Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rrëzimi për toke

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 20.06.2023 16:54
Blerim Shala
Blerim Shala

Në futboll të gjithë merremi vesh. Si në politikë. Dihet. Dhe secili prej nesh mendojmë që e kemi të vërtetën në dorë kur flasim për futboll dhe për politikë. Dhe që do të bënim mrekullinë. Po të na jepej rasti ta udhëheqim qeverinë në politikë, apo përfaqësuesen në futboll.

Sidoqoftë, duket se të tërë ne, pas natës së mbrëmshme të disfatës së rëndë në Budapest, të cilën shumëkush e kualifikoi me të drejtë, nga barku i plastë (si thuhet), si të turpshme, mund të vijmë lehtë tek tri të vërtetat konsensuale, nëse flasim sinqerisht për përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

E vërteta e parë është që Kosova u vet-eliminua, në mënyrën më të keqe të mundshme, nga garat për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të futbollit, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm. Nuk ke çka të diskutosh më tepër për këtë punë.

E vërteta e dytë është që në përbërjen e Kosovës ka lojtarë të kualitetit të lartë, të cilët secili, veç e veç, e ka një rrëfim suksesi kudo që luajnë, në Evropë, edhe në Kosovë. As këtu nuk kemi çfarë të debatojmë.

E vërteta e tretë është që Kosova si ekip, si përfaqësuese, nuk e ka kualitetin e duhur dhe të kërkuar për ta bërë atë depërtimin e parë të madh në elitën e futbollit evropian dhe botëror.

Këtu, tumirja me gjasë vjen me një heshtje. Apo, thënë më mirë, me ofshamë.

Të kuptohemi: Nuk ka recetë për ta mbërritur suksesin në futboll. Edhe reprezentacionet më të mira rrëzohen apo dështojnë. Të gjitha mund t’i ketë një njëmbëdhjetëshe, duke përfshirë këtu edhe një super-trajner, por nëse nuk ka pak fat, ky ekip apo kjo përfaqësuese, mund të pësojë disfatë të hidhur. E pamë çka i ndodhi Kroacisë në finalen me Spanjën, në finalen e Ligës së Kombeve, pak ditë më parë.

Megjithatë, në rastin e Kosovës, rrëzimi për toke në kualifikimet për Kampionatin Evropian, është shumë i dhimbshëm. Humbjet dhe fitoret janë pjesë e një ‘valute’ të vetme në sport. Por, kjo fushatë sportive për të hyrë në Evropë (në nivelin më të lartë) me futboll, mori epilog në trajtë të një bankrotimi të plotë.

Natyrisht, çmimin kryesor për këtë devalvim të keq të përfaqësueses së Kosovës, e pagoi ai që ka përgjegjësinë kryesore për këtë dështim: përzgjedhësi Alain Giresse.

Detyra apo roli i një përzgjedhësi është e ditur kudo në botën e futbollit, ashtu edhe te ne.

Së pari, ai duhet të bëjë seleksionimin e lojtarëve më të mirë që ka ai shtet.

Së dyti, nga ajo cilësi që shfaqet në formë të emrave dhe të mbiemrave të secilit lojtar, ai duhet të krijojë një përbërje që funksionon mirë, dhe që është reflektim i atij kualiteti bazë.

Natyrisht, shuma e kësaj cilësie të një njëmbëdhjetëshi në futboll, krijon një vlerë të shtuar, apo një super-kualitet.

Në shembullin e Kosovës pra, siç e kemi dëshmuar të gjithë ne, ka ndodhur e kundërta.

Përfaqësuesja e Kosovës, si tërësi, është larg asaj vlere që e kanë lojtarët e këtij reprezentacioni.

Ky është paradoks në vete. Dhe thuaja, i pashpjegueshëm.

Çka nuk ka funksionuar në këtë përfaqësuese do ta kuptojmë ditëve dhe javëve në vijim.

Mbase, do ta marrim vesh edhe kush do të jetë trashëgimtari i Giresse.

Çfarë dimë tani është që futbolli kosovar me lojtarët që ka, si jashtë në Botë, ashtu edhe brenda, këndejpari në Kosovë, meriton rezultate më të mira, shumë më të mira madje.

Është ky një investim sportiv por pse të mos themi, edhe politik dhe diplomatik, i cili ia vlen, sepse ai, pos që do të na bëjë të gjithëve krenarë, do të ketë si pasojë njohjen e Kosovës si shtet kudo në Botë. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme