Incidenti mes dy aeroplanëve, AShNA fsheh fajin e vet (VIDEO) NULL NULL 12.09.2023 19:29 12.09.2023 19:29 Në marsin e këtij viti, Kiks Kosova raportoi se si për shkak të koordinimit joadekuat, dy aeroplanët e linjës “GP Aviation” nga Bullgaria dhe “Trade Air” nga Kroacia për pak sa nuk u përplasen, pasi ishin duke udhëtuar në një trajektore të njëjtë me një afërsi prej më pak se 180 metra. Incidenti ishte shmangur falë sistemit automatik TCAS_Ra dhe alarmimit të bërë nga Alb Kontrolli i Shqipërisë. Një hetim i gjerë nisi menjëherë pas raportimit, ku u përfshinë të gjitha institucionet që merren me menaxhimin dhe kontrollimin e hapësirës ajrore të ulët të Kosovës. Hetimet e këtij rasti janë në fazën përfundimtare dhe Kiks Kosova ka arritur të ketë një qasje të plotë në të gjitha dokumentet hetimore të incidentit të 24 shkurtit, i cili ndodhi kryekëput për shkak të gabimeve njerëzore dhe papërgjegjësisë në menaxhimin e kullës në Prishtinë. Raportet vënë në pah se si në ditën kritike më 24 shkurt të këtij viti, në njësinë ku menaxhohet radari që monitoron hapësirën e ultë ajrore dhe koordinon punën e fluturakeve, në punë ishin vetëm dy kontrollorë. Ani pse në bazë të procedurave standarde kërkohet që në këtë bazë radari të jenë 3 kontrollorë, përveç dy prej të cilëve merren me koordinimin e fluturakeve dhe shërbimeve te navigimit me shtete fqinje, duhet të jetë edhe një kontrollor i tretë, i cili është në rolin e mbikëqyrësit. Por çfarë kishte ndodhur në të vërtetë në ditën kritike dhe si u mundua që Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror të Kosovës ta kamuflojë rastin? Raportin preliminar për hetimin e incidentit, i cili e mban datën e 4 marsit 2023, i hartuar vetëm 8 ditë pas aksidentit, e të cilin e ka siguruar Kiks Kosova, u ndërtua vetëm në intervistat e dy kontrollorëve të përfshirë në incident. Në këtë raport nuk u përmend fare kontrollori i tretë, i cili përveç të tjerave, ka rolin kryesor për të parandaluar incidentet e pas ndodhisë, për faktin se duhet të marrë në menaxhim kullën e radarit. Gjatë intervistave, të dy kontrollorët A.Sh. dhe F.L. dhanë versionet e tyre, duke mos përmendur fare prezencën e mbikëqyrësit të tyre, i cili sipas informacioneve të brendshme, nuk kishte ardhur fare në vendin e tij të punës. Raporti preliminar zbulon të meta të mëdha në këtë institucion, i cili është jetik për sigurinë ajrore të Kosovës. Por pavarësisht të gjithave, kontrollorët nuk pranuan dështimin e tyre, ata u munduan ta hedhin fajin diku tjetër. Është interesant se ky raport e hedh fajin te koordinatat e dhëna nga Autoritetet e Aviacionit të Shqipërisë, e poashtu një pjesë e fajit u mundua të bijë edhe mbi pilotin e linjës se fluturimit të GP Aviation, me pretendimin se nuk u është përgjigjur thirrjeve të kontrollorëve kosovarë kur u munduan ta lajmëronin për mundësinë e përplasjes. Në fund të raportit theksohet se grupi hetimor, bazuar në të dhënat e shqyrtuara deri në hartimin e këtij raporti paraprak, vlerëson se gabimi njerëzor mund të ketë qenë një nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në incidentin e 24 shkurtit, kur u rrezikuan jetët e rreth 300 pasagjerëve. Sidoqoftë, në raportet e mëvonshme kontrollorët u njoftuan për gjendjen faktike nga një telefonatë që erdhi nga “Alb Kontrolli i Shqipërisë”, të cilët alarmuan kolegët nga Kosova se diçka nuk ishte në rregull me aeroplanët e linjës “GP Aviation” nga Bullgaria dhe “Trade Air” nga Kroacia. Të gjendur nën habi para këtij fakti, kontrollorët që nuk kishin vërejtur se aeroplanët po ecnin në trajektore të njëjtë, u vonuan dhe nuk reaguan. Por aksidenti fatmirësisht u shmang falë sistemit të radarit brenda aeroplanit, TCAS, i cili aktivizohet vetëm në rastin kur aeroplanët shkojnë drejt përplasjes. Ky sistem alarmi ka tre njoftime, një ndezët në largësinë prej 1000 feet (304.8 metra), i dyti në 800 feet (243.84 metra) dhe i fundit, i cili në fakt u ndez në këtë rast dhe që ndizet vetëm në shkallën më të rrezikshme afër përplasjes, pra kur aeroplanët ndodhen në largësi prej 600 feet (182.88 metra). *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Nimani i Nismës: Do të kemi zgjidhje të shpejtë në përputhje me Kushtetuesen 50 minuta më parë
Kosova Kundërshtimi i komisionit, LDK ankohet në Kushtetuese, proteston në foltore (VIDEO) 14 orë më parë