Dështon sërish konstituimi i Kuvendit NULL NULL 13.06.2025 10:50 13.06.2025 10:50 Deputetët e Kuvendit në seancën e 9 qershor, 2025. Foto: Kuvendi i Kosovës 11:39 – Kuvendi dështon për të 31-tën herë, bie edhe numri i votave Kuvendi i Kosovës dështoi për të 31-tën herë të konstituojë legjislaturën e re. Flamur Gajtani, gazetar i Klan Kosovës, tha se seanca e sotme pati më së paku vota nga të gjitha tentimet e kaluara. “Kësaj radhe ishin vetëm 47 vota, ndërsa në versionin më të mirë kishte shkuar deri në 56 vota pro”, tha Gajtani. Duket se rënia e numrave pro votimit të Komisionit për votim të fshehtë ka të bëjë me periudhën e pushimeve verore. Deputetët e Listës Serbe mësohet se nuk kanë hyrë në fillim në seancë. Gajtani thotë se ata janë frikësuar se Kuvendi do të mbajë një minutë heshtje për Ditën e Çlirimit. Të njëjtit, thotë gazetari, kanë hyrë pasi kryesuesi Avni Dehari, e ka nisur seancën. 11:35 – Hyseni (LDK): Po vazhdon skenari – numri i seancave rritet, bie ai i deputetëve Ekrem Hyseni nga radhët e LDK-së, pas dështimit të seancës së 31-të konstituive tha se përsëri po vazhdon skenari që rezultatin e ka të njëjtë. “Ajo që pamë sot është vazhdimi i skenarit që rezultatin e ka të njëjtë. Rritet numri rendor i seancave, në ndërkohë bie numri i deputetëve”, u shpreh Hyseni para medieve, transmeton klankosova.tv. “Sot në propozimin e VV-së kishte vetëm 47 deputetë për, numri më i vogël ndonjëherë pas këtyre zgjedhjeve. Pra kemi një Kuvend jofunksional, një Qeveri pa legjitimitet në ndërkohë që nuk ka asnjë lëvizje që të dilet nga kjo krizë”, u shpreh ai. 11:30 – Haxhiu: Absurde qëndrimi i LDK-së që nuk shkon pa PDK-në Kandidatja për kryetare Kuvendi që nuk po i merr votat, Albulena Haxhiu është deklaruar pas dështimit të radhës për të konstituuar këtë institucion. Ajo foli për propozimin e LDK-së për formimin e një Qeverie të Unitetit, transmeton Klankosova.tvb. “Nuk e di çfarë po kërkojnë, a po kërkojnë që të gjitha partitë të jenë në qeveri bashkë? A duhet Kuvendi të ketë opozitë? Demokracia e kërkon këtë”, tha ajo. “Nuk e kuptoj insistimin e LDK-së që domodoshmërishtë ta ketë PDK-në në partneritet, pra në koalicion”, tha tutje ajo. “Insistimi i LDK-së pa PDK-në për mua është i paqartë”, u shpreh Haxhiu. 11:26 – Çitaku: S’ka definicion në gjuhën shqipe për të përshkruar absurditetin e situatës që ndodhemi Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku është deklaruar pas dështimit të 31-të për të arritur konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ajo tha se nuk ka fjalë shqip që përshkruan absurditetin e situatës së krijuar, transmeton klankosova.tv. “Fatkeqësisht mungon definicioni në gjuhën shqipe për të përshkruar absurditetin e situatës në të cilën ndodhemi. Kemi pa tash e disa muaj një shpërfaqje të shkallës së lartë të papërgjegjësisë dhe mungesës së ndjeshmërisë në raport me qytetarin”, u shpreh Çitaku. 11:21 – Deputetët dështojnë edhe sot, as 31 tentime s’u mjaftojnë për konstituim të Parlamentit Deputetët e betuar edhe sot dështuan ta konstituojnë përbërjen e re të Parlamentit. Ata u mblodhën edhe sot shkurt, por nuk gjetën zgjidhje, transmeton Klankosova.tv Seanca e radhës mbahet përsëri pas 48 orëve. 11:19 – Seanca nis, pak minuta punë për deputetët që po e mbajnë kuvendin të bllokuar Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tashmë ka nisur, transmeton Klankosova.tv Kjo është hera e 31-të për një përpjekje të tillë, ndërsa s’ka sinjale për zhbllokim të situatës. VV po insiston të vazhdojë me procesin e komisionit të fshehtë për votimin e kandidates së tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiut, ndërsa partitë e tjera ish opozitare janë kundër, duke e quajtur atë figurë përçarëse. 10:50 – Seanca nis, pak minuta punë për deputetët që po e mbajnë kuvendin të bllokuar Deputetët e betuar kanë dështuar që dhjetëra herë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Sot është hera e 31-të për një përpjekje të tillë dhe seanca është caktuar të fillojë në orën 11:00. Çështja është bllokuar te emri i kryetarit të Kuvendit dhe as këtë herë s’ka asnjë sinjal për zhbllokim të situatës. VV po insiston të vazhdojë me procesin e komisionit të fshehtë për votimin e kandidates së tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiut, ndërsa partitë e tjera ish-opozitare janë kundër, duke e quajtur atë figurë përçarëse. Zhvillimet e ditës së sotme mund t’i ndiqni LIVE në Klan Kosova. 11:21 – Haxhiu: Konstituimi i Kuvendit varet nga opozita Kandidatja për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu u deklarua para nisjes së seancës konstituive. Ajo tha se varet nga opozita konstituimi i këtij institucioni, transmeton Klankosova.tv. “Varet nga opozita, besoj se i takon opozitës, ne do të votojmë për komisionin”, u shpreh Haxhiu. 11:09 – Limaj: Pres që Abdixhiku të na e prezantojë zyrtarisht Qeverinë e Unitetit Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj ka folur për propozimin e LDK-së për formimin e një Qeverie të Unitetit. Ai thotë se nuk kanë pasur ndonjë bisedim zyrtar, megjithëse shton se është në pritje që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku t’ua prezantojë zyrtarisht, transmeton klankosova.tv. “Do të ketë shpejt marrëveshje politike”, u shpreh tutje Limaj. 11:06 – Haradinaj: Partitë më të mëdha e pranuan që s’kanë numra, s’e di cila do të jetë zgjidhja Deputeti i betuar i AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se partitë më të mëdha e kanë pranuar që s’i kanë numrat për të formuar qeveri, andaj shprehet i hutuar se si mund të ketë zgjidhje. “Iniciativa e tij për zhbllokim të situatës duhet të vlerësuar, por e thanë edhe dy liderët e partive më të mëdha ‘nuk i kemi numrat’. Pra nëse s’i kanë numrat, nuk e di se cila do të jetë zgjidhja, megjithëse duhet vlerësuar tendenca për zhbllokim”. “Megjithëse kisha thanë që duhet të reflektojë partia e parë”, tha Haradinaj. /klankosova.tv 11:03 – Musliu: Jemi lodhur, por do të vij në çdo seancë Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë se të gjithë jemi lodhur, por nuk është në dorën e saj zgjidhja e ngërçit politik. “Do ta përmbush obligimin tim qytetar që te jem prezente në çdo séancë, përderisa sa nuk varet prej Ganimete Musliu ndryshimi i këtij pozicioni ku ka mbetur kuvendi, a jemi lodhur edhe na, edhe ju edhe qytetarët, jemi lodhur, por nuk varet nga unë, nuk është në dorën time”, tha ajo. 10:56 – Reçica: Përgjegjësia është e atij që ka dalë i pari në zgjedhje Elmi Reçica nga radhët e PDK-së, ka folur para nisjes së seancës së 31-të. Ai theksoi se përgjegjësia është e atij që ka dalë i pari në zgjedhje, njofton Klankosova.tv. “A është tepruar është tepruar, a po ndihemi ne keq, unë veçanërisht po, a ka mundësi me dalë prej situatës, po, por përgjegjësia është e atij që ka dalë i pari në zgjedhje”, tha ai. 10:55 – A mori LDK-ja ndonjë përgjigje për Qeverinë e Unitetit? Flet Armend Zemaj Deputeti i betuar i LDK-së, Armend Zemaj është deklaruar pak para nisjes së seancës së Kuvendit të Kosovës. Ai u pyet rreth marrjes së ndonjë përgjigje lidhur me propozimin e LDK-së për një Qeveri të Unitetit, transmeton klankosova.tv. “Jo, ende nuk ka diçka zyrtare në këto momente”, u shpreh Zemaj. 10:48 – Brahimaj: S’e kam pa 15 pikëshin e Qeverisë së Unitetit, dje ka qenë Dita e Çlirimit Lahi Brahimaj nga AAK, është deklaruar pak para seancës së 31-të konstituive të Kuvendi të Kosovës. Ai u pyet rreth propozimit të LDK-së për Qeveri të Unitetit, ku Brahimaj tha se nuk i ka parë 15 pikat që janë shpalosur gjatë ditës së enjte. “Dje ka qenë dita e Çlirimit, jemi marr me të”, tha Brahimaj, duke uruar edhe një herë këtë ditë të rëndësishme. Ndërsa sa i përket zhbllokimit të situatës, ai kërkoi zgjidhje si nga partia fituese në zgjedhjet e 9 shkurti, ashtu edhe nga ish-opozita. Po ashtu ai tha se’ askush se ka menduar që do të provohet 31 herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Kandiq dridh Serbinë: Studentët të vendosin lule në Batajnicë, ku kishte varreza masive me shqiptarë (VIDEO) 3 orë më parë