Dioqeza Rashkë-Prizren konfirmon se një grup i armatosur ka hyrë në Manastirin e Banjskës NULL NULL 24.09.2023 12:53 24.09.2023 12:53 Dioqeza Rashkë-Prizren ka konfirmuar se një grup personash, të maskuar e të armatosur, kanë sulmuar manastirin e Banjskës. Sipas njoftimit të dioqezës, thuhet se ky grup është futur në manastir me një automjet të blinduar dhe se grupi i personave të maskuar e të armatosur po lëvizin nëpër oborrin e manastirit. “Dioqeza është shumë e shqetësuar pasi sipas informacioneve të fundit, një grup personash të armatosur, të maskuar kanë sulmuar Manastirin e Banjskës me një automjet të blinduar, duke hyrë në portën e mbyllur të manastirit. Aktualisht në manastir ndodhet një grup pelegrinësh nga Novi Sadi së bashku me igumenin At Danilon me vëllazëri monastike. Për siguri, vëllazëria dhe pelegrinët e manastirit janë mbyllur brenda dhe tempulli i manastirit është gjithashtu i mbyllur. Njerëz të maskuar të armatosur lëvizin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjohen të shtëna armësh”, thuhet në këtë njoftim. Dioqeza ka thënë se e “dënon ashpër” dhunën e hapur që po ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe, “duke u bërë thirrje të gjitha palëve që t’i japin fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur”. Dioqeza Rashkë-Prizren e ka dënuar sulmit e sotëm, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe dy të tjerë mbetën të lënduar. “Dioqeza Rashkë-Prizren dënon ashpër sulmin e fundit të mëngjesit të sotëm në veri të Kosovës, afër fshatit Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër u plagos. Ky është një incident i rëndë që mund të ketë pasoja të mëdha dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të bëhet gjithçka për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Dioqeza u shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të policit të vrarë dhe sinqerisht shpreson që dy të plagosurit të shërohen sa më shpejt”, ka thënë Dioqeza Rashkë-Prizren në njoftimin për media pas sulmit të sotëm në veri. /Klankosova.tv