Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

MINT nuk po e thotë të vërtetën, Klan Kosova i ka ndërruar dokumentet menjëherë (VIDEO)

NULL NULL
30.07.2023 13:15
Klan Kosova

Duke marrë si shkas mënyrën e arsyetimit të Vendimit të kundërligjshëm të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, nga ana MINT e cila pretendon që Klan Kosova nuk ka bërë ndryshimet në dokumentet përkatëse, edhe njëherë detyrohemi që t’i ofrojmë opinionit sqarime shtesë, meqë të njëjtat nuk janë marrë parasysh nga ana e MINT gjatë shqyrtimit të Ankesës së Klan Kosova dhe për më tepër të njëjtit kanë bërë konstatim të gabuar të gjendjes faktitke.

Fillimisht, sqarojmë që Klan Kosova do ta ushtrojë të drejtën e saj ligjore për të kërkuar anulimin e Vendimit të kundërligjshëm dhe natyrisht do prezantojë të gjitha provat dhe shkeljet e njëpasnjëshme të MINT dhe ARBK. Mirëpo, përkundër këtij fakti, konsiderojmë se mashtrimi institucional nuk bën të kalojë dhe ne duhet të reagojmë ndaj çdo shtrembërimi të fakteve.

Konfirmojmë edhe njëherë, ashtu siç tregohet në dokumentin e bashkëngjitur, se dokumentet e ndryshuara mbajnë datën e 20 qershorit 2023 dhe të njëjtat janë dorëzuar në ARBK më datë 21 qershor 2023, kur edhe u mor vendimi për ta hequr pezullimin e certifikatës së Klan Kosova. Prandaj, ashtu siç është e njohur tashmë se në të njëjtën ditë u shkarkua drejtoresha e ARBK-së, u zëvendësua me një tjetër dhe sërish u pezullua jashtëligjshëm certifikata.

Për më tepër pas Vendimit të datës 28 korrik 2023 dhe njoftimit të MINT në rrjete sociale, në mënyrë që të rrëzojmë pretendimet lajthitëse të këtij njoftimi, të bashkangjitur në këtë komunikatë mund të gjeni gjithashtu Certifikatën e datës 28 korrik 2023, ora 19:00, e cila vërteton saktë edhe njëherë që ndryshimet janë bërë.

Për ta qartësuar përfundimisht, në dokumentet e Klan Kosova të paraqitura në MINT dhe në ARBK, siç shihet edhe në faksimilin bashkëngjitur, figuron vetëm Kosova.

 

Prandaj e kemi të paqartë pse MINT vazhdon të insistojë ta lidhë Klan Kosovën në mënyrë mashtruese me dokumente të Serbisë, gjithsesi shpresojmë që kjo do të qartësohet tutje në procesin gjyqësor që do të inicioj Klan Kosova.

_________________________________________________________________________________________________

Instituti i Medias i rekomandon qeverisë që ta anulojë vendimin për Klan Kosovën

 Refuzimi i ankesës së Klan Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit nga ana e Agjencisë për Regjistrimin e Biznesve, ka ngjallur reagime të mëdha vendore e ndërkombëtare.

Shumë organizata dhe personalitete janë shprehur kundër mbylljes së Klan Kosovës.

Me këtë rast ka reaguar edhe Instituti i Medias i Kosovës.

Ky institut i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës, që ta anulojë vendimin për mbylljen e Klan Kosovës, të datës 28 korrik.

“Jemi shumë të shqetësuar për pezullimin e certifikatës së biznesit të Televizionit “Klan Kosova”. Ky është një mesazh i keq për industrinë mediale në Kosovë dhe veçmas për ata që po investojnë në mediet”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet ndalja e veprimtarisë së Klan Kosovës, do të jetë një goditje shumë e rëndë për median dhe një imazh shumë i keq për Kosovën.

“Ftojmë Qeverinë e Kosovës ta rishikojë edhe një herë vendimin e marr ditë më parë dhe ta gjejë mënyrën më të mirë të që “Klan Kosovës”.

“I vlerësojmë lartë përpjekjet e “Klan Kosovës” për ta rregulluar gjithë dokumentacion e nevojshëm karshi ligjit mbi veprimtaritë mediale në vend. Ftojmë Qeverinë e Kosovës që të punojnë për të gjetur një rrugëdajle nga kjo situatë aspak e mirë. Mediat e lira janë një shtyllë themelore e demokracisë”.

“Instituti i Medias shpreson se Qeveria e Kosovës do ta anulojë vendimin për mbylljen e “Klan Kosovës” dhe do të reflektojë pozitivisht që ta mbrojnë lirinë e medias sepse mbyllja e një mediumi në Kosovë është shtypje ndaj fjalës së lirë”.

“Veproni sot, nesër mund të jetë vonë!”, thuhet në reagim.


 

“Mbyllja e Klan Kosovës akti më i gabuar i Qeverisë Kurti”

Refuzimi i ankesës së Klan Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit nga ana e Agjencisë për Regjistrimin e Biznesve, ka ngjallur reagime të mëdha vendore e ndërkombëtare.

Shumë organizata dhe personalitete janë shprehur kundër mbylljes së Klan Kosovës.

Madje edhe nga simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti.

Një reagim erdhi nga grupi në Facebook, Lolita.

“Pavarësisht afeksionit që kam ndaj kryeministrit Kurti, mbyllja e Klan Kosova më duket akti më i gabuar edhe më i rëndë gjatë qeverisjes së tij. Dua t’iu them mbështetësve të tij se nuk i bëni nder duke i dhënë të drejtë për çdo gjë. Askush nuk duhet t’i gëzohet mbylljes së një televizioni ku punojnë me dhjetëra të rinj, gazetarë e moderatorë”, thuhet në reagim.

“Ne kemi qenë mbështetës të Albin Kurtit, sa ishte në opozitë. Edhe si kryeministër e kam bindjen e brendshme që është kryeministri shqiptar më i pakorruptuar. Ndalova së bëri postime pro tij, për të mos e kthyer në servilizëm dhe për faktin që jetoj në Shqipëri, më dukej e padrejtë t’iu tregoja kosovarëve “sa të mirë e kam kryeministrin”, ashtu siç nuk më vjen mirë kur shoqet nga Kosova flasin në superlativa për Edi Ramën”.

______________________________________________________________________________________________________

Qytetarët e Tiranës kundër mbylljes së Klan Kosovës (VIDEO)

Refuzimi i ankesës së Klan Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit nga ana e Agjencisë për Regjistrimin e Biznesve, ka ngjallur reagime të mëdha vendore e ndërkombëtare.

Shumë organizata dhe personalitete janë shprehur kundër mbylljes së Klan Kosovës.

E kundër janë shprehur edhe qytetarët e Tiranës.

Ata thonë se vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, është i gabuar.

“Media duhet të jetë e lirë dhe e pavarur nga qeveria”, thonë tiranasit.

______________________________________________________________________________________________________

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.