Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Presidenti që na flet për opozitën që do kemi

123
string(12) "Andi Bushati" string(72) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/05/bushati-2-840x440-1.png"
nga Andi Bushati 21.05.2022 09:08

Negociatat e shtira mes grupeve parlamentare lidhur me zgjedhjen e afërt të kreut të shtetit, më shumë sesa na tregojnë se ç’profil presidenti do të kemi po ngrejnë sinjale alarmi për llojin e opozitës që do të përballet me Edi Ramën.

Rreziku po bëhet gjithnjë e më evident që një pjesë e deputetëve të PD-së të luajnë gjatë këtij mandati rolin që Jenisheri, Gjuzi apo ajo bjondina e kërpëratave morën përsipër gjatë dy viteve të shkuara.

Mjafton të shikosh se si disa “të deleguar” të opozitës shërbejnë si ngritës topi që Taulant Balla dhe Elisa Spiropali të pushtojnë me fjalimet e tyre transmetimet live të paradites dhe titujt e mediave online në mbrëmje, për të kuptuar më mirë atë që po ndodh. Eshtë e vështirë të arsyetosh mazohizmin e tyre përballë sarkazmës së parreshtur të rilindasve: A i bëni dot 20 firma? A keni mandat për të negociuar? A e merrni dot nënshkrimin e katranit me bojë? A mund të propozoni dot një president pro- amerikan?

Këta lloj opozitarësh, që po bëhen në mënyrë të ndërgjegjshme pjesë e një farse nga e cila në fund do zgjidhet emri që mban në xhep Edi Rama, po ripërtërijnë modelin e një grupimi “tolerant”, “bashkëpunues” gati të përulur ndaj qeverisë. Prandaj procesi i zgjedhjes së kreut të shtetit duket vetëm si preludi i pazareve të ardhshme apo i bashkimeve të nesërme të votave, që do të ndodhin në emër të “interesave të mëdha të vendit”.

Pra edhe këtë herë po hyjmë në një mandat tjetër parlamentar, ku Edi Rama do të ketë të transformuar në favor të tij një pjesë të vullnetit të atyre dhjetëra mijëra qytetarëve që e votuan kundër më 25 prill.

Natyrisht, askush nuk është aq naiv sa të kujtojë se kjo pjesë e opozitës po sillet kështu, ngaqë beson se të qënit konstruktiv ka vlerë në suazën e këtij regjimi. I vetmi version bindës është se ata po e bëjnë këtë ngaqë janë në betejë të brendshme me Berishën dhe duan të krijojnë një profil të ndryshëm nga ai i tij. Pra nëse ata të foltores bojkotojnë, këta të dytët marrin pjesë, nëse të parët janë radikalë, këta luajnë konstruktivin, nëse ata vetëm mohojnë, të tjerët demostrojnë aftësi negociuese.

Por, ndonëse beteja e tyre ndaj modelit të Berishës është e ligjshme, madje për shumëkënd e mirëpritur, rruga që kanë zgjedhur e ka të përcaktuar fundin e një dështimi të turpshëm. Të gjithë ata që i kanë hyrë kësaj sprove kur Rama ka qenë në pushtet kanë pasur të njëjtin fat. Edhe bashkimi i votave për reformën në drejtësi, edhe marrëveshja e 17 majit që sapo mbushi ditëlindjen e pestë, edhe ajo e 5 qershorit kanë treguar të njëjtën gjë.

Pra nëse qëllimi i kësaj pjese të opozitës është që të ekzistojë, pavarësisht Berishës dhe në kundërshti me të, kjo nuk mund të bëhet duke rënë në prehrin e Ramës, apo duke u sjellë si vegël e tij.

Nëse ata duan vërtet t’i marin liderit të vjetër monopolin e të qënit alternativë ndaj qeverisë, ata janë të dënuar të pozicionohen në një llogore më radikale sesa vetë ai. Ata duhet të jenë më kundërshtues ndaj bashkimit të votave, më refuzues ndaj pjesëmarrjes në tryeza fasadë, më denoncues ndaj oligarkëve që u pasuruan në kohën e PD-së dhe u forcuan gjatë pushtetit të rilindjes.

Vetëm kjo lloj vije politike mund ta nxjerrë “non- gratan” nga skena.

Por kështu si ka nisur, duke bashkuar votat me Ramën për vettingun, duke marrë pjesë në tryezat spiropalizuese për zgjedhjen e presidentit, kjo lloj opozite i ngjan më shumë asaj që nuk pranoi të digjte mandatet. Dhe nëse vazhdon në këtë rrugë do të ketë me siguri të njëjtin fund si të sajin.

***

Kjo kolumne është botuar në Lapsi.al.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme