“Policisë po u ngelin djemtë në dorë”, qytetarët protestojnë para Ministrisë së Brendshme në Shqipëri NULL NULL 21.10.2022 20:43 21.10.2022 20:43 Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile janë mbledhur sonte para Ministrisë së Brendshme në Shqipëri, për të protestuar për vdekjen e 32-vjeçarit, Laer Kurti. “Kupa u mbush”, “policisë po i ngelin në dorë djemtë shqiptarë”, janë disa nga pankartat e tyre. Ata kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e rastit të të riut që ndërroi jetë në duart e policisë dy netë më parë. Protestat civile para Ministrisë së Brendshme kanë qenë të përsëritura gjatë muajve të fundit. Në muajin korrik, ata protestuan për vdekjen e Jonadës, që u godit për vdekje nga gomonia që drejtonte polici Arjan Tase në plazhin e Potamit në Himarë. Si humbi jetën Lear Kurti? Mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 23:00, Lear Kurti ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e komisariatit nr 3 i ka kërkuar të ndalonte por 32 vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap. Pas një arratie rreth 400 metrash i riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”. Në njoftimin paraprak Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se gjatë shoqërimit 32- vjeçari ka shfaqur problem shëndetësore dhe është kërkuar ndihma e urgjencës. Burime nga uniformat blu thanë se I riu ka pasur dridhje trupi dhe të vjella Duke qenë se gjendja e të riut po përkeqësohej si u dërgua me mjetet e policisë në spital ku ndërroi jetë. Sipas njoftimit, nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Nuk rezultoi që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe u konstatuan shenjat e krijuara në momentin e prangosjes./TCH