Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Nonat e Kosovës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 18.02.2023 15:09

Pa letër para vetes. Pa ide të madhe se çka duhet folur në këtë rast. Pa ndonjë synim që duhet bindur këdoqoftë, për çfarëdoqoftë.

Me plagë të madhe në shpirt. Me ndjenja të forta të cilat në masë të madhe kontrollohen, teksa kohë pas kohe sytë u mbushen lotë.

Me bindjen e palëkundur që kështu është dashtë të jetë, se nuk ka pasë rrugë dhe mundësi tjetër.

Me përqafimin e fatit që ishte kob për to, por që solli shpëtimin dhe çlirimin për të gjithë të tjerët. Mbi të gjitha, për vet Kosovën. Për Atdheun.

Kështu flasin nënat  (nonat, në atë fjalorin tonë të rëndomtë këndejpari), e dëshmorëve të luftës së fundit në Kosovë  (qoftë e fundit, gjithsesi), në një film dokumentar që u shfaq në mbërmjen e 17 shkurtit, në RTK, në ditën kur të gjithë ne, të mbijetuarit e saj  (të kësaj lufte), të cilët në ndërkohë një herë u bëmë qytetar të lirë, (në vitin 1999), e më pas edhe nënshtetas  (në vitin 2008), shënuam dhe kremtuam 15 vjetorin e shtetit të Kosovës.

Secili prej nesh që e përcollëm këtë film dokumentar, së paku nga perspektiva e sotme, kemi mundur të ndjehemi të befasuar me këto rrëfimet e qarta, të prera, të thella, të kuptueshme për të gjithë, të këtyre nonave të cilat humbën fëmijët e tyre teksa ata patën vendosur që të ofrojnë edhe jetën e tyre, si luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në këmbim të çlirimit të Kosovës.

Vështirë është të hetohet një rrjedhë e këtillë e kallëzimit të shpirtërave të përvëluar të nonave, tek akëcili politikan apo edhe mendimtar në këtë vendin tonë.

Vështirë, nëse jo edhe e pamundur.

Mënyra se si secila prej tyre e përjetoi shkuarjen e djemve të tyre në luftë, pastaj, se si e morën lajmin që ata janë vranë në përballjen me forcat okupatore të Serbisë, më në fund, se si e arsyetojnë dhe justifikojnë këtë flijim të djemve apo edhe vajzave të tyre, nuk ka fare dyshim, është e denjë për kryeprotagonistet e tragjedive antike.

Kështu ka qenë e shkruar.

Ka qenë e shkruar pra, që të vdiset për liri.

Apo, kjo do të thotë që më në fund, e shkruam vet fatin tonë, pas gati një shekulli të një robërie nën Serbi.

Ndryshe nuk ka mundur të jetë.

Brez pas brezi, tek secila prej këtyre nonave, është trashëguar dhe bartur tutje, ai rrëfimi për hjekat  (e të gjitha llojeve), të cilat i kemi pasur si shqiptarë të Kosovës. Së bashku me to, janë kënduar këngët e trimërisë në odat e shtëpive tona.

Nonat kanë lindur fëmijët për çlirim.

Ndryshe nuk ka mundur të jetë.

Dhe e tëra pastaj, ka qenë fare e natyrshme.

E natyrshme dhe e domosdoshme ka qenë që në vijim të asaj Lëvizjeje për pavarësinë e Kosovës, të krijuar në vitin 1990, të vien ditët, javët, muajtë dhe vitet e luftës, kur ky popull  (shqiptar i Kosovës), i ka bërë të gjitha që një herë e përjetë të vendos për vete, që t’i jep fund epokës së errët të robërisë.

E natyrshme dhe e domosdoshme ka qenë që varret në të katër anët e Kosovës të mbushen heroj, dëshmor dhe martir.

Ndryshe nuk ka mundur të jetë.

Kështu e ka liria.

Këto nona janë folëset dhe shpjegueset në të mira pse ne, në Kosovë, kemi bërë atë që e kemi bërë.

Ato janë udhëtregueset më të mira pse ne, në Kosovë, nuk duhet të ndalemi më  (asnjëherë), që ta zhvillojmë dhe ta rrisim këtë shtet, dhe ta bëjmë shtet me të cilin gjithmonë do të krenohemi, që të gjithë ne, që jetojmë në këtë shtet, dhe që jetojmë për këtë shtet.

Ndryshe nuk mund të jetë.

Sepse jemi të lirë, dhe sepse jemi shtetas të Kosovës.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme