Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Hyrja e Ballkanit Perëndimor në BE

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 12.03.2022 10:35
blerim shala

Qasja gjeopolitike në trajtimin e Ballkanit Perëndimor, e cila u shfaq, në mënyrë eksplicite, në një Analizë të nënshkruar nga Josep Borrell, Kryediplomati i Bashkimit Evropian, në pranverën e vitit të kaluar, mori një hov të ri, në ditët e para të agresionit të Forcave ushtarake të Federatës së Rusisë në Ukrainë, i cili nisi me 24 shkurt.

Nuk kishte si të jetë ndryshe.

Askush në Perëndim nuk e kishte as më të vogëlin dyshim që Vladimir Putin dhe Rusia që i shkon më pas, në të gjitha format e mundshme, me luftën e Ukrainës duan ta imponojnë ‘Paqen Ruse’ në këto anë të Evropës, apo, një ndarje finale të ‘Tokave evropiane’ në mes të Rusisë dhe Perëndimit.

Për këtë shkak, me të shpejtë, autoritetet më të larta evropiane u ngutën që të kumtojnë interesin e tyre gjeopolitik për Ballkanin Perëndimor, i cili, në tërësinë e tij, të bërë prej gjashtë shteteve  (Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia), edhe në përfillje të synimeve të tyre, duhet të bëhet pjesë e Bashkimin Evropian.

Për këtë shkak, më pas, mori udhë interesimi i ri i shteteve të Ballkanit Perëndimor, që me një procedurë më të shpejtë, pikërisht në respektim të kësaj qasjeje gjeopolitike të Brukselit zyrtar, të bëhen sa më parë shtete anëtare të BE-së, në rastin e Kosovës, edhe të Aleancës Veri-Atlantike.

Njëkohësisht, Ukraina vet, e cila tutje po i reziston agresionit rus me një organizim të jashtëzakonshëm ushtarak, politik, mediatik, qytetërues  (tek e fundit), ka aplikuar për të hyrë me të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Ndërrimi i pushtetit në Ukrainë, në dimrin e vitit 2014-të, nuk ka ndodhur për shkak të mësymjes së Ukrainës për tu bërë pjesë e Paktit NATO, por sepse Presidenti i atëhershëm i saj, Viktor Yanukovych, nën ndikimin e madh të Vladimir Putinit, hoqi dorë nga procesi i integrimit të Ukrainës në BE.

Ky ishte vendimi që shkaktoi Revolucionin paqësor në Ukrainë.

Sidoqoftë, pakkush beson që BE-ja, megjithëse me shenja evidente të këndelljes politike dhe vendimmarrëse, mund ta bëjë këtë hapin final për përfshirjen e Ukrainës në familjen e shteteve të Bashkimit Evropian. Nuk kemi të bëjmë këtu vetëm me respektimin e kritereve dhe procedurave, gjithsesi të ndërlikuara për tu anëtarësuar në BE. As edhe me faktin evident që Ukraina gjindet në luftë të imponuar nga shteti fqi  (Rusia), të cilën e mbështet edhe një tjetër shtet fqi (Bellorusia), teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore, janë kusht pa të cilin nuk bën në mësymjen e akëcilit shtet për të qenë pjesë e BE-së. Mbi të gjitha, Evropa politike sot, nuk është e gatshme që ta bëjë Ukrainën pjesë të saj, sepse fati i këtij shteti nuk është aspak i qartë, dhe pastaj, poqëse BE-ja do ta pranonte Ukrainën, atëherë, kjo do të paralajmëronte një angazhim krejt ndryshe të BE-së në këtë luftë, sepse Putin do ta vlerësonte këtë akt të BE-së ai akt të shpalljes së luftës së Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

Ndërsa BE-ja nuk bën luftë. Këtë e bën Pakti NATO. Teksa dihet që të gjitha instancat relevante të kësaj Aleance, nuk kanë lënë kurfarë dilema që NATO nuk do të hyjë në luftë për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë, por këtë do ta bëjnë nëse Rusia sulmon cilindoqoftë shtet anëtar të Aleancës.

Nëse pra, realisht, Bashkimi Evropian nuk do të mund ta pranojë Ukrainën në Bashkimin Evropian, në një të ardhme që matet me javë dhe muaj, duket që nuk ka gjasa që shtetet e Ballkanit Perëndimor, të gjejnë një rrugë të shkurtër për në BE, sipër shqetësimit real gjeopolitik të BE-së për këto anë të Evropës.

Pra, edhe po të kishte vullnet në BE për ta përfillur në plotëni këtë momentumin historik dhe politik për ta rrumbullakësuar hartën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor  (ky edhe ashtu është një ishull i rrethuara në të gjitha anët me BE-në dhe me Paktin NATO), këto shtete janë pengji të Ukrainës dhe të luftës që po bëhet atje.

Megjithatë, Bashkimi Evropian, nëse njëmend do ta merr në konsideratë shqetësimin tej mase real gjeopolitik për Ballkanin Perëndimor, atëherë, do të duhej ta shdërronte këtë shqetësim si një moment kthese në politikën dhe vendimarrjen e vet për Zgjerimin e vet kah shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Zgjerimi i BE-së me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, formalisht është ende në fuqi, por realisht, ky proces njeh ngecjen e plotë të vetin. Liderët e BE-së, në Samitin kushtuar Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Brdo  (të Sllovenisë), nuk ishin të gatshëm të përkrahin një Propozim kornizë që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, të hyjnë në BE deri në vitin 2030. Tutje, argumenti kryesor i kundërshtarëve të Zgjerimit të BE-së ishte që BE duhet së pari të reformohet dhe të riorganizohet, e pastaj të shtrihet tutje kah Juglindja.

Kjo logjikë ka pësuar goditje të pariparueshme në orët e hershme të mëngjesit të 24 shkurtit në Ukrainë.

Aspekti gjeopolitik tani është mbizotërues në çdo analizë serioze që bëhet në Bruksel, në Washingon, në Bruksel dhe Paris. Riorganizimi i BE-së tash ka shtytës kryesorin pikërisht luftën në Ukrainë, dhe mbrojtjen e Evropës nga kjo dyndja e Rusisë së Vladimir Putinit në kufijtë lindor të saj. Në këtë kontekst, është e pashmangshme, nëse BE-ja njëmend ka vendosur të ndryshojë  (e ndryshimi është i domosdoshëm), që gjatë Presidencës së Francës  (që përfundon me 30 qershor të këtij viti), të miratohet Strategjia e re për zgjerimin e BE-së me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, tani, me një afat të qartë kohor, me modelin sipas të të cilit të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të hynin së bashku në Bashkimin Evropian.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme