Rubikoni i Kosovës- 20 vjet Rubikon NULL NULL 06.05.2024 23:48 06.05.2024 23:48 Rubikon me Adriatik Kelmendin shënoi sot 20 vjetorin e vënies së themelit të emisionit të parë politik në vend. Me këtë rast u prezantua dokumentari i titulluar “Rubikoni i Kosovës”, ku ishte përmbledhur puna 20 vjeçare e autorit të këtij emisioni Adriatik Kelmendi. Dokumentari nisi me trazirat e marsit të vitit 2004, për të vazhduar me paraqitjen kronologjike të të gjitha zhvillimeve të rëndësishme politike të dy dekadave të fundit në Kosovë, rajon dhe botë. “Rubikoni i Kosovës” ktheu në kujtesë intervistën e vitit 2004 të Ramush Haradinajt, kur ai ishte betuar si kryeministri i parë i Kosovës, për të vazhduar me inserte të intervistave të Adem Demacit, Ismail Kadaresë, Arbën Xhaferit dhe figurave të tjera të rëndësishme shqiptare, që flisnin për rrugëtimin e shtetësisë së Kosovës. Krahas kësaj, në dokumentar u transmetuan pjesë të intervistave që disa prej figurave më me influencë të asaj kohe i kishin dhënë për emisionin Rubikon. Ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen dhe i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisari, kishin shpalosur përballë gazetarit Kelmendi planet dhe idetë ndërkombëtare për rrugëtimin që Kosova kishte nisur nga viti 1999. Në dokumentar u prezantua edhe raportimi i Rubikonit nga Vjena, ku kishin nisur bisedimet për statusin e Kosovës në vitin 2006 dhe mbledhja e Këshillit të Sigurimit në prill të vitit 2007 në New York, momente këto historike që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Rubikon me Adriatik Kelmendin i kishte kushtuar edhe një seri intervistash themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët për herë të parë rrëfenin për përndjekjet nga pushteti serb dhe mënyrën se si kishte funksionuar UÇK-ja. Në dokuementar u prezantuan pjesë të intervistave të realizuara ndër të vite me presidentë, kryeministra dhe figura të tjera të rëndësishme të jetës politike të Kosovës, por të Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut. “Rubikoni i Kosovës” prezantoi edhe raportimet nga Uashingtoni e Brukseli, ku ishin marrë vendime të rëndësishme për vendin, si dhe pjesë të intervistave ekskluzive të Dritan Abazoviq dhe Talat Xhaferit, dy figura që bën historinë duke marrë postet e kryeministrave të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Për “Rubikonin e Kosovës” kanë dhënë intervista speciale figura si Vjosa Osmani, Glauk Konjufca, Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi, Atifete Jahjaga, Avdullah Hoti, Fatmir Sejdiu, Agim Çeku, Dritan Abazoviq, Hajredin Kuçi, Mimoza Kusari Lila, Vlora Çitaku, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj, Daut Haradinaj, Ramiz Lladrovci, Arianit Shehu, Bardh Rugova, Ilir Deda dhe Genc Salihu.