Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Haxhiu s’ia doli as sot – Kosova sërish pa Kuvend të konstituuar (VIDEO)

NULL NULL
29.04.2025 09:40

Sot për herë të gjashtë, Lëvizja Vetëvendosje dështoi në grumbullimin e votave për ta zgjedhur kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun.

Deputetja Haxhiu i mori 54 për, 44 kundër dhe 3 abstenime.

Njëlloj ka ndodhur edhe seancave të kaluara, pasi sipas Opozitës e cila në këto gjashtë seanca votoi kundër, Haxhiu nuk është figurë unifikuese.

Seanca e radhës, pra një skenar pothuajse i ngjashëm pritet të ndodhë sërish pas 48 orësh.



Haxhiu pasi dështoi edhe sot t’i sigurojë votat: “Shpresojmë në reflektim të opozitës”

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena HAxhiu, e cila dështoi edhe sot t’i sigurojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas mbylljes së seancës konstituive u prononcua shumë shkurt para gazetarëve.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të konstituohet dhe shpresojmë shumë në reflektim të opozitës”, deklaroi ajo.

Sot ishte tentativa e gjashtë me radhë për votim të Haxhiut në Kuvend.


Ironizon Berisha: Ta emërojmë ndonjë shesh me emrin e Trumpit që ndërkombëtarët të mos na harrojnë

Edhe seanca e sotme konstituive në Kuvend të Republikës së Kosovës përfundoi pa u zgjedhur kreu i këtij institucioni.

Pasi e propozuara e LVV-së, Albulena Haxhiu për të gjashtën herë nuk arriti t’i mbledhë votat e mjaftueshme, seanca u mbyll, për t’ia lënë rrugën tjetrës pas 48 orësh.

Lidhur me ngërçin në Kuvend, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka ironizuar duke thënë se “si grup parlamentar e kanë një propozim për të parin e kryeqytetit që të zgjedhë një shesh për t’ia vënë emrin e presidentit Trump”.

Kjo sipas tij, të bëhet “në mënyrë që të angazhohen dhe të mos na harrojnë miqtë tanë ndërkombëtarë, sepse ne s’jemi të zotë ta zgjedhim asnjë situatë politike në Kosovë”.


Abdixhiku mungoi sot në seancën konstituive

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku nuk ishte pjesë e seancës së sotme konstituive, e cila si rëndom ka dështuar.

Të dielën, pra para 48 orëve, në seancë mungoi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili para mediave tregoi se për shkak të përvjetorit të Masakrës së Mejës, nuk ishte prezent.

Ndërkohë, kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se mbase të enjten nuk do të shkojë në seancë për shkak të disa angazhimeve, njofton Klankosova.tv.


Dështimi i seancës konstituive, Qerimi: Tallje e radhës me qytetarët e Kosovë

Për të tetën herë me radhë ka dështuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

E këtë, në studion e Klan Kosovës, profesori i Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, Gëzim Qerimi e ka quajtur tallje e radhës me qytetarët e vendit.

“Më e pakëta është një tallje e radhës me të gjithë qytetarët e Kosovës, përgjegjësia pa asnjë diskutim pas gjitha këtyre zhvillimeve i takon Albin Kurtit si individ, por mandej edhe si subjekt i parë politik”, është shprehur ai.


Krasniqi: Koha e sundimit partiak dhe monizmit ka përfunduar

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është deklaruar pas dështimit për të tetën herë radhazi që të konstituohet parlamenti.

Ai para mediave theksoi se demokracia funksionon me shumicë jo me imponim dhe se sipas tij institucionet janë të popullit dhe nuk janë të asnjë partie të veçantë.

“Koha e sundimit një partiak dhe e monizmit ka përfunduar. Është e tepër të sillemi këtu çdo ditë”, deklaroi mes tjerash Krasniqi.

“Në emrin tim dhe të PDK-së shpreh keqardhjen më të madhe në drejtim të qytetarëve të Kosovës për këtë situatë dhe për këtë tallje që bën Lëvizja Vetëvendosje që me qëllim po e mban të bllokuar Kuvendin e Kosovës”.


Murati sërish akuzon Opozitën për bllokim të Kuvendit

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati sërish ka akuzuar Opozitën për bllokim të Kuvendit të Kosovës.

Ai në hollin e Kuvendit të Kosovës, para mediave tha se një situatë e tillë po vjen për shkak të atyre që nuk po votojnë për Haxhiun kryeparlamentare.

Ai në hollin e Kuvendit të Kosovës, para mediave tha se një situatë e tillë po vjen për shkak të atyre që nuk po votojnë për Haxhiun kryeparlamentare.

“Kemi një përsëritje të seancave ku Kuvendi dështon apo nuk arrin të konstituojë vetveten si rezultat pasi një pjesë e deputetëve refuzojnë të votojnë për Haxhiun të cilën e kemi propozuar ne si fitues të zgjedhjeve. Konsideroj që një situatë e tillë po vjen për shkak të atyre e nuk po votojnë për, dhe të njëjtin po ankohen për bllokim të Kuvendit. Bllokadë do të ishte siç kanë vepruar ata në të kaluarën”, tha ai.

“Kemi dëgjuar që deputetë individualë kanë shprehur vullnetin që të votojnë për të tejkalohet kjo bllokadë, por janë qëndrimet politike të subjekteve të tyre që nuk i lejojnë derisa i tërë grupi të ndryshojë mendim”, tha ai.

Murati poashtu është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar për zgjedhje të reja, megjithatë janë të gatshëm nëse kjo ndodh.


Limaj beson se seancat do vazhdojnë të dështojnë

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, beson se seancat konstitutive të Kuvendit të Kosovës do të vazhdojnë të dështojnë.

Ai para mediave tha se nuk është problematike që seancat thirren çdo 48 orë, por duhet të ketë një marrëveshje.

Limaj poashtu tregoi se të enjten nuk do të jetë i pranishëm në seancë për shkak të angazhimeve, njësoj siç nuk ishte i pari i LDK-së sot Lumir Abdixhiku.

Poashtu, të dielën as Ramush Haradinaj nuk ishte prezent për shkak të përvjetorit të Masakrës së Mejës.


“Telenovela” vazhdon – episoda e nëntë e Kuvendit të enjten

Për të tetën herë me radhë ka dështuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Si rëndom, Albulena Haxhiu sërish nuk u votua për Kryetare të Kuvendit, njofton Klankosova.tv.

Ndaj, seanca e radhës do të mbahet pas 48 orësh, në këtë rast të enjten.


VV ngul këmbë: Haxhiu propozohet sërish për kryeparlamentare

Hera e gjashtë. Emri i njëjtë. Edhe sot, Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, raporton Klankosova.tv.

Glauk Konjufca i VV-së propozoi që të votohet Haxhiu për postin e kryetares së Kuvendit, ndonëse për pesë herë nuk i mori votat e nevojshme.

Në vazhdimet paraprake të seancës konstituive, ajo ka marrë vetëm 57 vota për apo katër më pak sesa kërkohen që të zgjidhet në këtë post.

Votimi tashmë po zhvillohet dhe pas pak jepet rezultati.


 

“Nëse ndodh ndërrimi i kandidatit, atëherë mund të lëvizë diçka”, thotë Haradinaj

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se situata politike nuk ka ndryshuar nga seancat e kaluara. Ai para mediave deklaroi se vetëm një ndërrim i kandidatit për kryeparlamentar mund të sjellë zhvillime të reja.

“Nëse ndodh ndërrimi i kandidatit, atëherë mund të lëvizë diçka dhe ne do të votojmë”, deklaroi ai.

 

Limaj: S’ka lëvizje, situata do jetë e njëjtë – ky është realiteti

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj u deklarua para mediave pak para fillimit të seancës konstituive.

Ai tha se nuk ka parë ndonjë ndryshim dhe sipas tij, edhe sot situata do jetë e njëjtë sikur të dielën.

“Nuk ka ndonjë lëvizje. Besoj që edhe sot situata do të jetë e njëjtë”, u shpreh Limaj, njofton Klankosopva.tv.

“Partia fituese duhet të bëjë përpjekje për të bërë shumciën parlamentare, koalicionin qeverisës edhe për parlament edhe për qeveri”, tha ai.


Haradinaj tregon arsyen pse mungoi në seancën e kaluar konstituive

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket votimit të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Poashtu, ai para mediave tregoi arsyen pse mungoi në seancën e kaluar konstitutive.

“Nuk është monotoni, është nder me ardh në Kuvend por ka qenë përvjetori i Masakrës së Mejës dhe jam i asaj zone, shumica e atyre njerëzve janë familje. Shfrytëzova rastin të qëndroja në përvjetorin e luftëtarëve. Dita e të pagjeturve”.

“Ka kaluar shumë kohë nga lufta, por janë disa data që janë vështirë t’i anashkalojmë”, tha kreu i AAK-së, njofton Klankosova.tv.


 

VV-ja nuk e ndryshon emrin e kandidatit për kryeparlamentar, flet Murati

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se propozimi i kësaj partie për kandidatin për kryeparlamentar mbetet i njëjtë.

“Lus edhe njëherë të gjitha partitë që me votën e tyre të marrin pjesë dhe të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit sepse kjo është detyrë e të gjithë deputeteve sipas Kushtetutës”,tha ai.

Kandidatja e këtij subjekti politik për kryeparlamentare Albulena Haxhiu, nuk po arrin t’i sigurojë votat për ta marrë këtë post.


Kurti s’ndryshon, kalon i heshtur para gazetarëve

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Albin Kurti nuk ka ndryshuar sa i përket raportit të tij me gazetarët të cilët vazhdimisht raportojnë nga Kuvendi sa herë thirret një seancë e re konstitutive.

Edhe sot, kryetari i VV-së para tyre kaloi i heshtur, njofton Klankosova.tv.


Haziri: LVV duhet të mendojë deputetin e parë i cili është më i pranueshëm

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, deklaroi se nuk ka marrëveshje për qeveri dhe se Kuvendi po mbahet peng.

Me të mbërritur për seancë konstituive ku pritet të votohet propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kreun e Kuvendit, ai para gazetarëve u shpreh se për të dhe LDK-në partia fituese duhet të mendojë deputetin e parë i cili është më i pranueshëm, pasi siç tha, vetëm propozimi nuk është i mjaftueshëm.

Ndërkaq i pyetur lidhur me rolin e presidentes në raste të tilla, Haziri tha se ajo nuk ka asnjë detyrë në këtë çështje.

“Ajo vetëm duhet të garantojë funksionimin e institucionit. Ajo duhet të rrijë në këndin e vet dhe të mos përzihet. Ajo nuk mundet të negociojë emrin e një partie”, tha Haziri.


Sveçla: Haxhiu sërish kandidate për kryetare të Kuvendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, konfirmoi se Albulena Haxhiu do të jetë sërish e propozuar nga partia e tij për t’u votuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës, edhe gjatë seancës së sotme konstituive.

Këtë ai e tha në momentin kur mbërriti në objektin e Kuvendit, duke mos dhënë asnjë detaj tjetër para gazetarëve.


Zemaj: Kurtit po i konvenon kjo situatë

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj e ka përsëritur se kjo parti nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket votimit të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Ai tha se heshtja e Albin Kurtit tregon se po i konvenon kjo situatë.

“Nuk ndryshojmë qëndrim”, tha Zemaj.

“Papërgjegjësi e tij, nuk ka ndonjë deklarim nga ana e tij. Paaftësi për të krijuar numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe shumicë parlamentare që siguron qeverinë e ardhshme të Kosovës”, u shpreh ai, njofton Klankosova.tv.


Kurti ende s’ka arritur në Kuvend, Haxhiu “çele guri

Kryeministri i dorëhequr, Albin Kurti ende nuk ka arritur në Kuvend për seancën e tetë konstitutive.

Kështu ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi e cila po qëndron në anën tjetër të Kuvendit.
Ajo tregoi se para pak minutash ka arritur kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu e cila nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Ndërkohë, deputeti Hekuran Murati është deklaruar se propozimi mbetet i njëjtë për deputetët, pra Haxhiu për kryeparlamentare.


Peci: Propozimi mbetet i njëjtë – Haxhiu për kryeparlamentare

Deputeti Faton Peci ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga kandidimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Ai para mediave tha se është e padrejtë që partitë e tjera që nuk e kanë fituar të drejtën për të propozuar emrin e kryetarit të Kuvendit, të kërkojnë të drejtën e tyre brenda VV-së dhe partnerëve të saj, njofton Klankosova.tv.

“Propozimi mbetet i njëjtë. Sa më shpejt që Opozita bindet që është e drejta ekskluzive e Vetëvendosjes për emrin e kryetarit të Kuvendit, do të kemi zhbllokim të Kuvendit”, tha Peci.


Pak deputetë arrijnë në Kuvend pak para fillimit të seancës konstituive

Numër i vogël i deputetëve kanë arritur në Kuvendin e Kosovës pak para fillimit të seancës konstituive.
Kështu ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani e cila po raporton nga oborri i Kuvendit.

Ajo tha se për dallim nga herët e tjera, në këtë kohë ka numër më të vogël të deputetëve që kanë arritur, pasi herave të tjera kishte më shumë.

Deri tani, në Kuvend kanë shkruar Nait Hasani, Rozeta Hajdari dhe Bekë Berisha.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.