E mira e premtuar — me metoda të vjetra 123 string(15) "Gazmend Demolli" string(71) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/03/g-1-e1648732229324.jpg" nga Gazmend Demolli 26.10.2024 14:07 26.10.2024 14:07 Gazmend Demolli James I, në Anglinë e shekullit XVII, besonte në të drejtën hyjnore të mbretërve—pohonte se autoriteti i tij ishte absolut dhe përgjegjës vetëm para Zotit. Në vitin 1609, ai iu drejtua popullit anglez për të shpjeguar të drejtat dhe detyrat e tij si mbret. Detyra e tij—të “bëjë dhe zhbëjë” ata. Mbretërit kanë “fuqinë për të ngritur dhe rrëzuar, të jetës dhe vdekjes; gjykatës mbi të gjithë dhe në të gjitha çështjet.” Një nga praktikat më famëkeqe të Jamesit? Dhënia e monopoleve individëve të favorizuar. U jepte të drejta ekskluzive për të prodhuar ose tregtuar mallra thelbësore—si kripë, kallaj, madje edhe letra loje—atyre që i ishin besnikë. Kontrata njëburimore. Këto monopole i lejuan Jamesit të kontrollonte pjesë të rëndësishme të ekonomisë, duke manipuluar tregjet për të përfituar rrethin e tij të ngushtë. James ulej në fronin e tij, qendra e një sistemi diellor ku çdo individ orbitonte rreth tij, ose si satelitë të satelitëve të tij—një mekanizëm i madh kartesian i shtyrë nga veset dhe lajkat—nga oborrtarët më madhështorë e intelektualët, deri te populli i varfër në krahinat më të largëta. Sillej sikur të ishte zgjedhur me mbi 51%. Ironikisht, një monark që pretendonte të ishte mbi ligjin përfundoi duke destabilizuar vetë kombin që kërkonte të kontrollonte. Kontrata sociale midis të qeverisurve dhe qeverisësve u dobësua—duke vendosur skenën për konflikte të ardhshme. Të zgjedhur me mbi 51%, Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet me optimizmin në bajrak, duke premtuar të luftojë korrupsionin. Të rrisë transparencën. Premtimet rezonuan me një popullatë të lodhur nga nepotizmi dhe hajnia—nga pabarazitë sociale në rritje. Shpresa ishte se një epokë e re do të sillte rritje ekonomike dhe do të forconte institucionet demokratike. Por transparenca nuk erdhi, emërimet kyçe ende bëhen pa procedura të hapura, ose me bastardim të tyre, duke favorizuar individë me lidhje politike. Vettingu—që kishte për qëllim ndëshkimin e të kaluarës—nuk ndodhi. Vettingu asnjëherë nuk ka qenë zgjidhja, por vetëm dënimi. Pak raste të profilit të lartë janë hetuar ose ndjekur penalisht, dënime—ende asnjë. Korrupsioni mbetet një hije e vazhdueshme mbi institucionet e Kosovës. Përzgjedhja e të dëgjueshmëve—e vasalëve ndaj partisë— vetëm sa e përkeqëson. Premtimet ekonomike kanë dështuar në mënyrë të ngjashme. Nuk janë materializuar. Ato pak vende të krijuara janë rezultat i subvencionit të plotë—të paqëndrueshme në kohë. Ose janë vetëm formalizime. Papunësia mbetet e lartë, veçanërisht midis të rinjve—shumë prej të cilëve zgjedhin të emigrojnë në kërkim të mundësive më të mira, dhe grave, në provincë shkalla e të punësuarave nuk kalon 10%. Në fshatra—zero. Papunësia e grave në zonat rurale dhe periurbane është një problem struktural që mund të zgjidhet kur shkollimi i hershëm bëhet realitet, ose së paku kur do të bëhen çerdhet për fëmijë në zona rurale, kur të bëhet një transport funksional publik edhe në ato zona. ‘Superpuna’ është treguar një mjet i mirë për të nxitur formalizimin e inkuadrimit në punë të të rinjve, dhe ka qenë një ndihmë e madhe për punëdhënësit, për shembull, kur është hapur Prishtina Mall, por nuk ishte e lidhur me ngritjen dhe aftësimin profesional të të rinjve, si rrjedhojë mungon qëndrueshmëria. Por një gjë është përkeqësuar tej mase—varësia në rritje e qeverisë nga kontratat njëburimore në prokurimin publik. Rreth 25% e kontratave publike—që arrijnë në dhjetëra miliona euro—po jepen pa tenderim të hapur. Ngjason me tendencat monopoliste të James I. Përdorimi i kontratave njëburimore në thelb u jep monopole entiteteve të favorizuara, duke krijuar një mjedis të prirë për abuzim. Dhe është më shtrenjtë. Duke anashkaluar konkurrencën, qeveria jo vetëm që shpërdoron fondet publike, por edhe minon parimet e drejtësisë dhe transparencës. Krijon servilitet. Satelitë të satelitëve. Për më tepër—gërryen besimin publik. Dhe kjo nuk ka zgjidhur problemin—nuk ka përshpejtuar proceset. Një drejtor shkolle vazhdon të ketë koklavitje për të furnizuar klasat me shkumësa dhe shpuza. Zgjidhja është te një autonomi më e madhe e drejtorëve të institucioneve të ndryshme. Drejtorët e shkollave duhet të kenë besimin se dinë të blejnë vetë shkumësat dhe shpuzat. Sapunin. Pa pyetur komunën. Barnatoreve publike u mungojnë barnat esenciale. Në Shtime, për shembull, gjatë gjithë këtij viti, shumë më pak se gjysma e barnave dhe produkteve tjera nga lista esenciale kanë qenë të disponueshme. Ndoshta zgjidhja është edhe te një partneritet më të madh me privatin. Nuk do duhej të ketë barnatore shtetërore—por një sistem ku barnatoret private rimbursohen për barnat e listës esenciale. Ushtria e Kosovës përballet me probleme të restaurimit. Të kontratave me furnizues. Komandantët e kazernave do të duhej të ishin autonomë dhe të menaxhonin vetë kuzhinën e kazermës së tyre. Të punësonin kuzhinierë. Të furnizoheshin vetë. Një mik mjaft mirë i informuar bëri të zëshëm se sa qindra kuzhinier që kanë punuar në KFOR dhe gjetiu sot janë të papunë ndonëse të përgatitur lart profesionalisht të punojnë në situata të tilla. Jo që ka qenë më mirë me qeveritë dhe partitë paraardhëse. Oh! Aspak. I njëjti sistem vetëm me të tjerë satelitë. Dhe nuk kam parë që ata të kenë ndryshuar qasje, nuk propozohet asgjë e re që do të ndryshonte këtë trend. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.