Kosova në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit 123 string(11) "Dafina Lata" string(100) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/05/88177334_3853480467995735_3651773747033014272_n.jpg" nga Dafina Lata 03.05.2022 16:03 03.05.2022 16:03 Dita Botërore e Lirisë së Shtypit për këtë vit e gjeti Kosovën në një nivel më të mirë bazuar në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror të publikuar nga organizata “Reporterët pa Kufij”. Kosova sivjet radhitet në pozitën e 61-të në krahasim me pozitën e 78-të që ka mbajtur në vitin 2021. Trendi i rritjes vjen pas rënies që ka shënuar vitin e kaluar – për tetë pozita – në krahasim me renditjen e vitit 2020. Raporti i “Reporterët pa Kufij”, i cili vlerëson gjendjen e gazetarisë në 180 vende dhe territore të botës, tregon që edhe përkundër përparimit Kosova vazhdon të mbetet në mesin e vendeve me “situatë problematike”. Në këtë kategori radhiten edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. Ky vlerësim për vendin tonë nuk duhet të na bëjë të ndihemi të relaksuar, derisa gazetarët vazhdojnë të pengohen të kryejnë punën e tyre. Këtë madje e përmend qartë raporti tjetër, ai i organizatës “Freedom House”, i cili është më kritikues në dallim me atë të “Reporterët Pa Kufij”. Aty është shkruar se Kosova është pjesërisht e lirë dhe jo me ndonjë progres të theksuar në fushën e mediave dhe lirisë së shtypit. Në këtë raport në paragrafët e ndarë për mediat thuhet se “ gazetarët përballen me kërcënime dhe presion serioz dhe rrezikojnë të sulmohen në lidhje me raportimet e tyre”. Organizata “Freedom House”, në hulumtimin e tyre, tregon se pavarësisht që “Kushtetuta e Kosovës garanton liri të shtypit, megjithatë, institucionet dhe Qeveria e interesat e biznesit ushtrojnë ndikim në linjat editoriale”. Mes rreshtash aty shkruhet për sulmin që iu është bërë gazetarëve në veri të vendit në vitin 2021. Kujtojmë dy raste të këtyre sulmeve. Është sulmi ndaj ekipit të Radio Evropa e Lirë dhe sulmi ndaj gazetares Albulena Rexha po në Mitrovicën e Veriut. ( https://freedomhouse.org/country/kosovo/freedom-world/2022). Gjithë ky vlerësim i “Freedom House” dëshmon që nuk kemi arritur si vend të dalim me një rezultat më të mirë në fushën e mediave dhe lirisë së shtypit. Kjo në një formë të krijon përshtypjen sikur të jemi vetëkënaqur me këtë nivel dhe nuk jemi përpjekur si shoqëri për të bërë më të mirën e mundshme për të dëshmuar, që si vend jemi për media të lira e të pavarura. Kjo është e mundur vetëm atëherë kur krijohet mendësia se gazetarët janë ata për të kryer punën e tyre dhe nëse dikush nuk pajtohet për mënyrën e raportimit të ankohen tek institucionet e përkatëse, e jo të zgjedhin formën e kërcënimeve e sulmeve. Për mediat e shkruara e kemi Këshillin e Mediave të Shkruara, ndërsa për mediat audio-vizuele është Komisioni i Pavarur për Mediat. Nëse as KMSH dhe as KPM nuk marrin hapa konkretë janë rrugët e tjera ligjore, ku institucionet e drejtësisë po ashtu duhet të trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve. Por, duke mos u respektuar kjo hierarki po zgjedhen mënyrat e tjera, ajo e kërcënimeve dhe sulmit ndaj gazetarëve dhe mediave, e cila po krijon një imazh aspak të mirë për vendin dhe për funksionimin e mediave. Po në Ditën Botërore të Shtypit, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, kujton raportin e BE-së të vitit 2021 në të cilin thuhet që “Kosova përfiton nga një mjedis mediatik pluralist dhe dinamik, por që shqetësimet mbeten në lidhje me fushatat e njollosjes publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve”. Ndërkaq, vetëm në muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, janë shënuar 11 raste të sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve të gazetarëve. Si duket, ky numër i rasteve nuk lë shumë për të dëshiruar që raporti i ardhshëm i “Freedom House” do të sjellë një rezultat më të mirë. Shqetësuese në këtë fillimvit ishte edhe gjuha denigruese ndaj mediave. Kujtojmë shkrimin e bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Prindon Sadriu, i cili në rrjetin social Facebook, përdori gjuhë që nxit urrejtjen ndaj mediave duke i quajtur “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”. Kjo nxiti reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK. “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale’”, shkroi AGK-ja në reagimin e tyre. Rasti tjetër nga zyrtarët shtetërorë ishte ai me ministrin Xhelal Sveçla i cili i quajti “budallallëaqe” pyetjet e gazetares Besarta Hoti. Përveç kësaj qasje, zyrtarët qeveritarë nuk iu përgjigjen gazetarëve në pyetjet e tyre kur i dërgojnë në adresë të zyrtarëve për informim. Kjo qasje e mostransparencës ka qenë shprehi edhe e qeverive në vitet e kaluara. Në një hulumtim të “Kosovo2.0”, sa i përket korrespondencës elektronike, tregon se nga 152 e-maile të dërguara institucioneve publike, vetëm 76 prej tyre kanë marrë përgjigje. Por, një respektim të punës së gazetarëve institucionet qeveritare e treguan në rastin e pritjes dhe ofrimit të mundësive për gazetarët ukrainas të cilët janë larguar nga lufta në këtë shtet. Muaj më parë, gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, ishte e para që ka mbërritur në Kosovë si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë”. Ky program ofron pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit kur flasim për gazetarët dhe sfidat kujtojmë gazetarët në mbarë botën. Këtë herë sytë kanë qenë tek ata në Ukrainë dhe raportimi në kohë lufte. Si shkak, i luftës atje, gazetarja e Radio Evropa e Lirë, Vira Hyrych, është vrarë në Kiev. Ajo vdiq pasi një raketë ruse goditi ndërtesën ku ajo banonte, thuhet në deklaratën e medias. Ndërkaq, në mesin e vendeve evropiane, sipas “Reporterëve Pa Kufij”, Norvegjia mbetet në krye të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, por megjithatë ka pabarazi të konsiderueshme. Autorja Dafina Lata punon si gazetare në radion Klan Kosova FM dhe është autore e emisionit “News Talk”. (Ky është qëndrim personal i autores dhe nuk përfaqëson qëndrimin editorial të Klankosova.tv) *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.