Opera “SYRIGANA” e Petrit Halilajt, premierë në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës NULL NULL 28.05.2025 15:45 28.05.2025 15:45 Artisti i njohur ndërkombëtarisht Petrit Halilaj ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje bashkëpunimi me Filharmoninë e Kosovës, duke shënuar kështu një etapë të re në rrugëtimin e tij artistik. Ky bashkëpunim do të kulmojë me premierën botërore të operës së tij më të re, SYRIGANA, e cila do të prezantohet si një shfaqje nën qiellin e hapur, në fshatin Syriganë – vendlindja e artistit dhe inspirimi kryesor i veprës. Opera “SYRIGANA” do të jetë pjesë e programit festiv të 25-vjetorit të Filharmonisë së Kosovës dhe do të bashkojë komunitetin lokal me publikun ndërkombëtar në një ngjarje unike kulturore që përçon art, histori dhe mitologji lokale. Halilaj thotë se sipas një legjende të lashtë të trashëguar brez pas brezi, thuhet se pas largimit nga Kopshti i Edenit, Adami dhe Eva mbërritën në Syriganë për t’u martuar. Kjo narrativë shërben si bërthama rreth së cilës ndërtohet opera SYRIGANA, një vepër në pesë akte që përzien mitin me të tashmen, dhe realitetin me artin bashkëkohor të Halilajt. Opera është shkruar dhe konceptuar nga Petrit Halilaj, në bashkëpunim me Amy Zion dhe Doruntina Basha. Muzika është kompozuar nga Lugh O’Neill, me kontribut të veçantë nga Nina Guo dhe interpretohet nga Filharmonia e Kosovës dhe Banda e Dasmave e Syriganës. Koreografia është realizuar nga Robert Schulz, ndërsa skenografia mban firmën e vetë Halilajt. Dizajni i ndriçimit është krijuar nga Josep Maria Comas Jorda, dhe ngjarja është kuruar nga Catherine Nichols. Premiera do të mbahet të dielën, më 29 qershor 2025, në perëndim të diellit, në Syriganë, duke e kthyer këtë vend në një skenë të hapur natyrore ku muzika, drita dhe legjenda do të ndërthuren për të krijuar një përvojë të papërsëritshme për të pranishmit. Pas shfaqjes në Kosovë, opera “SYRIGANA” do të udhëtojë në Berlin, ku do të jetë pjesë qendrore e ekspozitës personale të Halilajt në Hamburger Bahnhof, e cila hapet më 10 shtator 2025. Filharmonia e Kosovës do të interpretojë një version të veçantë të operës në një performancë të jashtëzakonshme më 14 shtator 2025, brenda instalacionit të ekspozitës. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Artistja Xhafa-Mripa shfaq instalacionin “Mendoj për Ty” para selisë së KiE-së në Strasburg 3 days
Kosova Behramaj: Vepra e Nënë Zahides zgjati 2 muaj e gjysmë – nga djepi fillon gjithçka për ne shqiptarët 4 days