Abazoviq për dhunën ndaj Petraq Milos në kufi: Ka edhe një anë tjetër të medaljes NULL NULL 22.02.2023 16:36 22.02.2023 16:36 Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se videot, në të cilat shihen disa policë të Malit të Zi duke keqtrajtuar një shtetas të huaj në kufi me Shqipërinë, i ka parë që nga data 15 janar, prej kur edhe “janë ndërmarrë masa”. Ai shtoi se ata që i tejkalojnë kompetencat e tyre, duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate. Por, shtoi se “ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikim, shkruan REL. “Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, tha Abazoviq. Në videot që janë shpërndarë në platforma të ndryshme sociale më 21 shkurt, duket se ngjarja ka ndodhur në pikën kufitare Sukobinë, që lidh Malin e Zi dhe Shqipërinë. Sipas pamjeve, një polic e nxjerr me forcë nga makina shtetasin e huaj, i cili nuk bën rezistencë dhe keqtrajtohet. Policia malazeze tha se pamjet e “keqtrajtimit të një shtetasi shqiptar”, të publikuara më 21 shkurt, i referohen një ngjarjeje të 15 janarit në pikën kufitare të Sukobinës. Policia tha se po heton punonjësit e saj në lidhje me incidentin. Partia shqiptare në Mal të Zi, Alternativa Shqiptare, tha se bëhet fjalë për shtetasin shqiptar, Petraq Milo, profesor universitar dhe ish-këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për financat publike dhe politikën monetare. I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Milo nuk deshi të prononcohet lidhur me këtë rast, duke thënë shkurtimisht se “po e ndjek në rrugë institucionale”. Abazoviq tha se shpërndarja e videove në këtë kohë lidhet me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, që pritet të mbahen muajin e ardhshëm. *Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.