Kur 11-ta s’i sjell fat Vetëvendosjes! – Kosova sërish pa Kuvend funksional NULL NULL 05.05.2025 17:55 05.05.2025 17:55 Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës është futur në një qorrsokak politik që po zgjat më shumë se çdo parashikim fillestar. Edhe në tentativën e njëmbëdhjetë me radhë nuk pati kuorum, nuk u arrit ndonjë marrëveshje dhe mungoi tërësisht vizioni për dalje nga kriza. Deputetët, të ndarë dhe të shtyrë nga interesa partiake, po tregojnë se ndarja e pushtetit është më prioritare për ta sesa ndërtimi i shtetit. Si pasojë, është krijuar një vakuum institucional i rrezikshëm dhe një pasiguri politike që reflektohet drejtpërdrejt edhe tek qytetarët. Aktualisht, Kosova është pa Kuvend funksional, pa Kryetar të Kuvendit dhe pa ndonjë afat të qartë për zgjidhje të situatës. Në qendër të këtij bllokimi qëndroi edhe sot këmbëngulja e Lëvizjes Vetëvendosje që Albulena Haxhiu të mbetet kandidate për kryetare të Kuvendit, pavarësisht se në përpjekjet e mëparshme ajo ka dështuar të marrë shumicën parlamentare. Propozimi për ta votuar atë përmes një procesi të fshehtë votimi nuk arriti të mbledhë mbështetjen e nevojshme, duke prodhuar një tjetër dështim. Pas këtij akti, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi ndërprerjen e saj, për vazhdim pas 48 orësh, më 7 maj në ora 10:00. Liderët politikë reaguan me qëndrime të ndryshme pas kësaj situate. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi Vetëvendosjen për tentativë imponimi përmes një kandidature që nuk ka mbështetjen e deputetëve dhe tha se kjo bie ndesh me vullnetin qytetar. Ramush Haradinaj nga AAK po ashtu theksoi se VV duhet të ndryshojë kandidatin për të hapur rrugën e konstituimit, përndryshe qëndrimet e AAK-së mbeten të pandryshuara – pa votë për Albulena Haxhiun. Nga ana tjetër, Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate hodhi fajin te partitë e mëdha për krizën dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë që të lëvizin nga pozicionet e tyre dhe të arrijnë një marrëveshje, duke kritikuar edhe Albin Kurtin që po sillet sikur situata është tragjike vetëm sepse nuk ka numrat për të qeverisur i vetëm. Nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati doli në mbrojtje të Albulena Haxhiut, duke thënë se ajo është një figurë me integritet që më parë ka kundërshtuar Asociacionin, Demarkacionin dhe Gjykatën Speciale, prandaj meriton mbështetje. Kur kjo përpjekje dështoi për herë të njëmbëdhjetë, VV tregoi sinjale reflektimi. Redaksia e Klan Kosovës nxori për lexuesit një letër e cila, papritur i drejtohej kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, në të cilën Albin Kurti i lutej për një marrëveshje bashkëpunimi, duke e paraqitur LDK-në si të vetmen alternativë për bashkëqeverisje. Kjo qasje befasuese erdhi pak ditë pasi Vetëvendosje kishte tentuar të afrojë edhe PDK-në në negociata, por që ishte refuzuar pikërisht për shkak të ngulmimit në emrin e kandidatit për kryeparlamentar por dhe parimeve të tjera. Letra drejtuar Abdixhikut, nga një lider që dikur e quante LDK-në “Lodhje Dokrratike”, mori shumë vëmendje, por Albin Kurti vetë nuk pranoi të flasë për të. Ramush Haradinaj komentoi se një kërkesë e tillë për bashkëpunim duhej të ishte bërë shumë më herët, jo pas 90 ditësh bllokim. Sa i përket vetë LDK-së, ndonëse në media qarkulluan zëra se Abdixhiku po përgatiste një përgjigje, nga brenda partisë u la të kuptohej se nuk kanë ndonjë nguti për t’iu përgjigjur VV-së. Në një dalje publike, kryetari i LDK-së tha se qëndrimet e tyre tashmë janë të njohura dhe nuk kanë ndryshuar. Në përfundim, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për përgjegjësi, bashkëpunim dhe tejkalim të interesave partiake, skena politike në Kosovë mbetet e ndarë dhe joefikase për të reflektuar mbi nevojën urgjente për formimin e institucioneve. Qytetarët janë lënë në pritje të një zgjidhjeje që ende nuk duket në horizont. Dhe deri tani, kur ky artikull publikohet – LDK ende nuk ka një përgjigjie për VV-në. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Berisha: Komuniteti egjiptian ka dalur me numër rreth 2 mijë më pak në regjistrimin e popullsisë (VIDEO) 17 orë më parë