Vajzat e Kombëtares U17 kualifikohen në Ligën A për Euro 2025 NULL NULL 05.11.2024 16:59 05.11.2024 16:59 Ekipi kombëtar i vajzave U17 i Kosovës. Foto: FFK Kombëtarja e Kosovës e vajzave U17 është kualifikuar në Ligën A për kualifikimet e Evropianit, pasi e ka mbyllur turneun kualifikues të Grupit B4 në pozitën e parë, me 4 pikë. Kalimi në Ligën A u konfirmuar sot, pasi Shqipëria shënoi fitore në duel me Izraelin, në ndeshjen e fundit të grupit, me rezultat 2:1, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës. Dardanet U17 shënuan fitore ndaj Shqipërisë në ndeshjen e parë 3:1, derisa më pas barazuan me Izraelin 1:1. E epilogut të ndeshjes Shqipëri-Izrael iu gëzua edhe përzgjedhësja e Kombëtares U17, Sanije Krasniqi, e cila së bashku me stafin e saj për të tretin vit radhazi me këtë kombëtare arrin të kualifikohet në Ligën A. “Ky është një sukses shumë i madh i kësaj gjenerate, sepse shumica e tyre janë të lindura në vitin 2009, kurse në këto kualifikime luajnë futbolliste të lindura në vitin 2008 dhe 2009. I përgëzoj vajzat për këtë sukses dhe për punën dhe disiplinën e treguar në këtë cikël kualifikues. Tash na mbetet të përgatitemi për ndeshjet e ardhshme, ku kundërshtarët janë të nivelit shumë më të lartë. Gjithsesi, kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për vajzat tona që të fitojnë eksperiencë. Sigurisht se edhe në Ligën A do të mundohemi të bëjmë paraqitje sa më të mirë dhe ta përgatisim këtë gjeneratë për Kombëtaren U19 e pse jo edhe për Kombëtaren A”, ka theksuar Krasniqi. Këtij suksesi iu gëzua edhe kreu i FFK-së, Agim Ademi, i cili saktësoi ky është viti i tretë radhazi që Kombëtarja U17 siguron kalimin në Ligën A të kualifikimeve të Evropianit dhe tha se është dëshmi e punës me gjeneratat e reja. “Përgëzoj futbollistet e reja për këtë sukses dhe stafin e trajnereve në krye me Sanije Krasniqin për punën me këtë gjeneratë të futbollisteve. Paraqitja në Ligën A me ekipe shumë të forta do të jetë një mundësi e mirë për lojtaret e reja që të zhvillohen edhe më shumë dhe të fitojnë eksperiencën e duhur në nivele të tilla”, u shpreh Ademi. Shorti për Ligën A për kualifikimet e Evropianit 2025 do të tërhiqet në dhjetor, derisa ndeshjet e fazës së ardhshme do të zhvillohen në pranverën e ardhshme. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.