Shfaqet rasti i parë me ethe të minjve në Kosovë NULL NULL 23.08.2023 14:05 23.08.2023 14:05 Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë me dije se është shfaqur rasti i parë sivjet me ethe të minjve në Kosovë. Me anë të një njoftimi për media, ky institut ka bërë thirrje për kujdes. “Prindër të nderuar! Kujdesuni për fëmijët tuaj!Ruani ushqimet nga minjtë!Mos përdorni fruta mali të palara sepse mund të sëmureni nga ethet e minjve!” “Duke qenë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve”. Siç bën të ditur IKSHPK, burimi i infeksionit janë minjtë dhe sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. “Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjepruese”. Gjithashtu, theksohet se shkaktari i sëmundjes depërton në organizmin e njeriut përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës. “Trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë. Po që se të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat”. “Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës”. Më poshtë, IKSHPK ka treguar se cilat janë masat parandaluese ndaj kësaj sëmundjeje: Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane. Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve. Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies Mos hidhni mbeturina kudo Të bëhet klorimi i ujit të pijes Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.