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të qëndrojë e përditësuar. Në rast emergjence ose fatkeqësie, kontaktoni menjëherë Dhomën e Situatave të Ministrisë. Kontrolloni rekomandimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për vendin ku ndodheni aktualisht, si dhe udhëzimet e përgjithshme të sigurisë për izraelitët jashtë vendit: a. Shmangni shfaqjen e simboleve hebraike ose izraelite në hapësirat publike. b. Përmbahuni nga postimi i detajeve të identifikueshme në lidhje me vendndodhjen tuaj ose planet e udhëtimit në mediat sociale. c. Shmangni pjesëmarrjen në tubime të mëdha ose ngjarje të lidhura me Izraelin ose komunitetet hebraike. d. Bashkëpunoni me forcat lokale të sigurisë dhe ndiqni udhëzimet e tyre menjëherë nëse ekspozoheni ndaj aktivitetit armiqësor. e. Qëndroni shumë vigjilentë në vendet publike. f. Në rast emergjence, kontaktoni misionin në vendin e banimit duke përdorur numrat e emergjencës që shfaqen në faqen “Na Kontaktoni”. 17:02 – Ushtria izraelite thotë se po vazhdon të godasë objektiva në Iran Forcat Mbrojtëse të Izraelit thonë se “vazhdojnë të sulmojnë objektiva në territorin iranian”. Izraeli filloi të kryejë një valë sulmesh ndaj Iranit gjatë natës, me IDF-në që tha se kishte në shënjestër lokacionet bërthamore dhe shefat ushtarakë. Shefi i Gardës Revolucionare Hossein Salami dhe figura të tjera të larta ushtarake janë vrarë, konfirmuan IDF-ja dhe Irani, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv. Irani thotë se gjashtë shkencëtarë janë vrarë, me mediat shtetërore që raportojnë se civilë, përfshirë fëmijë, janë midis të vdekurve – kjo nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. 17:01 – Britania, Franca dhe Gjermania rikonfirmojnë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje: Të ketë zgjidhje diplomatike Liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë kanë folur këtë mëngjes pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit. Zyra e kryeministrit britanik tha se liderët folën për shqetësimet e kahershme dhe serioze për programin bërthamor të Iranit, teksa rikonfirmuan të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. “Liderët diskutuan shqetësimet e kahershme dhe serioze për programin bërthamor të Iranit, dhe u bënë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejshëm që mund të destabilizojë edhe më shumë rajonin”. “Liderët rikonfirmuan të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe ranë dakord që një zgjidhje diplomatike, dhe jo veprimi ushtarak, është rruga përpara”, thuhet në deklaratë, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv. Nga sulmet izraelite në orët e para të së premtes kanë mbetur të vrarë tri “kokat” e ushtrisë iraniane. 16:52 – Netanyahu do të zhvillojë telefonata me Trumpin, Starmerin dhe Putinin Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të flasë sot me presidentin e ShBA-së Donald Trump, sipas një deklarate të postuar në llogarinë zyrtare X. Aty shtohet se udhëheqësi izraelit ka folur tashmë me kancelarin e Gjermanisë, kryeministrin e Indisë dhe presidentin francez. Ai do të telefonojë gjithashtu presidentin rus Vladimir Putin dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv. 16:47 – Ish-këshilltari i DASH-it: Irani s’ka zgjidhje tjetër veçse të hakmerret Ish-këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe eksperti i politikës së jashtme amerikane, Vali Nasr, ka thënë se Irani s’ka zgjidhje tjetër veçse të hakmerret ndaj sulmeve të Izraelit. Nasr tha se nëse sulmi izraelit ishte taktikë për ta sjellë Iranin në tryezën e negociatave, sipas tij, një gjë e tillë është e pamundur të funksionojë. “Trump e keqkuptoi Iranin dhe tani në vend të bisedimeve, do të shohim përdorimin e armëve si mjet negocimi”. “Nëse nuk përgjigjet, do të humbasë çdo besueshmëri, do të shihet si i dobët dhe izraelitët nuk do të ndalen”, tha Nasr, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv. Uashingtoni prej kohësh ka kërkuar të kufizojë kapacitetin bërthamor të Teheranit, me negociatat e fundit në Romë muajin e kaluar që përfunduan pa ndonjë marrëveshje. Një rund i gjashtë i bisedimeve SHBA-Iran ishte planifikuar për të dielën në Oman por nuk është e qartë nëse do të mbahet. 16:39 – Lindjen e Mesme mëngjesi e gjeti me sulmet e Izraelit ndaj Iranit Mëngjesi i sotëm në Lindjen e Mesme nisi me sulme të Izraelit ndaj Iranit. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se Izraeli ka goditur objektivat bërthamore në Iran, duke bërë të ditur se oeracioni do të vazhdojë për shumë ditë. Sipas tij, Irani kishte një program për të zhvilluar armë bërthamore, duke paraqitur një rrezik të qartë dhe të pranishëm për vetë mbijetesën e Izraelit. Në Izrael, banorët u zgjuan nga sirenat e sulmeve ajrore pothuajse në të njëjtën kohë dhe morën alarme telefonike emergjente. Ushtria izraelite tha se kishte goditur “dhjetëra objektiva ushtarake, duke përfshirë objektiva bërthamore në zona të ndryshme të Iranit”. Ndërsa orë më vonë, kreu i agjencisë globale mbikëqyrëse bërthamore konfirmoi se vendi kryesor i pasurimit bërthamor të Iranit në Natanz u godit nga sulmet izraelite në orët e para të së premtes. Në një postim në X, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se po “monitoronte nga afër situatën thellësisht shqetësuese në Iran”, shkruan BBC, transmeton Klanksova.tv. Një zëdhënës i forcave të armatosura të Iranit ka thënë se SHBA-të dhe Izraeli do të paguajnë një “çmim të rëndë” për sulmet, sipas Reuters. “Forcat e armatosura me siguri do t’i përgjigjen këtij sulmi sionist”, tha zëdhënësi iranian, Abolfazl Shekarchi. Forcat izraelite kanë vrarë tre ‘kokat’ e ushtrisë së Teheranit, prej tyre është komandanti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Gjeneralmajor Hossein Salami ishte një nga njerëzit më të fuqishëm në Iran, duke raportuar drejtpërdrejt te Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Tjetri është Mohammad Bagheri, i cili shërbente si shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, e cila thuhet se përbëhet nga më shumë se 500,000 trupa aktive. Po ashtu, u vra edhe Ali Shamkhani, një nga ndihmësit më të afërt të Ajatollah Khameneit dhe përfaqësoi Teheranin në bisedimet që çuan në marrëveshjen historike për rikthimin e marrëdhënieve diplomatike me Arabinë Saudite. Për të gjitha zhvillimet ka reaguar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili i ka bërë thirrje Iranit që të arrijë një marrëveshje për programin e tij bërthamor, duke deklaruar se “i ka dhënë Teheranit shans pas shansi”. Bisedimet mes ShBA-së dhe Iranit për një marrëveshje pritet të hyjnë në raundin e gjashtë këtë të diel. Trumpi deklaroi gjithashtu se ishte në dijeni për planet e Izraelit përpara se të ndërmerrte sulmet ajrore gjatë natës, por theksoi se ushtria amerikane nuk kishte asnjë rol në këtë operacion. Kurse, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të premten për të diskutuar situatën e fundit me sulmet e Izraelit mbi Iranin, kanë thënë diplomatët. Takimi mbahet me kërkesën e Teheranit. E ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael ka këshilluar të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen atje të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta, transmeton Klankosova.tv Luten të gjithë që të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit, të cilat gjenden në linkun: https://www.oref.org.il/eng Për çdo pyetje apo nevojë për ndihmë, mund të kontaktoni Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael në numrin: +972 (0) 586 340 450./Klankosova.tv 16:20 – Çfarë dihet për sulmet e Izraelit ndaj centraleve bërthamore të Iranit dhe komandantëve ushtarakë? Izraeli nisi sulme në të gjithë Iranin të premten, duke thënë se ato kishin në shënjestër “zemrën” e programit bërthamor të Iranit. Sulmet vranë Hossein Salami, shefin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, një degë e fuqishme e forcave të armatosura të vendit, figura të tjera të larta ushtarake dhe disa shkencëtarë bërthamorë. Civilë, përfshirë fëmijë, ishin gjithashtu midis të vrarëve, raportoi media shtetërore iraniane. BBC nuk është në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur këto raporte. Ushtria izraelite tha se Irani nisi rreth 100 dronë drejt Izraelit të premten në mëngjes, të cilët Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se po i kapnin. Në Izrael është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Kur dhe ku ndodhën sulmet? Shpërthime u raportuan në kryeqytetin e Iranit, Teheran, rreth orës 03:30 sipas orës locale. Televizioni shtetëror iranian tha se zonat banesore në Teheran u goditën, me shpërthime që u dëgjuan edhe në verilindje të kryeqytetit. Në Izrael, banorët u zgjuan nga sirenat e sulmeve ajrore pothuajse në të njëjtën kohë dhe morën alarme telefonike emergjente. Ushtria izraelite tha se kishte goditur “dhjetëra objektiva ushtarake, duke përfshirë objektiva bërthamore në zona të ndryshme të Iranit”. Disa orë pas sulmeve fillestare, u raportua një shpërthim në impiantin bërthamor të Natanzit, i cili ndodhet rreth 225 kilometra në jug të kryeqytetit, sipas mediave shtetërore iraniane. IDF më vonë konfirmoi se kishte goditur vendin dhe tha se sulmi i saj kishte rezultuar në dëme të konsiderueshme. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), mbikëqyrësi global bërthamor, tha se ishte informuar nga autoritetet iraniane se nuk ka pasur rritje të niveleve të rrezatimit në impiantin e Natanzit. Kreu i IAEA-së, Rafael Grossi, tha se impiantet bërthamore “nuk duhet të sulmohen kurrë” dhe sulme të tilla kanë “implikime serioze për sigurinë, mbrojtjen dhe mbrojtjet bërthamore, si dhe paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”. Në një deklaratë drejtuar anëtarëve të bordit, ai u bëri thirrje “të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm”, duke thënë se “çdo veprim ushtarak që rrezikon sigurinë e objekteve bërthamore rrezikon pasoja të rënda për popullin e Iranit, rajonin dhe më gjerë”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.