Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dështimi i politikës ‘ngreh e mos këput’

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 08.08.2023 15:56
Blerim Shala
Blerim Shala

Në një adresim të paprecedent, 56 parlamentarë të 10 shteteve, përfshirë këtu edhe ata të SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, të cilët në mandatin e tyre e kanë politikën e jashtme, i janë drejtuar instancave më të larta të SHBA-së dhe BE-së, me një porosi fare të qartë: Kështu nuk bën më.

Në këtë letër, politika perëndimore karshi Serbisë dhe Presidentit të saj, Aleksandar Vučić, është vënë në thumb të një kritike e cila konkludohet me një qëndrim të prerë për ndryshimin thelbësor të saj  (të kësaj politike), apo, për ta aplikuar një qasje shumë më të balansuar duke u larhuar nga ‘Beogradocentrizmi’.

Mbetet të shihet në të ardhmen e afërt se çfarë ndikimi do të ketë kjo Letër, e cila u citua në masë të madhe jo vetëm në Kosovë dhe në Serbi  (në mediat që janë kundërshtare të regjimit të Vučićit), por edhe në mediat e gjithë rajonit.

Nuk duhet pasur farë njohurie të madhe të zhvillimeve në këtë anë të Evropës, veçmas që nga shpërthimi i Luftës në Ukrainë e deri tash, për të kuptuar se çfarë po ndodhë në raportet në mes të Perëndimit dhe Serbisë.

Serbia e sotme e Presidentit Vučić, është një fushëbetejë politike në mes të Washingtonit, Brukselit, Beogradit dhe Moskës.

Ky është fronti më i madh politik dhe diplomatik i Perëndimit në Evropë, pas atij të Ukrainës, ku natyrisht, Aleanca Veri-Atlantike dhe BE-ja i janë kundërvënë me të gjitha mjetet  (pos me ndërhyrjen e drejtpëdrejtë ushtarake), agresionit të Rusisë.

Janë disa arsye pse Perëndimi është angazhuar në një fushatë, e cila kombinohet me kërcënimet për ndëshkim, si dhe me ofertat për shpërblim, të politikës zyrtare të Serbisë.

Njëra prej tyre ka të bëjë gjithsesi me afërsinë që e ka Serbia me Rusinë.

Vučić ka menduar, mbase edhe mendon sot e kësaj dite që disi mund të dyzojë një afërsi emocionale dhe politike me Rusinë, (e Rusia më së shumti i duhet për të bllokuar anëtarësimin eventual të Kosovës në OKB), me neutralitetin ushtarak (refuzimi për t’u anëtarësuar në Paktin NATO), dhe me synimin e Beogradit zyrtar për të hyrë në BE.

Një qasje e tillë ka mundur të funksionojë disa para shkurtit të vitit të kaluar, kur Rusia e Vladimir Putinit ia mësyu Ukrainës, për ta pushtuar, madje, edhe për ta shkatërruar si shtet të pavarur.

Por, prej atëherë, një amalgam i këtillë politik është i pamundur, sepse ’përbërësit’ e tij nuk mund më të bashkëjetojnë dot.

Në anën tjetër, Perëndimi e di që Vučić dhe Beogradi kanë ende në vete potencialin për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor  (Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali i Zi), interes ky jetik i Rusisë.

Ky është shkaku tjetër pse Washingtoni, Brukseli, Berlini dhe Parisi duan që ta kenë sa më afër vetes Serbinë e Presidentit Vučić.

Megjithatë, politika e deritashme e Perëndimit, e cila me atë thënien e njohur shqiptare mund të definohet si ’ngreh e mos këput’, nuk po jep efektet e duhura.

Lideri serb në komunikimet private me zyrtarët më të lartë perëndimor, ’blen kohë’ për vete dhe për shtetin e tij  (duke mos e mëdyshur fort se ku kinse ky dëshiron të arrij), por në anën tjetër, në deklarimet e tij publike, në sjelljet dhe veprimet publike, ky po i humb kohë dhe madje, po e rrezikon qëndrueshmërinë edhe ashtu të brishtë të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Akti i tij skandaloz  (nuk mund të vlerësohet ndryshe), i shënimit të përvjetorit të Operacionit të Armatës së Kroacisë ’Oluja’  (gusht, 1995), javën e shkuar në Prijedor të Bosnjës dhe Hercegovinës  (qytetin i cili ka shënuar krimet më të mëdha ndaj civilëve, pas Srebrenicës), do të duhej të shërbente si një këmbanë alarmi për Perëndimin.

Ai, duke qenë krejt afër Milorad Dodikut, Presidentit të Republika Srpska-s dhe lidershipit të këtij entiteti, i cili i tëri është sanksionuar nga Administrata e Presidentit Biden, jo vetëm që u solidarizua me ata që duan ta prishin shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, por për më shumë, shpërfilli publikisht politikën amerikane.

Nëse Vučić nuk do të ndryshojë thelbësisht në javët dhe muajtë vijues, nuk mund të ketë konkludim të suksesshëm të dialogut Kosovë – Serbi, një shmangie nga humnera e Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe Qeveri stabile në Malin e Zi.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme