Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LAJMI I FUNDIT: HASHIM THAÇI ËSHTË PRESIDENT I KOSOVËS!

NULL NULL
26.02.2016 19:46

Me 71 vota pro deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin, President të Kosovës.

Hashim Thaçi është zgjedhur President në raundin e tretë të votimit, kur është nevojitur vetëm shumica e thjeshtë, ose 61 vota e më shumë.

Themeluesi i Partisë Demokratike të Kosovës në raundin e parë të votimit, kur për t’u shpallur President nevojiteshin 2/3 ose 80 pro të paktën, Thaçi nuk ka arritur të fitojë më shumë se 50 vota për.

Në atë votim të parë, në të cilin morën pjesë 81 deputetë, për Hashim Thaçin votuan 50 veta, kurse 27 vota u shpallën të pavlefshme. Katër vota i mori kundërkandidati i Thaçit, bashkëpartiaku Rafet Rama.

Kurse raundi i dytë solli ndryshime të mëdha në numra, përkundër se pragu prej 2/3 përsëri nuk u kalua.

Edhe në këtë raund votuan 81 deputetë, ndërsa këtë herë Hashim Thaçi mori 63 vota për e 16 u shpallën të pavlefshme.

Këtë herë Rafet Rama u votua vetëm dy herë.

Zgjedhja e Thaçit President i Kosovës ka ardhur pas një seance të jashtëzakonshme, por edhe maratonike dhe me gaz lotsjellës, e cila ishte paralajmëruar të fillonte në orën 11:00, por që filloi me afër 45 minuta vonesë.

Biografia e Hashim Thaçit nuk është lexuar për publikun, por ajo u është dhënë në kopje veç e veç secilit deputet.

Kanë qenë deputetët e Opozitës ata që e kanë shpërfillur këtë biografi që, sipas tyre, ka qenë e rreme dhe e ka mbivlerësuar Hashim Thaçin.

Më pas fjalime kanë mbajtur krerët e Opozitës – përveç Ramush Haradinajt, i cili ditë më parë e ka dorëzuar mandatin e deputetit – dhe disa nga deputetët opozitarë.

Më të ashprit në fjalimet e tyre kanë qenë deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Të dy ata, në forma të ndryshme, e kanë akuzuar Thaçin si një njëri që nuk përfaqëson unitetin e popullit – atë që i duhet një Presidenti, sipas tyre.

Kurse fjalën nga pozita e ka marrë deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka dalë edhe në foltore, por siç ka thënë ai, vetëm sa për të treguar edhe njëherë se Hashim Thaçi, është njeriu i duhur për t’u zgjedhur President i vendit.

Pas këtyre fjalimeve, para deputetëve “një fjalë”, ka dashur ta thotë edhe nënkryetari i Parlamentin të Kosovës nga LDK-ja, Sabri Hamiti, por pak para se të fillonte fjalën ai, deputetët opozitarë kanë hedhur gaz lotsjellës.

Autorësinë për veprën e hedhjes së tymit që vështirëson frymëmarrjen në sallë e ka marrë deputeti i AAK-së, Bali Muharremaj, që më pas edhe është arrestuar.

Kryetari i Kuvendit ka kërkuar pauzë dhe deputetët e kanë lëshuar sallën, për t’u kthyer më vonë dhe për t’u hedhur gaz përsëri nga deputeti i LVV-së, Ismajl Kurteshi.

Salla është zbrazur përsëri, derisa është pastruar nga mbetjet e gazit, ndërsa më vonë ka pasur edhe një tentativë të tretë për hedhje të syngacmuesit, por që deputetja e LVV-së, Shqipe Pantina, dështoi ta aktivizoi bombolën e gazit.

Sigurimi më pas ka larguar me forcë një pjesë të deputetëve të Opozitës, kurse të tjerët janë larguar vullnetshëm, por pasi që fillimisht shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e ka propozuar kolegun e saj nga Opozita, Ilir Dedën, si përfaqësues i Opozitës, për të qenë anëtar i komisionit për verifikimin e votave për President – megjithëse ligjërisht Opozita si një, nuk mund të propozojë kandidat të përbashkët, por partitë duhet ta bëjnë atë veç e veç secila.

Megjithatë Deda u pranua dhe votimi filloi.

Deda qëndroi në raundin e parë kur për Hashim Thaçin votuan 50 veta, 27 vota u shpallën të pavlefshme, kurse katër vota mori kandidati tjetër Rafet Rama.

Në raundin e dytë, Deda tha se Opozita i kërkoi atij që të tërhiqet dhe kështu votimi u bë e votat u verifikuan pa asnjë pjesëtarë të Opozitës.

Në këtë raund Thaçi mori 64 vota për, 15 u shpallën të pavlefshme, kurse dy vota i fitoi Rafet Rama.

Pas këtij rundi, nënkryetari i Parlamentit, Xhavit Haliti, i cili në atë moment udhëhiqte seancën, kërkoi pauzë, “për freskim, çaj e kafe”.

Me t’u kthyer për të përfunduar raundin e tretë dhe të fundit, Opozita befasoi duke e rikthyer Ilir Dedën përsëri në komisionin verifikues.

Mirëpo raundi i tretë ka rezultuar i suksesshëm për Thaçin i cili mori 71 vota, kurse 10 fletëvotime u shpallën të pavlefshme.

Hashim Thaçi është Presidenti i pestë qysh se Kosova fitoi lirinë në vitin 1999. Kurse i katërti prejse vendi shpalli Pavarësinë e Kosovës, me 17 shkurt në 2008, deklaratën e së cilës pavarësi, e kishte lexuar vet Hashim Thaçi, atëherë si kryeministër i shtetit më të ri në Europë.

Para Thaçit, postin e Presidentit në Kosovën e lirë, e kishte mbajtur, ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, më pas kryetari i LDK-së dhe pasuesi i Rugovës, Fatmir Sejdiu.

I treti, por vetëm një muaj në post, ishte Behgjet Pacolli nga Aleanca Kosova e Re dhe e fundit Presidentja e tanishme, Atifete Jahjaga, e zgjedhur me marrëveshje politike mes partive.

klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.