Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rendi i gjërave 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 04.06.2023 15:26
Blerim Shala
Blerim Shala

Zgjedhjet duhet të përsëriten në katër komunat e Veriut të Kosovës. 

Qytetarët serbë duhet të marrin pjesë në votimin e ri në Mitrovicën e Veriut, në Zveçan,  Zubin Potok dhe Leposaviq. 

Dialogu për zbatimin e Marrëveshjes për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve  në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe të Aneksit të Ohrit, duhet të vazhdojë në Bruksel, ku  njëra prej temave është edhe Asociacioni. 

Brenda dy-tri ditëve, kudo në kryeqendrat perëndimore u arrit një dakordim për këto tri  pika, të cilat, nëse do të përkrahen në Prishtinë dhe në Beograd, synojnë që ta ndryshojnë  në mënyrë thelbësore gjendjen politike dhe të sigurisë në Veriun e Kosovës, dhe të krijojnë  një atmosferë më pozitive në dialogun e Brukselit, i cili tash e dy muaj është në gjendje të  ngecjes evidente. Nuk gabohet nëse thuhet që ky dialog është në ‘infuzion’ politik dhe  diplomatik. 

Vizita me 5 dhe 6 qershor në Prishtinë dhe në Beograd e Emisarit Special të BE-së për  dialog dhe për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajčak dhe homologut të tij nga SHBA-ja,  Gabriel Escobar, ka për qëllim këndelljen e dialogut dhe paqëtimin e Veriut. Zatën, nuk ka dialog me një Veri të këtillë. 

Nëse kthehemi prapa, në muajin shtator të vitit të kaluar, do të na kujtohet të gjithë neve  që edhe asokohe, tensionet e Veriut (si dhe Lufta në Ukrainë) ishin gjenerator i Propozimit  franko – gjerman (evropian). 

Për më shumë, mendohej dhe llogaritej në atë kohë, që ky Propozim do të ketë efekte  imediate në stabilizimin e gjendjes së sigurisë në Veri, dhe në hyrjen në një fazë kur  ‘ambrella’ e Propozimit Evropian, do të mundësojë dhe do të garantojë marrëdhënie stabile  dhe të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Kjo ndërlidhje, krejtësisht e kuptueshme dhe e logjikshme në mes të stabilizimit të situatës  në Veriun e Kosovës dhe Propozimit evropian, me kalimin e kohës, disi u injorua dhe u  harrua. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, së pari në muajin nëntor të vitit të kaluar urdhëroi  largimin masiv të zyrtarëve sebë nga të gjitha institucionet e Kosovës, në veriun e vendit. Në këtë mënyrë, ai instaloi një vakum politik dhe të sigurisë në Veriun e Kosovës, që ishte  një lloj i ‘infarktit’ ndaj Nismës Evropiane. 

Sidoqoftë, në muajin shkurt dhe mars të këtij viti, u arrit dakordimi verbal për  Marrëveshjen Themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe për Aneksin e Ohrit. Por, ndërmjetësit apo lehtësuesit ndërkombëtar të kësaj ndërmarrjeje, nuk e panë atë  ‘Elefantin në dhomë’ (si thuhet në diplomaci), apo, nuk kuptuan që nuk do të mund të ketë  as stabilizim të gjendjes në Veri, dhe as ecje para në jetësimin e këtyre Marrëveshjeve, nëse  qytetarët serbë nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale të 23 prillit (të  cilat ishin konsekuencë legale dhe politike e daljes së zyrtarëve serbë nga institucionet e  Kosovës).

Kjo pjesëmarrje mund të sigurohej, për shkaqe të njohura, vetëm me thirrjen që atyre do  t’u bëhej nga Presidenti i Serbisë. 

Vučić këtë nuk e bëri, duke u thirrë në ’Rendin e gjërave’, sipas të të cilit, së pari do të  duhej të krijohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe, e vetëm më pas do të mund  të shkohej në zgjedhje të reja në këto katër komuna. 

Ai e ktheu pra mbrapsht atë ’Udhërrëfyesin e natyrshëm’ të rrjedhës së ngjarjeve në këtë  dialog, (i cili edhe ashtu është tej mase i ndërlikuar), sepse mbajtja e tensioneve dhe e  pasigurisë në Veriun e Kosovës, është një ’letër me vlerë’ për te në trajtimin e kësaj  ndërmarrjeje ndërkombëtare që synon një normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës  dhe Serbisë.  

E tëra pra çka ndodhi në Veriun e Kosovës, ka qenë lehtë e parashikueshme, për shkak të  insistimit të Presidentit të Serbisë që nuk mund të ketë kurfarë normalizimi në Veriun e  Kosovës pa bërjen e Asociacionit, teksa ky (Asociacioni), për te është fillimi dhe fundi i  zbatimit të Marrëveshjes Themelore dhe të Aneksit të Ohrit. 

Kryeqendrat perëndimore, siç po shihet, i janë kthyer këtyre ditëve logjikës së natyrshme  të rrjedhës së gjërave në këtë proces. Nuk do të duhej kushtëzuar me Asociacion, qetësimin  dhe stabilizimin e gjendjes në katër komunat e Veriut. Sepse ky qetësim dhe stabilizim  është kusht pa të cilin nuk bën nëse njëmend synohet zbatimi i plotë, i të gjitha Neneve, i  Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të Ohrit.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme