Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Amerikanët kërkojnë rikthimin e Kosovës dhe Serbisë në dialog (VIDEO)

NULL NULL
nga Besnik Tahiri 10.10.2023 20:15

Ambasadorja amerikane në NATO, tha se të gjithë në Aleancën Veri-Atlantike, kanë monitoruar situatën e fundit në terren në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë një tele-konference me media nga Brukseli, ku të mërkurën dhe të enjten takohen ministrat e mbrojtjes së shteteve anëtare, Smith foli në veçanti për Kosovën, raporton Klan Kosova.

Më 24 shtator një grup i armatosur kreu një akt agresioni kur sulmoi policinë kosovare në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos polici Alban Rashiti.

Autoritetet kosovare thonë që pas këtij grupi terrorist qëndron Serbia.

“Ne kemi qenë të shqetësuar për rritjen e shenjave të destabilitetit dhe disa pika shpërthyese, ku ne pamë një rritje të dhunës. Për këtë arsye, KFOR-i mori vendimin në ditët e kaluara për përdorimin e forcave strategjike reserve. Tani kemi një shtim të forcave tona, qindra prej tyre, që vijnë kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe Rumania. Do vazhdojmë të porosisim miqtë tanë në rajon se rruga e vetme drejt normalizimit është dialogu i udhëhequr e lehtësuar nga BE-ja, i cili proces përkrahet fortë në aleancë”, tha Smith gjatë tele-konferencës.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Serbi, Christopher Hill, pas rastit në Banjskë, po kërkon kthim në atë që e quan ujdi politike.

“Pikëpamja ime është që ne duhet ta dimë çka ndodhi dhe arsyeja se pse ne të gjithë duhet ta dimë çka ndodhi është që ne duhet të sigurohemi që kjo s’do të ndodh përsëri. Por çështja më fundamentale për të gjithë është se këto lloj gjëra nuk do të ndodhnin nëse ka një marrëveshje politike. Dhe kjo ujdi politike përbëhet nga disa elemente shumë mirë të njohura. Njëra nga to është Asociacioni i Komunave Serbe, dhe tjetri është që jep më shumë mundësi ndërkombëtare për Kosovën”, theksoi Hill të mërkurën para gazetarëve në Beograd.

Hill, shtoi se nëse të gjithë fokusohen në çështjet politike dhe zgjidhjet politike, atëherë siç tha “të gjithë do të jemi në një vend më të mire”.

Top diplomati theksoi po ashtu se çdo zgjidhje eventuale politike duhet të ketë qasje rajonale ku njerëzit punojnë e besojnë njëri-tjetrit.

lajme të ngjashme