Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Liderët evropianë tregojnë mbështetje për Zelenskyn pas përplasjes me Trumpin

NULL NULL
01.03.2025 07:47
Perplasja Zelebsky - Trump
Perplasja Zelebsky - Trump

Udhëheqësit evropianë u rreshtuan për të treguar solidaritet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të premten, pasi ai pati një debat me presidentin e ShBA-së, Donald Trump, dhe zëvendëspresidentin JD Vance në Shtëpinë e Bardhë.

Brenda një kohe të shkurtër, kryeministra dhe presidentë nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi i kontinentit shkruan në rrjetet sociale postime në mbështetje të Zelenskyt dhe Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus, pas përplasjes së jashtëzakonshme.

Ndërsa ata nuk e kritikuan drejtpërdrejt presidentin e ShBA-së, komentet e tyre e bënë të qartë se ata qëndruan në krah të Kievit – duke theksuar një përçarje të madhe midis aleatëve tradicionalë të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës mbi luftën që kur Trumpi u kthye në detyrë.

“Ka një agresor: Rusia. Ka një popull që është nën sulm: Ukraina”, shkroi presidenti francez Emmanuel Macron në X, i cili vizitoi Trumpin këtë javë.

“Respekt për ata që, që në fillim, kanë luftuar. Sepse ata po luftojnë për dinjitetin e tyre, për pavarësinë e tyre, për fëmijët e tyre dhe për sigurinë e Evropës”, shtoi Macron.

Më herët, Trump kishte akuzuar Zelenskyn për mosrespektim të Shteteve të Bashkuara. Dy liderët pritej të përfundonin një marrëveshje për shfrytëzimin e burimeve minerale të Ukrainës, por Zelenskiy u largua nga Shtëpia e Bardhë pa e nënshkruar marrëveshjen.

Trump tha gjithashtu se Zelensky nuk ishte gati për paqe.

Kryeministri polak Donald Tusk ishte ndër të parët që tregoi mbështetjen e tij për Zelenskyn dhe Ukrainën në mediat sociale, duke u thënë atyre: “Ju nuk jeni vetëm”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa – dy zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian – i thanë Zelenskyt në një postim të përbashkët: “Dinjiteti juaj nderon trimërinë e popullit ukrainas”.

“Bëhu i fortë, trim, ji i patrembur. Nuk je kurrë vetëm”, ​​thanë ata. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha: “Askush nuk dëshiron paqen më shumë se sa ukrainasit”.

Udhëheqësi konservator gjerman Friedrich Merz, pasardhësi i mundshëm i Scholzit pasi partia e tij fitoi zgjedhjet e përgjithshme të së dielës së kaluar, postoi: “Ne qëndrojmë me Ukrainë në kohë të mira dhe në prova. Ne kurrë nuk duhet të ngatërrojmë agresorin dhe viktimën në këtë luftë të tmerrshme”, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

lajme të ngjashme