Çka përmban marrëveshja me MCC-në? (VIDEO) NULL NULL nga Haris Ademi 26.07.2022 22:04 nga Haris Ademi 26.07.2022 22:04 Tre zyrtarë të shtetit fluturuan në Amerikë, për një marrëveshje të madhe. Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, do ta nënshkruajnë ujdinë 202 milionëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, për fushën e energjisë. Kësaj shume, qeveria në Prishtinë do t’ia shtojë edhe rreth 33 milionë euro, për t’i implementuar dy projektet e Programit Kompakt të MCC-së, njofton Klan Kosova. I pari, më i rëndësishmi, do ta mundësojë akumulimin e rrymës që prodhohet natën, për t’u shfrytëzuar ditën, kur kërkesa është më e madhe. Bateritë që pritet të jenë më të fortat në Evropë parashihet të kenë fuqi akumuluese rreth 340 megavatë në orë. Kjo do ta zvogëlonte nevojën për import energjetik. Projekti i dytë mëton aftësimin profesional të punëtorëve të sektorit të energjisë, si dhe punësimin e sa më shumë grave në këtë fushë. Po ashtu, pritet investim edhe në ruajtjen e energjisë te ndërtesat dhe shtëpitë e banimit. Pas nënshkrimit në Uashington, marrëveshja Qeveri-MCC duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për ratifikim. Për të nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, teksa implementimi praktik pritet të fillojë kah viti 2024.