Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dy vjet burg për ish-gjyqtaren e Krujës, shpallet fajtore për korrupsion dhe shpërdorim detyre

NULL NULL
14.02.2022 17:42

Ish-gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, është shpallur fajtore për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Ajo është dënuar me tre vjet, por pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, do të vuajë dy vjet heqje lirie.

Më herët, Prokuroria e Posaçme kërkoi 3 vjet e 6 muaj burg për Enkelejda Hoxhën, duke zbritur 1/3 e dënimit. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit pranoi kërkesën e ish-gjyqtares për gjykim të shkurtuar.

Gjatë operacionit për arrestimin e Enkelejda Hoxhës u arrestuan edhe persona të tjerë, të përfshirë në skemën e korrupsionit, ku liroheshin ‘të fortët’.

Për këta, SPAK ka kërkuar edhe katër vjet burg për avokatin Aldo Tabaku, i cili ndërhynte për ndryshimin e vendimit dhe tre vite burg për sekretaren e gjykatës, Manuela Mallkuçi.

Gjithashtu, dy vjet burg për të dënuarin Saimir Petanin, i cili kërkonte lirimin nga burgu kundrejt pagesës dhe vëllanë e tij, Bledar Petani, i cili do t’i jepte 12 mijë euro ish-gjyqtares Hoxha.

Dënimin me dy vjet burg, SPAK-u kërkon edhe për të arrestuarit e tjerë Altin Skendaj, Gazmir dhe Gentjan Nezajn e Isuf Tanezin, ndërsa për Trëndafile Fagun ka kërkuar nëntë muaj burg.

Ish-gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Më 11 shkurt të këtij viti, ish-gjyqtarja e Gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha është arrestuar bashkë me punonjës të tjerë, mes tyre avokati Aldo Tabakun, sekretarja Manuela Mallkuçin, Gazmir Nezajn, Isuf Tanuzin, Bledar Petanin, Sajmir Petanin dhe Altin Skëndaj, Trëndafile Frangu dhe Migena Skënderi, pasi kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.

Ish-gjyqtarja, Enkelejda Hoxha njihet për vendimet e saj ku shumë të dënuar janë liruar nga burgu, mes tyre edhe të dënuar përjetë, si Endrit Dokle, Genc Tafilit, apo Hekuran Billa, i vrarë në Tiranë.

Gjyqtarja e Krujës, e cila ende pa dalë në Vetting, liroi nga burgu Indrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm, si anëtar i bandës së Durrësit, i akuzuar për disa vrasje, plagosje dhe krime të tjera.

Në të njëjtën mënyrë që gjyqtarja Hoxha, përdori për lirimin e Dokles, në nëntor të 2017-ës, ajo liroi Genc Tafilin, i përfshirë në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Tafili kishte kryer 17 vite burg, nga 25 që ishte dënuar.

Një tjetër lirim që mban firmën e gjyqtares Hoxha, është edhe ai i Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim. Paja njihet për disa nga arratisjet e tij në burgjet e Italisë dhe Gjermanisë, ndërsa u lirua disa ditë pas Tafilit.

Enkeleda Hoxha, në vitin 2018 po ashtu vendosi lirimin nga burgu të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja. Ai u dënua me 1 vit burg, për dhunë të ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, por gjyqtarja vendosi konvertimin e dënimit në shërbim prove./TCh

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.