LIVE| Reagimet| Specialja e dënon me 26 vjet burgim Salih Mustafën NULL NULL 16.12.2022 09:58 16.12.2022 09:58 Gjykata Speciale e ka dënuar me 26 vjet burgim Salih Mustafën. Mustafa është shapallur fajtor për torturim, trajtim mizor dhe vrasje të të ndaluarve në kompleksin e BIA-s, ku ai ishte udhëheqës, njofton Klan Kosova. Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia. -Mappie Veldt-Foglia – kryetare e trupit gjykues “Në emër të popullit të Kosovës për arsyet e shtjelluara në aktgjykim, duke marrë parasysh të gjitha provat dhe dëshmitë e palëve, ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, torturë si krim lufte dhe vrasje e paligjshme si krim lufte”. -Momenti kur Salih Mustafës i shqiptohet dënimi Mustafa është akuzuar dhe shpallur fajtor për ndalimin e gjashtë personave në kompleksin e BIA-s, ku sipas aktakuzës, janë trajtuar mizorisht dhe njëri prej tyre ka përfunduar i vrarë. Sipas kryetares së trupit gjykues, Mustafa edhe vetë i ka torturuar dy prej tyre. Kujtojmë se BIA ka qenë një njësit i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Prishtinës, i cili është shpërbërë pas luftës në Kosovë. klankosova.tv 13:23 – Vajza e Jakup Krasniqit, deputetëve: Dënimet në emër të popullit nuk do t’ua falim kurrë Vajza e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, Gresa, ka reaguas pas dënimit nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për Salih Musafën. Sipas saj gjenocidi dhe krimet serbe të kryera mbi popullatën civile shqiptare nuk po gjykohen, kriminelët serb enden të lirë në Beograd, ndërsa po gjykohen çlirimtarët e lufta e drejt për liri. Mes tjerash, ajo thotë se nuk do të ja falë kurrë, deputetëve dhe ish-deputetëve, këto dënime që po shqiptohen në emër në emër të popullit. “Kosova përballë “drejtësisë” ndërkombëtare!Gjenocidi dhe krimet serbe të kryera mbi popullatën civile shqiptare, vazhdojnë të mbesin të pazbardhura e të paadresuara. Ndërsa kriminelët serb enden të lirë në mes të Beogradit, çlirimtarët dhe lufta e drejt per liri e shqiptarëve po gjykohet!Sot u denua Cali, me një dënim ç’njerëzor e të padrejt.Turpi bie mbi ata që e bënë këtë gjykatë dhe ata që i shërbejnë politikave shoviniste të Beogradit!Deputet e ish-deputet, dënimet ”në emër të popullit të Kosovës” nuk do t’ua falim kurrë!” ka shkruar ajo në Facebook. 12:27 – Kusari-Lila për dënimin e Mustafës: Të vetmit që s’e përkrahëm Specialen, pasojat do t’i bartë vendi Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka komentuar dënimin e Salih Mustafës, me 26 vjet burgim nga Specialja. Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë tha se VV-ja ka qenë partia e vetme që nuk e ka përkrahur vendimin për formimin e Gjykatës, teksa sipas saj, pasojat e atij vendimi do t’i bartë vendi. “Në fakt atë lajme e pash sa ishim në mbledhjen të Kryesisë. Qëndrimi i VV-së në raport me Gjykatën është i ditur, është konsideruar si vendim i gabuara nuk e ka mbështet këtë vendim”. “Fatkeqësisht ka qenë grupi i vetëm parlamentar që nuk e ka mbështetur. Pjesa tjetër janë pasojat e një veprim që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, pasojat do t’i bartin të tjerët dhe do t’i bartë edhe vendi”, tha Kusari-Lila. Kujtojmë se këtë të premte Gjykata Speciale dënoi Salih Mustafën me 26 vjet burg, me akuza për krime lufte. 12:23 – Haradinaj pas dënimit të Mustafës: Shpresoj që dënimi drakonian të kthehet në pafajësi Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se beson fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Pas dënimit të Salih Mustafës sot nga Specialja me 26 vjet burgim, Haradinaj ka thënë se shpreson që dënimi drakonian të kthehet në pafajësi, njofton Klan Kosova. “Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër”. “Dënimi sotëm i Sali Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë, dhe rasti i tij në një shkallë tjetër, shpresoj ta marrë një epilog tjetër për lirinë e tij, siç ka ndodhur në plot raste të tjera, që dënimet drakoniane janë rikthyer në pafajësi”. klankosova.tv 11:33 – Specialja me njoftim zyrtar për dënimin e Salih Mustafës me 26 vjet burgim Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, sot shqiptoi aktgjykimin në çështjen gjyqësore “Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës”. Në njoftimin e DHSK-së thuhet se aktgjykimi shënon një moment të rëndësishëm për ta, duke qenë se “është aktgjykimi i parë i kësaj gjykate në një çështje për krime të luftës”. Trupi Gjykues e shpalli Mustafën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Për arsye ligjore, Trupi Gjykues e shpalli Mustafën të pafajshëm për krimin e trajtimit mizor. Kur shqiptoi vendimin, Trupi Gjykues nënvizoi se “akuzat në këtë çështje gjyqësore kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të z. Mustafa dhe përfshirjen e tij në krimet e pretenduara të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme të viktimave”. Duke vënë në dukje se viktimat në këtë çështje janë shqiptarë kosovarë, Trupi Gjykues gjithashtu theksoi se “përpjekjet e tyre për të gjetur drejtësinë dhe të vërtetën janë thelbi i këtij procesi”. Krimet për të cilat Mustafa u shpall fajtor, DHSK-ja thotë se ndodhën në prill 1999 në një kompleks në fshatin Zllash, në Kosovë, i cili përdorej si bazë nga njësiti gueril BIA i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), komandant i të cilit ishte Salih Mustafa. Në aktgjykim, Trupi Gjykues konstatoi se “gjatë konfliktit midis UÇK-së dhe forcave serbe, z. Mustafa ishte komandanti i vetëm dhe i përgjithshëm i njësitit gueril BIA të UÇK-së deri në shpërndarjen e tij; se ai kishte nën komandë kompleksin në Zllash gjatë periudhës kur ndodhën krimet e pretenduara; dhe se kishte kompetencë për emërime në njësitin gueril BIA, për t’u dhënë urdhra vartësve të vet dhe për t’i disiplinuar”. Në lidhje me krimin e ndalimit arbitrar, Trupi Gjykues konstatoi se “të paktën gjashtë persona u arrestuan nga anëtarë të BIA-s ose anëtarë të tjerë të UÇK-së dhe atyre iu hoq liria në kompleksin në Zllash pa iu treguar arsye, e pa iu dhënë mundësi të kundërshtonin ligjshmërinë e mbajtjes në ndalim. Provat vërtetuan se z. Mustafa ishte i pranishëm disa herë në kompleksin e ndalimit në Zllash dhe i urdhëroi vartësit t’i kthenin të ndaluarit në vendin ku mbaheshin në ndalim. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues konstatoi se z. Mustafa e dinte për mbajtjen e tyre në ndalim dhe kushtet e ndalimit”. “Në lidhje me krimin e torturës, gjykatësit theksuan se të ndaluarit u akuzuan se ishin spiunë, bashkëpunëtorë të serbëve, tradhtarë, hajdutë, ose gënjeshtarë dhe u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese, pa ujë, ushqim dhe ndihmë mjekësore të mjaftueshme; nuk u lejohej larja e pastrimi ose ndërrimi i teshave, dhe as përdorimi i objekteve sanitare. Z. Mustafa dhe vartësit e tij të BIA-s qëllimisht u shkaktuan dhimbje e vuajtje të mëdha të ndaluarve, me synimin e marrjes së informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar, shtrënguar dhe/ose diskriminuar për arsye politike”, thotë njoftimi i Speciales. Trupi Gjykues theksoi se “keqtrajtimi fizik dhe psikologjik, bashkë me kushtet çnjerëzore dhe poshtëruese të ndalimit, u shkaktuan të ndaluarve lëndime të përhershme fizike dhe psikologjike”. Në lidhje me krimin e vrasjes së paligjshme, Trupi Gjykues konstatoi se “viktima e vrasjes së paligjshme ishte pothuajse i vdekur kur si pasojë e ofensivës serbe në prill 1999, njësiti gueril BIA i liroi të burgosurit, me përjashtim të dy më të rrahurve egërsisht”. “Trupi Gjykues konstatoi si shkak të vdekjes keqtrajtimin e rëndë të shkaktuar nga anëtarët e njësitit gueril BIA gjatë një periudhe prej pothuajse tri javësh dhe mungesën e ndihmës mjekësore për viktimën, si dhe disa plagë të shkaktuara nga armë zjarri, të pranishme në kufomën e viktimës”, thuhet më tej në njoftim. Në lidhje me përgjegjësinë penale të Mustafës, Trupi Gjykues konstatoi se “vetë z. Mustafa mori në pyetje dhe keqtrajtoi dy nga të ndaluarit, në raste të ndryshme, si dhe njërin prej tyre bëri sikur do ta ekzekutonte”. “Në lidhje me pretendimet e tjera faktike mbi të cilat bazohen akuzat për krimet, Trupi Gjykues konstatoi se z. Mustafa është penalisht përgjegjës përmes kontributit personal si pjesëmarrës i ndërmarrjes kriminale të përbashkët”, theksohet në njoftim. Në përcaktimin e dënimit të Mustafës, Trupi Gjykues mori parasysh peshën e krimeve dhe kontributin personal të Mustafës në krimet. “Egërsia e veçantë e torturave, pozita eprore e z. Mustafa si dhe përfshirja e drejtpërdrejtë personale e tij në këtë krim u vlerësuan nga Trupi Gjykues si faktorë rëndues”. Kur shqiptoi vendimin e gjykimit, Trupi Gjykues theksoi “guximin e jashtëzakonshëm të dëshmitarëve dhe viktimave që dhanë dëshmi me gjithë etiketimin e tyre në Kosovë si ‘tradhtarë’ apo ‘bashkëpunëtorë’ dhe kërcënimet e frikësimin për bashkëpunimin e tyre me Dhomat e Specializuara ose Prokurorin e Specializuar”. “Trupi Gjykues shpjegoi se atmosfera e frikës dhe frikësimit është arsyeja pse gjykatësit urdhëruan masa mbrojtëse për shumë dëshmitarë dhe viktima në këtë çështje gjyqësore dhe theksoi se ajo ishte gjithashtu një nga arsyet për krijimin e kësaj gjykate dhe vendosjen e saj në Hagë. Gjatë gjykimit, Trupi Gjykues dëgjoi 28 dëshmitarë – 13 të thirrur nga Prokurori i Specializuar dhe 15 të thirrur nga Mbrojtja. Trupi Gjykues gjithashtu shqyrtoi deklarata me shkrim, prova shkresore dhe aktekspertiza”, thuhet më tej në këtë njoftim të Speciales. Njoftimi thotë se tetë viktima morën pjesë në proces dhe të gjithë ishin nën masa mbrojtëse. Së fundi, Trupi Gjykues njoftoi se më pas do të lëshojë një urdhër për zhdëmtim dhe se ruan juridiksionin e nevojshëm në lidhje me këtë. /Klankosova.tv 09:58 – Whiting: Dënimi i Salih Mustafës, fitore për familjet e viktimave të tij shqiptare Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar Alex Whiting ka mirëpritur vendimin e sotëm në gjykimin ndaj Salih Mustafës si një masë që ai thotë se “u jep drejtësi viktimave” dhe përshëndeti kurajën e dëshmitarëve që dhanë dëshmi para Dhomave të Specializuara. “Aktgjykimi i sotëm përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre, të gjithë shqiptarë të Kosovës, tragjeditë personale të të cilëve ishin në zemër të këtij rasti, dhe që kanë vuajtur për më shumë se dy dekada për shkak të veprimeve të Z. Mustafa”, tha Whiting në përgjigje të vendimit fajtor nga Trupi Gjykues. “Dëshmia e dëshmitarëve që i dhanë besimin e tyre Dhomave të Specializuara që të sjellë drejtësi, pati ndikim kritik tek aktgjykimi dhe unë duartrokas kurajën e tyre të jashtëzakonshme që dolën për të dhënë dëshmi në gjykatë”, vazhdoi Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar. “Krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka bërë të mundur që këto viktima të tregojnë historitë e tyre dhe të marrin drejtësi”. Mustafa u shpall fajtor për katër akuza për krime lufte – mbajtje arbitrare; torturë; dhe vrasje – dhe u dënua me 26 vjet burg. Të gjithë viktimat ishin shqiptarë të Kosovës, disa prej të cilëve i ishin bashkuar UÇK-së vullnetarisht sepse ata besonin me forcë në luftën për pavarësinë e Kosovës. “Gjykata vendosi se Z. Mustafa përdori autoritetin e tij për të viktimizuar dhe trajtuar brutalisht bashkëpatriotët e tij shqiptarë të Kosovës”, tha Whiting. Mustafa u arrestua më 24 shtator 2020 nga ZPS-ja pas lëshimit të një urdhër arresti, urdhër transferimi dhe aktpadie të konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 dhe ZPS-ja e mbylli çështjen e saj më 4 shkurt 2022. ZPS-ja paraqiti kundërprovat më 1 qershor 2022 dhe procedura e paraqitjes së provave përfundoi më 20 qershor 2022. Deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13 dhe 15 shtator 2022. ZPS-ja thirri 14 dëshmitarë gjithsej. “Me vendimin e sotëm, Dhomat e Specializuara kanë treguar se ato janë një gjykatë për viktimat dhe rreth viktimave dhe se nuk ka datë skadimi për dhënien e llogarisë”, përfundoi Whiting. /Klankosova.tv 11:18 – Dënimi i Salih Mustafës, Mehaj e quan të padrejtë Gjykatën Speciale Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar pas shpalljes së dënimit prej 26 vjetësh për krime lufte ndaj Salih Mustafës, ish-udhëheqësit të njësitit BIA të UÇK-së. Mehaj, në konferencën e tij përmbyllëse për fundvit, Gjykatën Speciale e ka quajtur të padrejtë, raporton Klankosova.tv “Ne gjithmonë e kemi theksuar dhe e ritheksoj se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, për mbrojtje të vendit dhe pa asnjë pretendim tjetër”. Madje, Mehaj tha se çdo dëshmi që dërgohet në Gjykatën Speciale janë të fabrikuara nga pala serbe. “Çdo dëshmi që dërgohet atje është e fabrikuar nga pala serbe dhe miqtë e saj, rrjedhimisht, gjitha pretendimet e Speciales ndaj ushtarakëve të UCK-së janë të padrejta, dhe dënimet gjithashtu”, tha Mehaj. 11:12 – Mbesa e Salih Mustafës: Xhaxh, shumë e vështirë të shoh idhullin tim të dënohet Gjykata Speciale e ka dënuar sot me 26 vjet burgim Salih Mustafën. Mustafa është shpallur fajtor për torturim, trajtim mizor dhe vrasje të të ndaluarve në kompleksin e BIA-s, ku ai ishte udhëheqës, njofton Klan Kosova. Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia. Për këtë ka reaguar mbesa e tij, Arta Mustafa, përmes një shkrimi emocional në Facebook. Arta, e cila me profesion është gazetare, ka thënë se ka mbetur pa fjalë në këtë ditë. “Xhaxh, Më fal, po sot mbeta pa fjalë. E di që nëse kishe qenë këtu, më kishe thon: ‘Qysh be xhaxh, me qenë gazetare, edhe me të mungu shprehjet. Bash ti duhesh me ditë qysh me u shpreh më së miri’, me atë buzëqeshjen e lehtë e triumfuese që të karakterizon”. “Por xhaxh, mbesa jote po të zhgënjen kësaj radhe, se kom mbet e heshtun, pa fjalë, e s’di ç’të them ndaj këtij vendimi e kësaj padrejtësie që të është bë sot”, shkroi Arta Mustafa, mes tjerash. Ajo tha se është shumë e vështirë për të ta shohë axhën e saj të dënohet me kaq shumë vite. “Xhaxh, qenka shumë vështirë me pa, se idolli im, që përfaqëson idealet e luftës e drejtësisë, u dënua, pikërisht për mbrojtjen e këtyre idealeve të kombit tonë, për kohën kur pak patën guximin t’i dilnin ballë luftës për çlirim të atdheut, e ti ishe në krye”. Arta thotë se do të donte ta kishte afër, “në mesin tonë, ku e ke vendin, e për çka ke luftu, në liri”. “Por, e di xhaxh, ti je i fortë. Jam shumë e bindur, ke me kalu edhe këtë, e ke me u kthy, më i fortë se kurrë. E si gjithë xhaxh, ke me fitu, edhe këtë betejë. Të presim, Krenarë gjithmonë me ty, Komandant”, përfundoi Arta Mustafa. /Klankosova.tv 10:37 – Ganimete Musliu: E tmerruar nga vendimi i Speciales për Salih Mustafën Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se është e tmerruar nga vendimi i Gjykatës Speciale për Salih Mustafën. Ky reagim i saj vjen pasi Salih Mustafa është dënuar me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale, njofton Klan Kosova. “Faleminderit Zot, që ma dhe durimin me e përballu stresin e presionit që m’u shkaktua kur po votohej Gjykata Speciale. Faleminderit që ma dhe guximin qe t’iu qëndroj fort bindjeve të mija të familjes, farefisit dhe shoqërisë sime”. “Faleminderit të gjithë atyre që më mbështeten e më përkrahen në ato ditë torturuese që më besuan dhe më dhanë kurajë kur vendosa të votoj kundër kësaj gjykate që sot po e përdhosë gjakun e sakrificën e popullit tim”. “Sot edhe pse ndërgjegjen e kam të pastër, shpirti im është rënduar nga dhimbja për CALIN dhe për veprën sublime të USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, për KRYEVEPRËN E HISTORISË SONË KOMBËTARE”.