Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Projektligji për KPM-në “bashkon” PDK-në e LDK-në, duan ta dërgojnë në Kushtetuese

NULL NULL
24.06.2024 13:36
Foto nga arkiva: Gjykata Kushtetuese
ARKIV: Gjykata Kushtetuese

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj në deklaratën e tij pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit është shprehur se po vazhdon ajo që e quajti shqetësim nacional, “tendenca e autokracisë në këtë vend”, për siç tha ai, imponimin e strukturës personale të individëve të caktuar në institucionet e pavarura siç është KPK-ja dhe KPM-ja.

Ai është shprehur se nëse nuk ka dakordim të deputetëve, atëherë këto çështje sipas tij duhet adresuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Po vazhdon ajo pjesa që ne e kemi quajtur si shqetësim nacional, tendenca e autokracisë në këtë vend, për imponimin e strukturës personale të individëve të caktuar në institucionet e pavarura siç është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media dhe shumë agjenci dhe organizata të tjera që janë të pavarura me Kushtetutë”.

“Këto do të kundërshtohen në këtë seancë, nëse nuk ka ndonjë dakordim të deputetëve për ta ruajtur demokracinë, ose për të avancuar, atëherë ne duhet ta adresojmë këto çështje në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai, njofton Klankosova.tv.

Në lidhje me këtë çështje foli edhe shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, duke thënë se projektligjet për KPM-në dhe KPK-në paraqesin shqetësim të madh.

Komisionit të Pavarur për Media, u shpreh ai se ka pasur kritika të mjaftueshme si nga shoqëria civile, ashtu edhe nga zyrtarë të BE-së dhe sipas tij, nga Këshilli i Evropës.

Tahiri tha se janë duke punuar së bashku me këshilltarët ligjor të PDK-së që ta shohin mundësinë që këtë projektligj ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese.

“Projektligji i Komisionit të Pavarur për Media dhe është ligji për Këshilli Prokurorial. Këto dy projektligje paraqesin një shqetësim jashtëzakonisht të madh, sidomos te projektligji i Komisionit të Pavarur për Media, ka pasur kritika të mjaftueshme edhe nga shoqëria civile, nga zyrtarë të BE-së në Kosovë dhe nga Këshilli i Evropës dhe prej rekomandimeve që kanë ardhur nga Këshilli i Evropës për standardet të cilat duhet të jetë një projektligj i tillë, nuk janë përputhur pothuajse fare, apo në masën më të madhe janë injoruar”.

“Ky projektligj fatkeqësisht është një tendencë e kontrollit të mediave online, të cilin ne e kundërshtojmë jashtëzakonisht shumë”.

“Ne jemi duke punuar së bashku me këshilltarët ligjor të Partisë Demokratike që ta shohim mundësinë që këtë projektligj ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh ai.

Ndërkaq, tri ditë më parë, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

Raporti i përbërë me 93 amendamente, u votua me gjashtë vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim që të kalojë në seancë plenare për një lexim të dytë./Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.