LIVE| Votimi për president, Pendarovski: Një shtet që negocion me BE-në nuk guxon t’i lejojë vetes proces të keq zgjedhor (VIDEO) NULL NULL 24.04.2024 08:40 24.04.2024 08:40 Foto: Alsat.mk 14:03- Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, OSBE nesër do t’i publikojë rezultatet e para Përfaqësuesja e OSBE-së në Maqedoni të Veriut, Gillian Stirk, pas vizitës në dy qendrave të votimit mëngjesin e sotëm, vlerësoi se fillimi është i mbarë në zgjedhjet presidenciale dhe se një vlerësim të plotë do të mund të japin pas përmbylljes së procesit të votimit. “Deri më tani kam vizituar vetëm dy qendra votimi ku ka shkuar gjithçka mirë dhe pa probleme”. “Por këto janë vetëm dy nga qendrat e shumta të votimit, kështu që nuk mund të nxjerrim një përfundime deri në fund të ditës”, tha Stirk, shkruan AlsatM. 13:39 – Voton kryetari i Alternativës: Është momenti i qytetarëve që ta thonë fjalën e tyre Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, ka votuar në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoninë e Veriut. Ai së bashku me gruan e tij votoi në lagjen “Hasanbeg” të Shkupit. Me këtë rast, Gashi u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin të votojnë në zgjedhjet e sotshme presidenciale. “Sot është dita e zgjedhjeve, është momenti i qytetarëve që ta thonë fjalën e tyre. Unë i ftoj të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre e të dalin të votojnë”, ka thënë Gashi. /Klankosova.tv 13:18 – Pendarovski: Një shtet që negocion me BE-në nuk guxon t’i lejojë vetes proces të keq zgjedhor Një shtet që negocion me Bashkimin Evropian nuk guxon t’i lejojë vetes proces të keq zgjedhor, porositi sot paradite kandidati presidencial, Stevo Pendarovski. Pasi që votoi në vendvotimin e tij, Pendarovski deklaroi se pret ditë të qetë zgjedhore. “Sot pres ditë të qetë zgjedhore, rreth të qetë, të parë zgjedhor. Kuptohet, ashtu pres të jetë edhe më 8 maj, kur do të kemi zgjedhje parlamentare dhe rreth të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Kjo është jashtëzakonisht me rëndësi, jo aq për karrierat individuale të secilit prej nesh, kandidatëve në këto zgjedhje presidenciale, por është jashtëzakonisht me rëndësi për tërë shtetin sepse një shtet i cili negocion me BE-në nuk guxon t’i lejojë vetes proces të keq zgjedhor”, theksoi Pendarovski. Sipas tij, shteti si i pavarur tashmë mbi 30 vjet, ka kaluar shumë cikle zgjedhore. “Shpresoj, si herën e kaluar, ashtu edhe tani, se votimi do të jetë me ruajtje të standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare”, tha Pendarovski, shkruan Zhurnal.mk. 12:18 – Raportohet për organizim të transportit për votuesit, reagojnë nga Policia në Kumanovë Në Kumanovë ka denoncime anonime që persona të panjohur po organizojnë transport për votuesit nga shtëpitë e tyre në vendvotime, shkruan Alsat. Sipas policisë, rasti është duke u hetuar dhe nëse vërtetohet mund të kualifikohet si vepër penale. 11:04 – Zgjedhjet në RMV, Toshkovski: Për momentin nuk ka shkelje të procesit zgjedhor Ministri teknik i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski tha se deri më tani nuk ka pasur shkelje të procesit të votimit, ndërsa MPB-ja tashmë i ka dislokuar të gjithë policët në mbarë vendin të cilët duhet të kujdesen për realizimin e procesit zgjedhor në mënyrë demokratike. “Nuk kemi vërejtur shkelje të rënda të procesit zgjedhor. Dita është e bukur, shpresoj që qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje demokratike”. “Të gjitha departamentet e punëve të brendshme janë përfshirë me kushte teknike. Ne veprojmë sipas udhëzimeve të përcaktuara nga shtabi zgjedhor”, shtoi Toshkovski. Në zgjedhjet presidenciale marrin pjesë shtatë kandidatë./Alsatm 10:40 – Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Osmani: Qytetarët kanë 2 opsione – integrim apo izolim (VIDEO) Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka hedhur votën e tij nën shoqërimin e gruas së tij. Në një deklaratë para mediave, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më të madh dhe të votojnë sipas bindjes së tyre. “Uroj sot zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Inkurajoj qytetarët të dalin në numër sa më të madh, të votojnë sipas bindjes së tyre, vullnetit të tyre. Të votojnë me qëllim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv. Ai poashtu tha se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, por vendimtare për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. “Mendoj që këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, por janë vendimtare për të ardhmen e vendit tonë për shkak se shteti është në udhëkryq. Dy opsione janë para nesh dhe qytetarët duhet të vendosin për integrim apo izolim”, u shpreh më tej kandidati për president, njofton Klankosova.tv. 08:44 – Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, mbi 1.8 milion votues në Listën Zgjedhore Gjithsej 1 814 317 votues janë në listën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të ditës së sotme në 3480 vendvotime në Maqedoninë e Veriut. Qytetarët që duan të votojnë duhet të paraqiten në vendin e votimit me dokument të vlefshëm identifikimi ose dokument identifikimi të skaduar nga 24 korriku i vitit 2023 dhe më vonë. Përveç identifikimit me dokument personal, qytetarët duhet të kalojnë edhe filtrin e identifikimit të dyfishtë, me aparatet biometrike për shenjat e gishtave. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve theksoi ditë më parë se fletëvotim i vlefshëm do të jetë vetëm ai në të cilin është rrethuar numri rendor i kandidatit për të cilin zgjedhësi është përcaktuar dhe fletëvotimi të paloset përpara se të hidhet në kuti. Votimi duhet të jetë i fshehur. Në garë janë shtatë kandidatë. Dy kandidatët me më shumë vota në rrethin e parë, do të kalojnë në votimin e rrethit të dytë. Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj. Që të zgjidhet presidenti, në votime duhet të dalin të paktën 40% e personave të regjistruar në listën zgjedhore, raporton Alsat.mk, transmeton Klankosova.tv. Ndërkohë, një ditë më parë votoi diaspora, të sëmurët, të pafuqishmit dhe të burgosurit. Votat e tyre do të bashkohet me votat e tjera varësisht vendvotimit dhe do të numërohen pas mbylljes së vendvotimeve sot. Zgjedhjet e dyfishta i kushtojnë Maqedonisë së Veriut 17 milionë euro. 08:35 – Zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut monitorohen nga rreth 950 vëzhgues 942 vëzhgues monitorojnë procesin zgjedhor ku qytetarët e Maqedonisë së veriut votojnë për presidentin e ardhshëm të shtetit. Sipas listës së publikuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, 342 vëzhgues do të jenë nga vendi, ndërkaq 568 të huaj. OSBE/ODIHR ka më së shumti vëzhgues të akredituar, përkatësisht në mbarë vendin 372 vëzhgues. Zgjedhjet e sotme kanë zgjuar interesim edhe te mediat ndërkombëtare. Sipas KSHZ-së, 32 gazetarë të mediave të huaja do të raportojnë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria kanë njoftuar se tërësisht janë të përgatitur për zgjedhjet presidenciale. Byroja për Siguri Publike ka krijuar Aksion Operativ “Zgjedhje Presidenciale dhe Parlamentare 2024”. Nga ana tjetër, Prokuroria ka formuar Komision të veçantë për ndjekjen e parregullsive eventuale gjatë zgjedhjeve. Ky komision ka njoftuar se është shtuar numri i prokurorëve kujdestarë me qëllim të mbulimit të tërë shtetit dhe ndjekjes së procesit. Në koordinim me institucionet është edhe Agjencia për Siguri Nacionale e cila punon në mbledhjen e njohurive në lidhje me parregullsitë eventuale. Për parregullsitë eventuale, qytetarët mund t’i drejtohen dhe Zyrës së Avokatit të Popullit, raporton Alsat-M, transmeton Klankosova.tv. 07:36 – Sot mbahen zgjedhjet për president në Maqedoni të Veriut, në garë shtatë kandidatë Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot nga ora 7 deri në 19 do të votojnë në zgjedhjet e shtata me radhë për president shteti. Kujtojmë se presidenti i parë, Kiro Gligorov, u zgjodh në seancë parlamentare më 27 janar 1991, kur Maqedonia u krijua si shtet i pavarur. Për Zgjedhjet Presidenciale që do të mbahen sot (24 prill 2024), numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore është 1.814.317. Zgjedhjet e fundit presidenciale u mbajtën më 21 prill dhe 5 maj 2019, në të cilat Stevo Pendarovski fitoi me 435.656 vota ose 53,59 për qind të numrit të votuesve që dolën dhe votuan në rrethin e dytë. Ai kandidoi edhe në këto zgjedhje, ndërsa përkrah tij janë Gordana Siljanovska, Stevço Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maxim Dimitrievski./Alsatm *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.