Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ata janë heronjtë kombëtarë të Kosovës – tani ata akuzohen për krime lufte

123
string(16) "Matthew Campbell" string(69) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/04/Matthew-Campbell.jpg"
nga Matthew Campbell 16.04.2023 18:16

Në një shtet të vogël ku Blair dhe Clinton janë idolizuar, historia e suksesit të NATO-s po kërcënon të bëhet shumë e thartë.

Nëse Sir Tony Blair ose Bill Clinton ndihen ndonjëherë nostalgjikë për ditët e tyre në detyrë, një tapet i kuq dhe një turmë mbështetësish që valëvisin flamujt i presin në kombin e vogël ballkanik të Kosovës.

Ish-udhëheqësit britanikë dhe amerikanë nderohen si heronj në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë: Një statujë e madhe prej bronzi e Clintonit mban vendin e krenarisë në bulevardin “Bill Clinton”. Një brez i tërë burrash quhen Tonibler ose Toni, sipas ish-kryeministrit të Britanisë.

”Ne kurrë nuk do ta harrojmë rolin e veçantë që kishte Mbretëria e Bashkuar në ndërhyrjen e NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb”, tha kryeministri Albin Kurti, duke shtuar se ai shpresonte se Blair mund të vinte në festën e Ditës së Çlirimit, këtë verë.

Megjithatë, problemet po krijohen në shtetin e ri që u shkëput nga Serbia, me ndihmën e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s – në 1999 në fund të një lufte brutale. Tani e kaluara e dhunshme është rikthyer për ta ndjekur.

Shqetësimet janë ndezur lidhur me një gjykatë për krimet e luftës të ngritur për të gjykuar jo mizoritë serbe, por ato të ushtrisë guerile shqiptare, komandantët e së cilës përfunduan duke drejtuar vendin.

Në gjyq në Hagë janë katër ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të akuzuar për spastrim të njerëzve dhe rivalëve të tyre politikë në një valë dhune vrastare të pas luftës. Njëri prej tyre është Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës. Shumë njerëz këtu e konsiderojnë atë si babanë themelues të vendit dhe çështjen kundër tij si një shpifje ndaj legjitimitetit të luftës për pavarësi dhe heronjve të saj.

“Këta burra ndihmuan të fitojmë lirinë dhe pavarësinë tonë, janë serbët ata që duhet të gjykohen për masakrat këtu, jo ata”, thotë Besian Marina, 38 vjeçar, pronar i dyqanit të veshjeve Hillary, i emëruar sipas gruas së Clinton, ish-zonjës së parë. Wesley Clark, gjenerali amerikan në pension që drejtoi operacionet e NATO-s në Kosovë, është një tjetër hero që mbahet mend, me një autoshkollë që mban emrin e tij.

Por, me gjithë mirënjohjen e tyre për NATO-n, kosovarët, siç njihen kryesisht qytetarët shqiptarë etnikë të vendit, janë të mërzitur me aleatët e tyre ndërkombëtarë për nxitjen e tyre mbi gjykatën e krimeve të luftës, qeveria e tyre ra dakord me të vetëm nën presionin e BE-së dhe amerikanëve. Shumë qytetarë kanë dalë në rrugë për të protestuar.

Kurti, kryeministër që nga viti 2021, më tha në një intervistë se ai kurrë nuk e kishte mbështetur gjykatën, e cila funksionon sipas ligjit të Kosovës, por me seli në Hagë. Ai është i shqetësuar se mund ta ndihmojë Serbinë të “rishkruajë historinë”, duke e zhvendosur fokusin te krimet kosovare.

”Unë mbështes përgjegjësinë për luftën. Megjithatë, më duket e padrejtë që në qendër të vëmendjes po vihet Kosova, ndërkohë që Serbia jo vetëm që ka refuzuar të marrë përgjegjësinë për krimet e saj, por edhe i mohon ato”.

Gjykata gjithashtu do të inkurajonte “lojën” rajonale të Rusisë për të minuar Kosovën, e cila është qeverisur si një protektorat i OKB-së dhe, që nga viti 2008, si një shtet i pavarur, ashtu siç ka filluar të bëjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të shfrenuar, si dhe zgjerimin ekonomik të saj.

Kurti besonte se Kremlini pa në Kosovë dhe në Ballkan një “front të dytë” të mundshëm kundër NATO-s pas pushtimit të Ukrainës. ”Kosova është një histori suksesi e NATO-s, rusët duan që ajo të dështojë”.

Në dhjetor, kujton ai, një grup i madh anëtarësh të Narodne Patrole, një organizatë nacionaliste serbe me lidhje me grupin paramilitar rus Wagner, u grumbulluan në anën serbe të kufirit me Kosovën, duke kërcënuar se do të përballeshin me trupat e NATO-s.

”Njëqind milje nga vendi ku po bëjmë këtë intervistë në zyrën e kryeministrit, është një bazë ruse”, shtoi Kurti, duke iu referuar të ashtuquajturës “qenda humanitare” e Moskës në qytetin serb të Nishit. “Është plot me spiunë dhe agjentë që angazhohen në një luftë hibride”.

Aidan Hehir, ekspert në marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit të Londrës, tha se sundimtarët ndërkombëtarë të vendit kishin shpresuar se vënia e kosovarëve në gjyq në Hagë do ta “qetësonte” Serbinë, një anëtare aspirante e BE-së, duke ndihmuar për ta mbajtur atë jashtë përqafimit të Rusisë.

”Por në vend të kësaj do të trimërojë nacionalistët serbë dhe do të zemërojë kosovarët shqiptarë”, shtoi ai. “Njerëzit ndihen sikur po tradhtohen nga aleatët e tyre, kjo mund të jetë pika e fundit për shumë njerëz.”

Por jo të gjithë këtu janë të pakënaqur me Dhomat e Specializuara të Kosovës, siç njihet gjykata. Pasi ka parë me frikë, derisa organet ndërkombëtare si OKB-ja dhe Bashkimi Evropian dështuan më parë për të dhënë drejtësi për krimet e UÇK-së, Fetah Rudi, një nga viktimat, i cili për herë të parë pas kaq vitesh, ndihet optimist.

“Gjithçka që dua është drejtësia”, më tha ish-mësuesi i gjeografisë dhe aktivisti politik në shtëpinë e tij në fshatin e vogël Rud, rreth një orë me makinë nga kryeqyteti.

Ai po kthehej atje një pasdite të vitit 2000 kur një person i armatosur e qëlloi nga një makinë që kalonte. Që atëherë ai ka qenë në një karrige me rrota. ”Isha shumë i frikësuar. Çfarë mund të bësh?”, tha ai në kujtim të 14 plumbave që i kaluan në shpatull dhe në stomak.

Ai ka kohë që ka braktisur çdo shpresë për të ecur përsëri. Por ai nuk pushoi kurrë së imagjinuari se një ditë mund të shihte dikë që do të mbante llogari. Mund të ketë ardhur ai moment. ”Kjo gjykatë është e vetmja shpresë që kam për drejtësi”, tha Rudi.

Thaçi dha dorëheqjen si president në vitin 2020 për t’u mbrojtur kundër akuzave. Më kujtohet se e kam takuar vite më parë, në vitin 2010, në një vizitë të mëparshme në Prishtinë kur ishte kryeministër. Me një kostum të errët dhe kravatë rozë, ai ishte më shumë ndjellës i një ekzekutivi korporate sesa ish-udhëheqësi i ashpër i guerilës, i cili ndihmoi për të kryer kryengritjen kundër Serbisë nën emrin “Komandant gjarpri”. Pastrimi i rivalëve që ai dyshohet se po kryente nuk e ndaloi atë të shfaqej si partneri i preferuar i Perëndimit në Kosovë.

Në vitin 2010, Joe Biden, atëherë nënkryetar i Amerikës, e quajti atë “George Washingtoni i Kosovës”. Por, një raport i Komisionit Evropian po atë vit parashtroi një pikëpamje kontradiktore, duke e përshkruar Thaçin si “më të rrezikshmin nga bosët kriminalë të UÇK-së”. Ai ishte me mandat pasi pretendimet se UÇK-ja ishte përfshirë në trafikimin e organeve njerëzore u botuan në një libër nga një ish-prokurore për krime lufte, Carla del Ponte. Kjo lëvizje kërkon një llogari edhe nëse pretendimet e UÇK-së se kishte vrarë të burgosurit serbë për veshkat e tyre nuk u vërtetuan kurrë. Pretendimet nuk kanë asnjë rol në çështjet në gjykatë.

Në hapjen e gjyqit të tij më 3 prill, Thaçi deklaroi: ”Unë jam plotësisht i pafajshëm”. Por, prokurori, Alex Whiting, tha se ai do të vërtetonte se UÇK-ja ishte përgjegjëse për qindra vrasje dhe ndalime të paligjshme në Kosovë dhe Shqipërinë veriore në 1998 dhe 1999. “Shumica e viktimave, të të dhunuarve ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës. Askush nuk është mbi ligjin, madje as gjatë kohës së luftës.”

Forcat serbe ishin përgjegjëse për shumicën dërrmuese të dhunës në Kosovë dhe derisa disa u gjykuan në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, shumica e atyre që ishin përgjegjës për spastrimin etnik, përdhunimet dhe krimet e tjera të luftës në Kosovë nuk janë dënuar kurrë.

Saranda Bogujevci kujton se u rreshtua me anëtarët e tjerë të familjes dhe u qëllua në një mur kopshti nën një pemë lajthie në qytetin e saj si një nxënëse 13-vjeçare. Ajo u la për të vdekur, e zhytur mes një grumbulli kufomash grash e fëmijësh, duke përfshirë nënën dhe vëllain e saj, pasi u godit me 16 plumba në shpinë, këmbën e djathtë dhe krah.

Ky akt brutal i spastrimit etnik u krye nga një njësi speciale e policisë serbe e njohur si Akrepat. “Sa më shumë të rritesh, aq më e vështirë është të përballosh,” tha ajo, duke përshkruar se si u evakuua për trajtim mjekësor në Mançester, ku përfundoi duke u vendosur. Në vitin 2016, ajo u kthye në Kosovë për t’u bërë deputete në partinë e Kurtit. Ajo gjithashtu beson se gjykata speciale mund të jetë antiproduktive.

”Është e rëndësishme sigurisht që të ketë drejtësi për të gjitha viktimat,” më tha ajo. “Por askush nuk po flet për krimet e kryera nga Serbia. Më zhgënjen fakti që nuk po i bëhet më shumë presion Serbisë për të pranuar atë që kanë bërë. Edhe sot Serbia vazhdon të përpiqet të na destabilizojë”.

Realizuar nga Matthew Campbell, korrespondent për The Sunday Times, më parë në Paris, Washington, Moskë, Managua dhe Mexico City. Artikulli në përbërjen e saj me intervistë të kryeministrit Albin Kurtin, është publikuar në The Times.

Përkthyer nga klankosova.tv.

 

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme