LIVE| Kalon në kuvend Ligji për pagën minimale NULL NULL 13.07.2023 11:24 13.07.2023 11:24 22:04 – Kalon në kuvend Ligji për pagën minimale Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për pagën minimale. 60 deputetë ishin pro këtij ligji, ndërsa vetëm një ishte kundër. Këtij vendimi iu gëzua shefi i qeverisë, Albin Kurti. Në Facebook, ai njoftoi se me këtë ligj, paga minimale do të jetë 264 euro bruto dhe se 100 mijë punëtorë do të përfitojnë nga kjo rritje. “Me miratimin në lexim të dytë në Kuvend, mundësohet rritja e pagës minimale. Nga 130 euro e 170 euro, në 264 euro bruto për të gjithë. Për punëtorët nën 35 vjeç rritje e pagës minimale për 103%, ndërsa për punëtorët deri në 65 vjeç rritje për 55%. Po ashtu hiqet tatimi në të ardhurat personale për pagat deri në nivelin e pagës minimale”. “Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë, ndërsa nga heqja e shkallës së parë tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët”. Sipas Kurtit, kjo shumë ua siguron një jetë të dinjitetshme punëtorëve. /Klankosova.tv Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS 19:56 – Votohet Ligji për çmimin e produkteve medicinale Është votuar Ligji për çmimet e produkteve medicinale. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një postimi në Facebook ka falënderuar deputetët që siç u shpreh ai, me përkushtim të jashtëzakonshëm punuan që ky ligj të bëhet sot realitet. Vitia është shprehur se me këtë ligj nisë një epokë e re për ta mbrojtur secilin nga abuzimet me çmimet e barnave, përcjell Klankosova.tv. “Sot Kuvendi i Republikës votoi Ligjin për çmimin e produkteve medicinale. Falemnderime të gjithë deputetëve të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm punuan që ky ligj të bëhet sot realitet. Të dashur qytetarë, me këtë ligj nisim një epokë të re për ta mbrojtur secilin prej jush nga abuzimet me çmimet e barnave. Na pret një punë e madhe deri tek jetësimi i plotë i Ligjit të ri. Por jemi bërë gati që ta realizojmë pa asnjë vonesë”, thuhet tutje në shkrimin e tij. 19:48 – Opozita lëshon sallën, largohen edhe pankartat (VIDEO) Partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, aty ku po mbahej seanca. Para kësaj, nga salla janë larguar edhe pankartat në të cilat ishin paraqitur kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari, me hunda të zgjatura Pjesë e këtyre pankartave ishte edhe shprehja në gjuhën serbe, “Zdravo”. 19:18 – Pas përleshjeve, momente më relaksuese në Kuvend (VIDEO) Pas tensioneve në Kuvendin e Kosovës, opozita e ka kundërshtuar vazhdimin seancës. Deputetët e PDK-së, në seancën e kuvendit kanë vendosur pankarta në të cilat shihen kryeministri i vendit, Albin Kurti, e shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari, me hunda të zgjatura e shprehjen serbe “zdravo”, përcjell Klankosova.tv. Ndërkaq, pas disa minutash, situata ka qenë pak më e relaksuar, ku pas çdo votimi, deputetja Ganimete Musliu ka brohoritur “Zdravo Qeveria”. 17:05 – Sërish dhunë në Kuvend Në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit, janë krijuar përsëri tensione mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të VV-së. Tek foltorja e kuvendit, të cilën e kanë bllokuar deputetët e PDK-së është krijuar tollovi, e cila çoi në kacafytje, ku kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka thirrur sigurimin. Ndërsa, ka pasur edhe sulme ndaj kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca, i cili u gjuajt me shishe uji. 15:50 – PDK-ja s’e lejon vazhdimin e seancës në Kuvend Disa deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë dalë te foltorja Kuvendit të Kosovës për të mos e lejuar vazhdimin e seancës. Kjo pasi ka pasur kërkesa nga PDK-ja që të ndërpritet seanca me arsyetimin se pas përleshjes fizike që ndodhi në sallë, nuk janë kushtet dhe vullneti për vazhdim të seancës. Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vlerëson se vullneti i mazhorancës është që seanca të vazhdojë. 15:39 – Konjufca s’i përfill kërkesat e LDK-së dhe PDK-së për ndërprerje të seancës Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nuk i ka përfillur kërkesat e LDK-së dhe PDK-së për ndërprerje të seancës. Këto kërkesa të partive opozitare kanë ardhur pas një përleshjeje që ka ndodhur në sallë të Kuvendit, raporton Klan Kosova. Sipas tij, vullneti i mazhorancës në sallë është që seanca të vazhdohet. Kujtojmë se sot në mesditë ka ndodhur një përleshje fizike ndërmjet disa deputetëve të PDK-së dhe përfaqësuesve të pushtetit. 15:30 – Përleshja në Kuvend, Gashi i LDK-së propozon që të përmbyllet seanca e sotme Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka propozuar që të ndërpritet seanca e sotme në Kuvend. Kjo pas përleshjes që u zhvillua ndërmjet disa deputetëve të PDK-së, me përfaqësues të Qeverisë Kurti, raporton Klankosova.tv. 15:19 – Rifillon seanca pas dhunës së sotme në parlament Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë rikthyer në seancë pas përleshjes së sotme. I pari që e rinisi këtë seancë ishte kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke e dënuar dhunën që ndodhi. 15:29 – Konjufca pas rrahjes në kuvend: Të përpiqemi ta kalojmë këtë ditë të vështirë për vendin Kryetari i kuvendit, Glauk Konjfuca, pas rikthimit të seancës, të cilën e ndërpreu dhuna, tha se kuvendi i ka rezistuar akteve të dhunës fizike prej vitit 2001. Ai tha se deputetët dhe partitë mes vete kanë pasur probleme të natyrave të tjera, por jo në kuptimin fizik “drejt fytyrës, kokës e trupave me ia mësy njëri-tjetrit, siç e pamë sot në kuvend”. “Ne i kemi betejat tona. Ne i kemi mosmarrëveshjet tona, ne i kemi si forca politike papajtueshmeritë tona të thella ndonjëherë, por ato mospajtime, gjithmonë, i bëjmë nder vendit, nëse i mbajmë në nivelin e funksionimit të domosdoshëm, minimumit normal të funksionimit të institucioneve tona, të cilat edhe monitorohen dhe shikohen prej qytetarëve e botës të jashtme”. “Deri tash ia kemi arritur me sukses dhe janë më shumë se dy vjet që ekziston kjo legjislaturë. Unë iu bëjë thirrje që ta merrni me qetësi punën që e bëjmë së bashku dhe të përpiqemi që ta kalojmë këtë ditë të vështirë dhe këto momente të vështira për vendin tonë”, tha ai, njofton Klankosova.tv Më tej, Konjufca iu bëri thirrje të gjithë deputetëve që të kenë një minimum të një sjellje e cila sipas tij, do t’i kishte gëzuar të gjithë qytetarët, teksa tha se ka biseduar me Kurtin dhe ky i fundit është pajtuar që të tërhiqet nga mbajtja e fjalës së tij. “Ne s’i kemi kursyer fjalët më të rënda për njëri-tjetrin, por ato janë fjalë. Në momentin kur kalohet prej fjalëve në goditje, ato si veprime pastaj s’janë vetëm që trajtohen vetëm në kuvend, por ato e tejkalojnë kuvendin, pastaj janë një pushtet krej i vecantë me të cilat merret. A është për deputetin, si posti më fisnik në vendin tonë, e denjë një sjellje e tillë. Unë them që jo”. “Meqenëse është puna kështu, unë fola edhe me kryeministrin. Ai po heq dorë nga fjala e tij që e pat, dhe ne si deputetë e kemi një mirëkuptim për njëri-tjetrin, për të vazhduar te një pikë tjetër, vazhdojmë te pyetjet parlamentare dhe është procedura normale, atëherë këtë e presin qytetarët prej nesh, e të gjitha ato të tjerat duhet të merren organet kompetente”, tha Konjufca, njofton Klankosova.tv. Tutje, kreu i kuvendit tha se uron që sjelljet që u panë sot në seancë të mos përsëritën më. “Iu kisha lutur si kryetar i kuvendit, për këtë kapitull të ri që duhet hapur pas kësaj dite të vështirë, pas atyre veprimeve të papranueshme të cilat i pamë, urojmë që të mos përsëritën më”. “Nëse e kam këtë mirëkuptim prej krejt deputetëve, mirë, por nëse jo, atëherë do të ishte një ogur i zi për Kosovën, i cili na con në faza krejt të paparashikueshme, edhe për Kosovën por edhe për qytetarët”, tha Konjufca, njofton Klankosova.tv. 15:04 – Hovenier: Dhuna nuk është kurrë mjet i pranueshëm për mosmarrëveshje Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka reaguar mbi zhvillimet e fundit në Kuvend ku pati rrahje mes deputetësh prezentë në seancë. Hovenier shprehet se do donte që t’mos kishte nevojë të tregonte se dhuna, asnjëherë s’është mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet, megjithatë, përmes një cicërime në twitter ai detyrohet ta përmend atë, transmeton klankosova.tv. ”Keqardhje të shohësh çfarë ndodhi sot në Kuvendin Kombëtar të Kosovës. Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mosmarrëveshje. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë”. 14:54 – Abdixhiku: E dënojmë dhunën e sotme dhe e konsiderojmë se nuk ka vend në Kuvend Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e dënojnë dhunën që sot është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës. Para mediave, ai ka theksuar se LDK-ja do t’i mbajë parimet e saj të demokracisë. “Pamjet e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk e kanë vendin asnjëherë, nuk e kishin vendin as sot, nuk e kishin vendin as në të shkuarën”. “Ne e dënojmë dhunën e sotme dhe e konsiderojmë se nuk ka vend në Kuvend, LDK-ja do të mbajë në frymën e vet themeltare identitare sjelljen e vet demokratike, si shembull i sjelljes politike në vend”, ka thënë Abdixhiku. I pyetur se a mendon se dhuna nisi nga Besnik Bislimi, ai tha: “Këto elemente janë të qarta për të gjithë i parë goditjet, dhe sjelljet e tyre, pra dhuna është dhunë, dhe ne e dënojmë”./Klankosova.tv. 14:42 – Korenica: Në Kuvend duhet të flasim me gjuhën e argumentit dhe jo të forcës Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korencia, ka reaguar pas rrahjes në Kuvend, duke thënë se është e papranueshme që të ndodhin skena të tilla. Korenica ka thënë se deputetët duhet të përleshen me gjuhën e argumentit sa i përket kundërshtimeve politike dhe jo me atë të forcës. Deputeti nga partia në pushtet, Korencia para mediave nuk mohoi se veprime provokuese ka pasur edhe në kohën sa kanë qenë në opozitë, mirëpo shtoi se përleshjet fizike siç ndodhën sot, nuk do të duhej të ndodhnin asnjëherë në Kuvend. I njëjti tha se kjo në arenën ndërkombëtare do t’i kushtojë shumë mbarëvajtjes së hapësirës brenda Kuvendit. “Natyrisht se ngjarja është shumë e papëlqyeshme dhe skena të tilla nuk do duhej të ndodhnin në Kuvend. Deputetët duhet të përleshen me gjuhën e argumentit sa i përket kundërshtimeve politike që mund t’i kenë karshi pozitës, pra opozita. Kjo në arenën ndërkombëtare do t’i kushtojë bajagi shumë mbarëvajtjes së hapësirës brenda Kuvendit që do duhej të ishte për të gjitha institucionet e tjera si do duhej të silleshin përbrenda, sepse në fund jemi përfaqësues të qytetarëve. Uroj që kjo të jetë një e kaluar e hidhur, por mos të përsëritet më. Brenda Kuvendit duhet të flasim me gjuhën e argumentit dhe jo të forcës, sepse kjo nuk i shërben askujt, aq më pak shtetit tonë i cili me të gjitha mundimet e sakrificat ku kemi ardhur në këtë situatë po mundohemi t’i tejkalojmë barrierat që kemi përpara”, tha Korenica. Korenica ka kërkuar nga të gjithë deputetët që të kontribuojnë për të mirën e vendit, dhe të sillen në mënyrë të civilizuar brenda përgjegjësive që kanë si përfaqësues të popullit. Ndërkaq, për veprimet e ditës së sotme, ai tha se janë organet kompetente që do t’i gjykojnë. Sipas tij, është e pranueshme që dikujt të mos i pëlqej shtrimi i sovranitetit në mënyrë të plotë në Kuvend. “Nuk isha prej fillimit, dhe nuk është në përgjegjësinë të gjykojë, sepse janë organet që do gjykojnë gjithë çfarë ka ndodhur brenda. Duhet të sillemi në mënyrë të civilizuar brenda përgjegjësive që kemi si përfaqësues të popullit. Provokime do ketë çdoherë. Sigurisht se dikujt mund të mos i pëlqej shtrimi i sovranitetit në mënyrë të plotë në Kuvend, dikush edhe e sheh ndryshe ndoshta veprimin e Qeverisë, por natyrisht që nuk kërkojmë të mendojë njëjtë, megjithatë të mundohemi secili prej nesh të japim kontributin tonë në mënyrë që vendi të ec përpara”, vijoi Korenica. Korencia tha se provokime të ndryshme ka pasur edhe në kohën sa ka qenë qeveria në opozite, mirëpo sipas tij, përleshjet e tilla fizike nuk do duhej të ndodhnin më. “Provokime ka pas nga fillimi seancës, nuk them se ka filluar nga zëvendëskryeministrit. Pra, vendosja e fotografisë është provokim. Nuk po mohoj çfarë ka ndodhur në të kaluarën, ne kemi gjuajt edhe me vezë në të kaluarën e me sprej… Përleshjet fizike në asnjë formë nuk do duhej të ndodhnin në Kuvend”, tha mes tjerash Korenica. Duke folur për përleshjet që ndodhën në Kuvend, Korenica tha se pas pauzës rrjedha e seancës do duhej të kthehet në normalitet. 14:39 – Përplasjet në Kuvend, Osmani: Dëm i madh ndaj institucioneve përdorimi i dhunës fizike Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, ku pati përplasje mes pozitës dhe opozitës. Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë. “Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”. “Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”, ka shkruar Osmani./Klankosova.tv 14:54 – Pas pauzës dyorëshe që erdhi si pasojë e një përleshjeje në Kuvend, deputetët janë kthyer në sallë. Incidenti ndodhi pasi deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e lagi me ujë kryeministrin Albin Kurti, i cili hasi në rezistencë, raporton Klan Kosova. 13:43 – Kadrijaj fajëson pushtetin për përleshjen në Kuvend Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e ka fajësuar pushtetin për përleshjen e sotme në Kuvend. Në një prononcim para gazetarëve, ajo ka thënë se gjuajtja e kryeministrit me ujë është veprim demokratike, raporton Klan Kosova. “Deputeti e ka gjuajtur me ujë, nuk është sulmuar Kurti, por deputetët janë sulmuar nga zëvendësministrat dhe ministrat e Qeverisë Kurti”, ka thënë ajo. “Gjuajtja e kryeministrit me ujë është një veprim demokratik. Nuk na vjen mirë për pamjet që janë krijuar, por kemi parë reagimin e ministrave të pushtetit, këta kanë qenë nxitës të dhunës”, ka shtuar ajo. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 13:42 – Përplasjet në Kuvend, Salihu: Tash thirreni prapë Radojçiqin e ankohuni për shqiptarët Njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu, ka reaguar për përplasjen që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës mes pozitës dhe opozitës. Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk mundet që të durojë kritikat. “Çfarë zv.kryeministri je kur s’mund e duron një aksion simbolik opozitar me postera, e shkyn posterin, godet deputetet e opozites me shishe dhe e provokon një përleshje te tille?! Ju qe keni gjujt me shishe xhami ne Parlament, tash s’po mund e duroni një poster, a?!”. ” Ju qe keni gjujt biber-sprej, s’po mund duroni me ju lag me uje, a?! Po bisedoni me kryekriminelin serb ne arrati, por nuk po mund ta duroni kritiken e deputetëve shqiptare?! Tash thirreni prapë Millan Radojçiqin e ankohuni për shqiptarët…”, ka shkruar Salihu./Klankosova.tv 13:38 – Momenti kur Mërgim Lushtaku e godet me shuplakë Besnik Bislimin (VIDEO) Seanca e sotme e Kuvendit eskaloi në dhunë fizike. E gjitha nisi pasi deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, hodhi ujë në drejtim të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, e zëvendësit të tij, Besnik Bislimi. Bislimi më pas tentoi ta godas me shishe Lushtakun, por goditja e tij shkoi huç, e më pas kërcitën grushtet e shuplakat. Në pamjet e siguruara nga Klan Kosova, shihet se Mërgim Lushtaku, pasi përvidhet nga deputetët e pozitës, truprojat e kryeministrit e policët civilë, arrin ta godas më shuplakë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Dhuna në kuvend e detyroi kryetarin e parlamentit, Glauk Konjufcën, që deputetët t’i çojë në pauzë dyorëshe. *Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS. https://www.youtube.com/watch?v=Lr3kPZEziY0 13:26 – Prelvukaj: Deputetet e opozitës duhet të përmbahen nga provokimet e partisë në pushtet Genc Prelvukaj, ish-anëtar i PDK-së, ka reaguar për përplasjen që ndodhi sot mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës. Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se dhuna është gabim, por se deputetët e pozitës janë duke i provokuar ata të opozitës. “Goditja me shishe e Besnik Bislimit që më pas provokoi dhunën në Kuvend, shpreh mjerimin e partisë në pushtet. Ndërkohë i paskan stimuluar fundamentalistët e tyre, rëndom të pa nivel, për të kaluar fajin tek krahu tjetër”. “Tani kush viktimizohet? Ata që sollën dhunën nga rruga në institucione; ata që me gur të mëdhenj thyenin kokat e policëve në detyrë. Ata që hidhnin vezë, ujë, gur e ngjyrë ndaj zyrtarëve të shtetit. Ata që sulmonin me eksploziv shtëpitë e kundërshtarëve, ata që alivanosnin deputetë me gaz lotsjellës. Ata që nuk lanë pa njollosur, linçuar e sulmuar verbalisht secilin që mendon ndryshe, ata që krijuan diskurs ndaj luftës…. Pastaj, ata që nuk kanë hedhur asnjë lopate zalle për tri vjet në qeverisje, derisa çmimet kanë arritur në stratosferë e populli varfërohet çdo ditë”. “Ata që po kthehen me bisht nën shalë nga veriu pasi na futën në sanksione dhe dëmtuan raportet me aleatët. Ata që përplasen me Shqipërinë, derisa komunikimin me strukturat kriminale serbe e zhvillojnë paqësisht. Gjithsesi dhuna është gabim, ndaj deputetet e opozitës duhet të përmbahen nga provokimet e partisë në pushtet, një kolektiv ky që përveç rrugaçërisë nuk di të bëjë asnjë gjë tjetër”, ka thënë Prelvukaj./Klankosova.tv 13:10 – VV: Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas përleshjes së sotme që ndodhi në Kuvendin e Kosovës. Sipas VV-së, ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë, raporton Klan Kosova. “Krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetushmërisë në Republikë. Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht”, thuhet në reagimin e VV-së. “Teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në veri të vendit, disa deputetë të PDK sulmuan me grushta, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës”, shton ky subjekt politik. Sipas VV-së, ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi. “Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë”, thuhet tutje. “Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla”, shton VV. Tutje, VV thotë se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për drejtësi dhe kriminelët që kanë dëmtuar shoqërinë e Kosovës për t’u pasuruar padrejtësisht, nuk do të amnistohen. 13:03 – Lushtaku pas përleshjes: Reagimi ishte kundër Radojçiqit dhe argatëve te tij Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar pas përleshjes së tij me përfaqësues së pushtetit në Kuvend. Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se reagimi i tij ishte kundër Radojçiqit dhe argatëve te tij, raporton Klan Kosova. 12:54 – KDI: Të papranueshme përplasjet politike të shndërruara në përplasje fizike Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës u shoqërua nga skena të papranueshme të dhunës. Sipas KDI-së, një kuvend, puna parlamentare e të cilit është mbushur me fyerje e ofendime, pa debate përmbajtjesore, kulmoi sot në skena të shëmtuara të konfrontimeve fizike, raporton Klan Kosova. “Imazhet sikurse këto janë rezultat i një klime joparlamentare, të cilës të gjithë aktorët politik parlamentar, pa dallim, duhet të mos i kontribuojnë. U bëjmë thirrje të gjithë partive politike dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të distancohen nga kjo klimë dhune që prodhoi skena të papranueshme brenda Kuvendit. Dhuna, asnjëherë, përballë çfarëdo situate nuk mund të jetë mjet politik dhe në asnjë kontekst nuk mund të përligjet sikurse kjo e sotshmja”, thuhet në reagimin e KDI-së. Po ashtu, KDI kërkon nga organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha masat e parapara me ligj ndaj akterve të përfshirë në dhunë. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 12:36 – Rama për rrahjen në kuvend: Opozita të distancohet nga kjo sjellje, turp që sot i bën dëm Kosovës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas përplasjes që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, por sipas tij, ta shprehesh kundërshtinë me forcë është njollosje ndaj vetes, zgjedhësve dhe krejt shtetit. “Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit”, tha Rama, transmeton Klankosova.tv. Ai më tej tha se “imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazevendësueshëm të Kosovës, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e grushta”. “Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës”, tha Rama, transmeton Klankosova.tv. *Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS. 12:31 – Kuvendi në pushim dyorësh pas rrahjes, nuk dihet nëse rifillon seanca Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se kuvendi shkon tashmë në pauzë dyorëshe, pas situatës së krijuar nga rrahja mes deputetësh ndërsa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim. Konjufca tha se tek pas këtij pushimi, merret vendim nëse do rifillojë seanca me pikat e parapara, ose jo, transmeton klankosova.tv. 12:30 – Tahiri: Pushtetit të koordinuar mes Kurtit e Radojiçiqit po i shihet fundi Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar pas rrahjes që ndodhi në kuvendin e Kosovës. Ai tha se grushtet e pushtetit ndaj deputeteve, janë akti i fundit i kapitullimit. “Grushtet e pushtetit ndaj deputeteve, janë akti i fundit para kapitullimit. Pra, tash është e qartë se pushtetit të koordinuar mes Kurtit e Radojçiqit po i shihet fundi”, tha Tahiri, transmeton Klankosova.tv. Kujtojmë se më herët, deputetët e VV-së dhe ata të PDK-së u grushtuan me vete, pasi deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, hodhi ujën ë drejtim të kryeministrit Kurti. *Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS. 12:22 – Masa shtesë sigurie në kuvend, pas rrahjes së deputetëve Pas përplases mes deputetëve, në holl të Kuvendit të Kosovës, janë parë masa shtesë sigurie. Madje edhe jashtë kuvendit, janë parë forca shtesë të policisë, ndërsa edhe iu është ndaluar hyrja brenda objektit në kuvend, transmeton klankosova.tv. 12:17 – Meta për Klan Kosova: Jemi të gatshëm ta mbrojmë Kurtin – seanca s’mund të vazhdojë Deputeti i Vetëvendosjes nga Lista GUXO, Burim Meta, ka thënë se gjatë momentit të rrahjes në seancë, ai ishte në sallë dhe tani janë në gjendje gatishmërie për ta mbrojtur Kurtin. Sipas tij, që nga fillimi i seancës, opozita ka shfaqur agresivitet verbal, me ofendime e sharje. “Si duket nuk iu mjaftoi një gjë e tillë dhe filluan edhe në forma të tjera me fotografi të ndryshme, e edhe kjo ishte e pamjaftueshme dhe filluan me agresivitet fizik në drejtim të qeverisë”. Çfarë të bëjmë tjetër përveç që të dënojmë këtë akt i cili nuk do të duhej të ndodhte në këtë shtëpi të demokracisë aty ku duhet flitet e jo të tentohet të rrahet dikush”, tha Meta për Klan Kosova. Tutje, ai iu bëri thirrje organeve kompetente që të gjthë akterët që çuan në këtë situatë të merren me ta. “Shkaktarët ishin opozita. Nuk bëhet protesta duke rrahur, por në forma të tjera. Ne po tregojmë, derisa janë në këmbë deputetët e opozitës, ne po tregojmë se edhe ne jemi në gjendje gatishmërie. Ne po presim që ata të ulën së pari e pastaj të ulemi edhe ne. Ne jemi duke e realizuar mbrojtjen, jo sulmin”, tha ai, njofton Klankosova.tv. Meta tha se në rrahje ishin të përfshirë vetëm deputetët e PDK-së dhe VV-së, ndërsa sipas tij, seanca nuk mund të vazhdojë. 12:10 – Përleshja në Kuvend, shishe e grushte ndërmjet PDK-së dhe VV-së Sot derisa ishte duke u zhvilluar një seancë plenare në Kuvendin e Kosovës, një përleshje fizike ka ndodhur ndërmjet disa deputëtëve të PDK-së me përfaqësues të pushtetit. Gjithçka nisi me deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili nga ulësja e tij u nis për ta lagur me ujë kryeministrin Albin Kurti, derisa ky i fundit ishte duke mbajtur një fjalim në foltore, shkruan Klan Kosova. Këtë tendencë të Lushtakut, e vërenë ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe niset për t’i bllokuar me follderin e tij stërpikat e ujit që dalin na shishja e Lushtakut në drejtim të Kurtit. Pastaj Lushtaku kthehet në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për ta lagur edhe atë me ujë dhe e hedh shishen në drejtim të tij. Si përgjigje, Bislimi e kapi një shishe që ishte mbi tryezën e tij dhe e goditi me të Lushtakun në fytyrë. Ky i fundit niset që ta sulmojë Bislimin, ku më pas bllokohet nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Financave, Hekuran Murati. Aty ndërhynë edhe deputeti tjetër i PDK-së, Hajdar Beqa dhe fillon të sjellë me grushte në drejtim të ministrit Murati dhe të tjerëve. Pas përshkallëzimit të situatës, ndërhyjnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe së bashku me të pranishmit e tjerë që ishin në sallë, arrijnë që t’i ndajnë palët dhe ta largojnë kryeministrin Kurti. 12:04 – Cakolli (KDI): Me ngjarjen në Kuvend sot Kosova u bë gaz i botës Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se Kosova është bërë gaz i botës pas pamjeve që sot kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës ku janë përplasur e rrahur fizikisht deputetët e pozitës, opozitës dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se qytetarët e vendit nuk e meritojnë një gjë të tillë. “Ata deputetë e anëtarë të ekzekutivit që me dhunë ose provokime i zgjidhin mospajtimet, s’i meritojnë ato mandate e ato pozita”. “E qytetarët, s’e meritojnë këtë skenë turpi, e aq më pak këtë Kuvend. Gaz i botës!”, ka thënë Cakolli./Klankosova.tv 11:43 – Pas rrahjes në Kuvend – Kurti, ministrat e deputetët ende nuk janë ulur Përplasja mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës që ndodhi sot ka përfunduar. Por të gjithë deputetët dhe kabineti qeveritar janë në këmbë bashkë me kryeministrin Albin Kurti, nuk janë ulur në vendet e tyre përkatëse. Pranë Kurtit janë duke qëndruar mbrojtja e tij e afërt dhe ministrat bashkë me deputetët e LVV-së përreth. E gjithë përplasja ndodhi derisa Kurti ishte duke mbajtur fjalim në Kuvend./Klankosova.tv 11:36 – Kjo është deklarata e Kurtit para se të ndodhte përplasja në Kuvend Kryeministri Albin Kurti ka folur për marrëveshjen që e ka nënshkruar në Bratisllavë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Ai ka thënë se atje nuk është arritur një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “Marrëveshja që u bë nuk është marrëveshje për normalizim, është marrëveshje për deeskalim në të cilën ne natyrisht nuk heqim dorë nga zbatimi i ligjit, nga sundimi i ligjit, nga luftimi i krimit të korrupsionit e kontrabandës”. “Por në të njëjtën kohë edhe e kemi shfaqur ndjeshmërinë për rëndësinë e paqes së qëndrueshme, të stabilitetit afatgjatë të sigurisë për të gjithë, e cila nënkupton që të kemi ndjeshmëri që në këto dy javët e fundit nuk ka pasur as protesta të dhunshme, as incidente, as sulme në veri të Kosovës”, ka thënë Kurti./Klankosova.tv Derisa Kurti ishte duke mbajtur fjalim në Kuvend, ndodhi një përplasje mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. 11:24 -Përleshje në Kuvend mes pozitës dhe opozitës Në Kuvendin e Kosovës ka ndodhur një përleshje ndërkohë sa po mbante fjalim, kryeministri Albin Kurti. Raportohet se në ato momente, Kurti është spërkatur me ujë, derisa edhe ka pasuar reagimi i të pranishëve, transmeton klankosova.tv.
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se kuvendi shkon tashmë në pauzë dyorëshe, pas situatës së krijuar nga rrahja mes deputetësh ndërsa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim. Konjufca tha se tek pas këtij pushimi, merret vendim nëse do rifillojë seanca me pikat e parapara, ose jo, transmeton klankosova.tv.